Dhunohet para ambienteve të redaksisë zv/kryeredaktori i gazetës “Albania”
Para mjediseve të gazetës “Albania” dhe televizionit “Vizion Plus”, në mesditë, është ushtruar dhunë në mënyrë barbare ndaj zëvendëskryeredaktorit të gazetës “Albania”, Luan Kondi, nga katër persona të panjohur. Sapo ka dalë nga taksia, për të hyrë në mjediset e gazetës, njëri prej personave e ka pyetur gazetarin, nëse punonte në gazetën “Albania” dhe sapo zëvendëskryeredaktori i ka pohuar se punonte në këtë gazetë, dy prej personave i janë turrur atij duke e goditur me grushte. Pas goditjeve të para Kondi ka rendur pas tyre duke iu kërkuar arsyet e këtij veprimi, duke i pyetur se cilin person kërkonin dhe pse po e goditnin. Të katër personat i janë kthyer me dhunë dhe me shumë mllef, duke i shkaktuar plagë të rënda në fytyrë. Personat e panjohur janë larguar më pas me automjetin e tyre, pasi kanë lënë mesazhin se do t’ua tregonin qejfin “atyre të “Albania”-s”. Zëvendëskryeredaktori i gazetës, Luan Kondi, ka marrë plagë përreth syrit si pasojë e goditjeve.
Pasi kanë kryer sulmin, katër personat janë larguar me automjetin e tyre tip “Mercedes Benz”, ndërsa është mundur të sigurohet targa e tyre dhe i është dhënë strukturave përkatëse policore për të ndjekur hetimin. Fill pas sulmit Kondi ka bërë denoncimin në Komisariatin e Policisë Nr. 3 të kryeqytetit. Po ditën e djeshme janë vënë në dijeni drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët e pritën me shqetësim ngjarjen dhe premtuan zbardhjen e menjëhershme të saj. Pas dhunës së ushtruar forcat policore të zonës kanë treguar një interesim pasditen e djeshme, duke kontaktuar disa herë me Kondin.
Stafi i gazetës “Albania” shprehu shqetësimin dhe indinjatën e tij të thellë lidhur me këtë akt dhune dhe kërkon zbatimin e ligjit nga strukturat shtetërore, identifikimin e autorëve, si dhe zbardhjen e motiveve të vërteta të sulmit dhe dhunës barbare, të cilën ata e ekzekutuan në mes të ditës dhe në mënyrë demonstrative përpara godinës së redaksisë së gazetës. Gazeta “Albania” iu kërkon publikisht gjithë strukturave përkatëse shtetërore që të punojnë për të sqaruar arsyet e kësaj dhune shtazarake dhe mizore ndaj një gazetari dhe zëvendëskryeredaktori, si dhe të zbardhë motivet dhe qëllimet që fshihen pas këtij akti. Ndërkohë, gazeta “Albania” siguron lexuesit e saj se do të vazhdojë të jetë e përqendruar në kryerjen e misionit të saj publik për informimin e qytetarëve shqiptarë për të gjitha çështjet e rëndësishme që lidhen me interesat dhe të drejtën e tyre për t’i mësuar.
Gazeta “TemA” nga ana e saj bashkohet me shqetësimin e kësaj gazete dhe kërkon zbardhjen e ngjarjes, si dhe motiveve pas saj.