E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazeta “TemA” si problem jopolitik

Nga Mero Baze

U bënë disa ditë që në redaksi vijnë mijëra reagime nga brenda dhe jashtë vendit në shenjë solidariteti rreth vendimit të qeverisë për të bllokuar vazhdimin e botimit të gazetës “TemA”. Ndjehem mirë që ata, të cilët unë i konsideroj kolegë profesionistë, kanë reaguar dhe e kanë parë këtë zhvillim negativ si shqetësim për shoqërinë shqiptare. Më duhet të shpreh një falënderim për ta. Shumë prej lexuesve dhe mbështetësve të gazetës “TemA” më bëjnë pyetje apo komente politike rreth kësaj situate të mjerueshme. E kam të pamundur t’u përgjigjem të gjithëve, edhe për faktin se janë të qartë, ose të fiksuar tek ideja që është një gjest hakmarrës.

Sot do të desha të komunikoj me ata që nuk janë të përfshirë në këtë fushatë dhe akoma më shumë me ata që e mendojnë këtë gjest hakmarrjeje si diçka normale. Edhe këta janë shumë.

Nëse e lëmë mënjanë lirinë e shprehjes, nëse e lëmë mënjanë sensibilitetin që ka një konflikt mes medias dhe qeverisë dhe e shikojmë këtë thjesht si biznes, do të desha t’u them biznesmenëve që mbajnë nën kthetra poshtëruese shtypin shqiptar, se ky është një shembull i keq për ta si biznesmenë dhe jo si botues mediesh. Kontrata e kompanisë së gazetës “TemA” me Ministrinë e Ekonomisë ishte një kontratë biznesi 20-vjeçare, ku ne kemi qenë të detyruar të investojmë. Nëse ne nuk do të investonim, kontrata mund të prishej nga ministria. Dhe plani ynë i biznesit për të zhvilluar një media në atë ish-fabrikë të shkatërruar ishte 20-vjeçar. Kontrata të tilla kanë plot biznesmenë shqiptarë. Nëse kryeministrat pasardhës nuk i respektojnë ato, atëherë shteti merr fund. Rasti i gazetës “TemA”, si rast jo-mediatik, është shembulli më i keq se si mund të bësh biznes në Shqipëri. Investimet e çdo biznesi këtu hidhen në erë nga sjellja politike dhe hakmarrja e shtetit, çka është një sinjal shumë i keq për gjithkënd që do të investojë pa pasur nevojë të jetë mik apo armik i kryeministrit. Përfshirja kaq e fortë e qeverisë në planet e biznesit të një kompanie që merret me median, është e frikshme. Është e frikshme mes të tjerash për qëndrimin e saj selektiv dhe për mënyrën se si shpërblen heshtjen dhe si ndëshkon zërin e ngritur. Është e frikshme, kur mendon që një biznesmeni i fal uzinë në mes të Tiranës pa lekë dhe i merr si shkëmbim një copë tokë në Kashar, në shkëmbim të dëgjueshmërisë së medias së tij ndaj qeverisë, një tjetri i shkatërron biznesin dhe investimet në një ish-fabrikë të shkatërruar, së cilës i ka dhënë jetë. Kjo përfshirje kaq e fortë e qeverisë në plan-bizneset e kompanive të medias ka bërë që në rastin konkret të flasin vetëm gazetarët dhe jo pronarët. Ata që Berisha thotë se i ka kundër, pra, pronarët, realisht i ka pro. I ka pro, se ata duan të bëjnë biznes dhe duan ta kenë mirë me të. Ata që mendon se i ka aleatë, i ka kundër dhe po ia thonë të vërtetën në sy.

Spekulimi i dytë i madh, ai me interesin publik dhe sigurinë kombëtare, është po ashtu një detaj i frikshëm. Kryeministri, i cili nën lobimin e pastër të djalit të tij ndërtoi një fabrikë vdekjeje në Gërdec, 10 km larg aeroportit ndërkombëtar dhe për pak rrëzoi avionin e linjës që ishte në radhë për t’u ulur në Rinas, flet për siguri në një vend tejet të sigurt, kur katër kompani shtypshkrimesh zhvillojnë veprimtarinë e tyre dhe njëra duhet të largohet. Kryeministri, i cili fut në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar sekserin e familjes së tij, serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, bashkë me një bionde që e paraqet si sekretare, shpall si të rrezikshme një gazetë, vetëm pse ajo i ka krijuar probleme me qëndrimet e saj editoriale. Ky është një shembull se sa të pasigurta janë bizneset në Shqipëri dhe sa e sigurt është qeveria në luftën politike kundër tyre.

Dhe, së fundi, ky është një shembull i keq për ata që duan të kthehen një ditë në Shqipëri prej Perëndimit. Ata shikojnë në këtë rast nevojën për të negociuar personalisht me qeverinë kthimin e tyre në atdhe, ndryshe mund të ndjehen të pasigurt. Ata e kanë të nevojshme pas këtij rasti të njohin kryeministrin personalisht apo vajzën ose djalin e tij për të qenë të sigurt në bizneset e tyre. Sistemi që kemi ndërtuar është armiqësor me ta. Përfitimet mund të vijnë vetëm nga raportet direkte me qeverinë dhe mundësisht familjen e kryeministrit. Kjo vret çdo shpresë për lirinë ekonomike dhe sigurinë për të bërë biznes në këtë vend. Ky është një shembull po aq i keq, sa mënyra me të cilën bandat e lidhura me familjen e kryeministrit hoqën me dhunë nga biznesi Kosta Trebickën për ta përfituar vetë atë biznes, është po aq ilustrativ, sa rasti i Gërdecit, kur policia tatimore gjobiste një burrë të varfër që shiste Coca-Cola mbi një tavolinë te hyrja e fabrikës së vdekjes dhe nuk kontrollonte 200 punëtorë të pasiguruar brenda saj.

Çështja e gazetës “TemA”, e parë si biznes, pra, e parë jo-politikisht, është më e rëndë se vetë çështja politike që prodhon. Është më e rëndë, pasi na shpalos një realitet tjetër për biznesin në Shqipëri dhe perspektivën e lirisë ekonomike në këtë vend. Na dëshmon se nuk kemi qeveri, por vetëm kryeministër, na dëshmon se nuk kemi ministër të Ekonomisë, por një manekin të kapur që rri gatitu para çdo urdhri shkatërrues për ekonominë dhe shpërblehet për këtë politikisht, na dëshmon se nuk kemi shtet ligjor, por një kanun hakmarrës që lexohet sipas oreksit ditor të kryeministrit. Për këtë arsye, e parë jo-politikisht, çështja e gazetës “TemA” është shumë herë më e rëndë. Është shumë herë më e rëndë, pasi në fund të fundit dëshmon standardin e shoqërisë ku jetojmë. Dhe nëse pranojmë se jetojmë në një shoqëri, ku në vend të ligjit sundon hakmarrja, unë jam i detyruar të pranoj se e meritojmë këtë ndëshkim. Ne realisht ia kemi bërë borxh kryeministrit dhe familjes së tij dhe ndëshkimi në shoqëri të tilla është normal. Por duhet të mos gënjejmë veten për shtetin ligjor, lirinë ekonomike, klimën pozitive ndaj biznesit dhe lirinë e medias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›