E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i parave, Task-Forca sekuestron 700 mijë euro

Kërkesa

Njësia antikorrupsion në Tiranë e quajtur Task-Forcë ka sekuestruar një pasuri prej 700 mijë eurosh, llogari bankare dhe prona të paluajtshme në pronësi të dy personave të cilët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të pastrimit të parave. Burime nga akuza qendrore deklaruan se emrat e personave të hetuar nuk bëhen të ditur, ndërsa materiali është referuar nga Drejtoria e Parandalimit të Parave në Ministrinë e Financës. Nga kontrolli i kësaj të fundit rezultoi se personat nuk mund të deklaronin prejardhjen e pasurisë me të ardhurat që dispononin. Burime nga prokuroria deklaruan se njësia e Task-Forcës në Tiranë ka bllokuar një llogari bankare me vlerë 400 mijë euro të një personi si dhe një llogari bankare me 130 mijë euro si dhe dy apartamente me vlerë nga 70 mijë euro për dy persona të tjerë. Ata dyshohet se pastronin para. Dosja është regjistruar në Prokurorinë e Tiranës për veprën penale të pastrimit të parave, ndërsa verifikimi i pasurisë e dyshuar se është ngritur nga vepra penale do të realizohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Seksioni “Antimafie” në këtë akuzë ka marrë në dorëzim materialet për hetim pasuror dhe këto ditë do të realizojnë një kërkese për bllokim pasurie ndaj të dyshuarve. Mësohet se njësia Task-Forcë në Tiranë i ka referuar Krimeve të Rënda tri dosje për hetim pasuror, që kapin vlera në miliona euro. Në një rast, prokuroria bllokoi vlerën 1.5 milionë euro, ndërsa në rastin e dytë ata bllokuan rreth 500 mijë euro të ardhura nga një vepër penale. Tashmë Krimet e Rënda marrin një tjetër dosje për hetim pasuror me një vlerë që arrin në 700 mijë euro.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›