Shpërthimet, banorët bllokojnë firmën
FIER/ MAJLINDA RAMA
Edhe një ditë pas shpërthimit duket se banorët e zonës së Zharrëzës dhe të Kuqarit, Patos, do të mbeten të palëkundur dhe të vendosur për t'i shkuar deri në fund zgjidhjes së çështjes së shpërthimeve. Pas pezullimit të punës dhe bllokimit të tre boteve në sektorin numër 9, banorët kanë nisur dje të tjera protesta. Në orë të veçanta të ditës, zakonisht në oraret kur përfaqësuesit e kompanisë "Bankers" shkonin në puset e naftës, banorët kanë bllokuar akset hyrëse. Ata tregojnë se grupe banorësh po bëjnë roje me radhë që të mos nisë puna e pezulluar që prej mbrëmjes të së premtes, ndërsa shprehen se të tjerët do të vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë. Banorët kanë pikasur pranë pusit që provokoi tronditjet disa punëtorë, duke u bindur më tej se ky ishte dhe shkaku i dëmeve. "Ishin gjashtë punëtorë që po injektonin ujë me solucion brenda në pus dhe vetë ata na pohuan se ky proces dha një tronditje shumë të fuqishme. Çfarë të kërkojmë më? Ky është rasti më flagrant", u shpreh Bardhosh Lule. Pasi kanë dëgjuar deklarimin nga punëtorët, banorët e Kuqarit duket se janë të vendosur të vazhdojnë ta mbajnë pezull pa afat këtë sektor nafte. "Nuk do të lejojmë që këtu të futet asnjë punëtor dhe automjet. Jemi të bindur se shpërthimet vijnë nga kompania, megjithëse herën e parë e përgënjeshtruan këtë fakt, duke thënë se ishte tërmet. Nuk do të lejojmë asnjë ndërhyrje tjetër derisa të merren masa. Jemi në pritje që kryetari i bashkisë së Patosit të kontaktojë me instancat më të larta, madje edhe me kryeministrin, ashtu sikurse na ka premtuar në takimet e mëparshme". Ndërkaq pas grumbullimit të banorëve, një përfaqësues i kompanisë naftënxjerrëse ka shkuar për të biseduar nga afër me banorët, por këta të fundit nuk kanë pranuar asnjë negociatë apo kompromis që do të mund të jetë në dëm të tyre. Ata kanë theksuar faktin se kërkojnë masa konkrete dhe jo bisedime false. Nisur nga ajo që ndodhi dhe në muajin korrik dhe nuk u gjet zgjidhje, banorët e fshatrave Zharrës dhe Kuqar kërkojnë me ngulm veprime konkrete. Veç dëmshpërblimit për dëmet që janë shkaktuar nga dy incidentet, ata kërkojnë që kompanitë naftënxjerrëse të mos stimulojnë mënyra për nxjerrjen e sasive të mëdha të naftës nga puset. Në këtë mënyrë, siç e kanë shpjeguar dhe specialistët, ndodhin shpërthime nëntokë, duke u përcjellë lëkundjet në zonën përreth. Përsëritja e këtij fenomeni të rrezikshëm për jetët e tyre ka bërë që banorët të ngrihen në protesta, këtë herë pa u ndaluar.