Pastrimi i bregdetit ngec në Vlorë
Përplasje mes policisë dhe rreth 200 banorë të lagjes “1 Maji” në qytetin e Vlorës. Shkak për situatën e tensionuar është bërë urdhri më i fundit nga Inspektorati i Ndërtimit për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Pyllit të Sodës. Banorët kanë bllokuar rrugën nacionale mëngjesin e djeshëm, si formë reagimi ndaj ndërhyrjes së Inspektoratit Ndërtimor Shtetëror, i cili kishte parashikuar të niste aksionin për prishje të rreth 100 objekteve që janë pa leje në këtë zonë. Protestuesit janë mbledhur fillimisht në afërsi të ish-repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë të Vlorës për të penguar ardhjen e fadromave, të cilët do të nisnin aksionin për prishjen e shumë objekteve, shtëpi, por edhe lokale e restorante, të cilat ndodhen në zonën e Pyllit të Sodës. Banorët kanë bllokuar rrugën, madje edhe janë konfrontuar me forcat e shumta të policisë që kanë shkuar në vendngjarje sapo janë njoftuar për protestën. Ata janë ulur në mes të rrugës dhe kanë bllokuar trafikun, i cili në atë hark kohor ka qenë tepër i ngarkuar. Banorët janë shprehur të vendosur për rezistencën që do t’u bëjnë vendimeve për shprishjen e objekteve, ndërkohë që dje aksioni nuk ka nisur dhe fadroma nuk është lejuar të vihet në punë.
Përplasja me policinëNë momentin që banorët kanë bllokuar rrugën, kanë ndërhyrë uniformat blu. Protestuesit nuk kanë pranuar të zhvendosen dhe kanë nisur të fyejnë dhe më pas të përleshen me forcat e rendit, duke i shtyrë dhe grisur uniformat. Më pas gratë nuk e kanë lejuar që të merren me dhunë burrat dhe djemtë që kishin bllokuar rrugën duke e rënduar edhe më shumë situatën. Nuk kanë munguar fyerjet me fjalë në drejtim të bluve, si edhe akuzat për llogari të Inspektoratit të Ndërtimit, qeverisë dhe Kryeministrit të vendit. Më tej situata është qetësuar me ardhjen e drejtorit të policisë së Qarkut të Vlorës, Ylli Metko, pas negociatave të të cilit është bërë e mundur hapja e rrugës dhe qetësimi i situatës. Por, gjithsesi, fadroma e ndërtimorëve nuk e ka nisur punën për prishjen e rreth 100 objekteve të ndërtuara në Pyllin e Sodës pas dhjetorit të vitit 2006. Vetëm tre prej protestuesve janë shoqëruar për një orë në komisariat dhe më pas janë lënë të lirë.
NdërtimorëtKryeinspektori i ndërtimorëve për Vlorën, Sokol Qehajaj, ka sqaruar për “Shqip” se janë rreth 100 objekte pa leje, të cilat do të prishen, mes të cilave 30 janë biznese, kryesisht lokale. Ai sqaroi se pronarët e këtyre ndërtimeve janë njoftuar më parë për aksionin. “Ne kemi bërë njoftimet dhe verifikimet përkatëse, e çdo individ që zotëron një objekt dhe e ka në proces legalizimi, ne nuk do të ndërhyjmë. Kriter përzgjedhës ka qenë fotografimi satelitor i vitit 2006 dhe harta e legalizimeve. Këto objekte për të cilat kemi nxjerrë urdhër shembje, nuk figurojnë në hartë dhe nuk janë pjesë e procesit të legalizimeve, pasi janë ndërtuar pas dhjetorit të vitit 2006”, tha Qehajaj. Kryeinspektori i ndërtimorëve për Vlorën u shpreh se aksioni nuk do të ndalet, pavarësisht reagimit të banorëve. Sipas tij, aksioni do të përfshijë jo vetëm Pyllin e Sodës, por edhe zonën bregdetare, e cila është parë si prioritare për pastrimin e saj nga objektet pa leje.
#