Pushimet verore, nis fluksi i kthimit të emigrantëve
Fundjava e dytë e qershorit ka sjellë në vend shumë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Që nga e premtja, numri i atyre që kanë hyrë nga pika e kalimit kufitar në Portin detar të Durrësit ka ardhur në rritje. Nga e premtja deri të dielën kanë shkelur tokën shqiptare 3937 shtetas shqiptarë, kosovarë dhe të huaj, ndërsa vetëm të dielën numri i tyre ka qenë 2046. Ndërkohë pritet që fundjavat e ardhshme të sjellin një fluks në rritje të emigrantëve që kthehen në atdhe për pushime, për të arritur pikun në fund të muajit korrik dhe fillim të gushtit.
Burime zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës bënë të ditur se ka nisur të ndjehet rritje në numrin e pasagjerëve që lundrojnë me tragetet e linjave detare që lidhin dy brigjet e Adriatikut. Burime nga agjencitë e lundrimit konfirmuan se kjo situatë është normale dhe pritet të njohë rritje në vazhdim. Bashkë me afro katër mijë pasagjerë në vend kanë hyrë dhe 1294 automjete. Targat e huaja dhe ato të Kosovës e Maqedonisë kanë nisur të shfaqen dukshëm në rrugët e Durrësit, duke rënduar qarkullimin rrugor në këtë zonë bregdetare kufitare.
Ndërkaq, nga porti detar bëhet e ditur se që nga e premtja dhe deri në mëngjesin e së hënës kanë dalë 1791 shtetas, shumica e të cilëve shqiptarë, si dhe 634 automjete. Edhe shumica e atyre që kanë hyrë në vend kanë qenë shtetas shqiptarë, ndërkohë që muaji i pushimeve, gushti, pritet të regjistrojë fluksin më të madh të lëvizjeve nga kjo pikë kufitare.
Janë kryesisht emigrantët shqiptarë dhe kosovarë ata që mbërrijnë në vend për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre, duke ndikuar dhe në futjen e një fluksi të mirë të ardhurash në vend.
#