Vrasja e atletit në Kamëz, kontroll pusit për pistoletën
Prokuroria dhe policia kanë marrë leje në gjykatë për të kontrolluar një banesë private në Kamëz të Tiranës, pasi dyshojnë se në pronën e shtetasit Avni Gasa ndodhet arma që i mori jetën atletit Hasan Rakipi. Ngjarja ndodhi më 6 shkurt të këtij viti ku një person iu afrua Rakipit dhe e goditi disa herë, duke i shkaktuar vdekjen. Pas ngjarjes, autori është larguar dhe grupi hetimor dyshon se arma, që është përdorur nga vrasësi, mund të jetë hedhur në pusin e shtetasit Avni Gasa. Për të kryer kontrolle, prokurorisë iu desh të merrte leje në gjykatë. Disa herë janë bërë kontrolle në atë zonë, por pa mundur të gjejnë armën e ngjarjes. Megjithatë kontrollet në atë pus nuk kanë përfunduar dhe grupi hetimor do të kthehet edhe një herë tjetër në banesën e Gasës, pasi gjatë kontrollit të parë nuk kanë mundur të thajnë pusin, pasi kishte një burim të madh uji.
Procedimi penalNë datën 6 shkurt 2010, në bazë të materialeve të ardhura nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr. 571, për veprën penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje të armës luftarake”. Më pas, në datën 8 shkurt 2010, në këtë procedim penal është regjistruar emri i shtetasit Avni Gasa, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Ky procedim penal bën fjalë për ngjarjen e datës 6 shkurt 2010, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Hasan Rakipi.
Sipas akuzës, në datën 6 shkurt 2010, rreth orës 17:30, në lokalin e shtetasit Avni Gasa, në Kamëz, është vrarë me armë zjarri, nga një person ende i paidentifikuar, shtetasi Hasan Rakipi, me banim në qytetin e Tiranës. Shtetasi Hasan Rakipi, rreth orëve të pasdrekës ka shkuar në lokalin e shtetasit Avni Gasa. Së bashku me këtë shtetas kanë qenë dhe shtetasit Skënder Hodja e Xhafer Koçi. Pasi kanë qëndruar për disa kohë në këtë lokal, të tre shtetasit e sipërpërmendur janë çuar nga tavolina për t’u larguar. Fillimisht nga lokali ka dalë shtetasi Xhafer Koçi, i cili është drejtuar për tek automjeti i tij, që ka qenë i parkuar pak metra larg lokalit. Shtetasi Hasan Rakipi është drejtuar për tek automjeti i shtetasit Skënder Hodja, i cili ishte i parkuar te trotuari që ndodhet përpara lokalit, përballë derës së jashtme të këtij lokali. Ndërsa shtetasi Skënder Hodja ka shkuar në tualetin e lokalit për nevoja personale.
VrasjaSipas akuzës Rakipi, fillimisht ka shkuar në pjesën e pasme të automjetit me targë TR 6534 N, pronë e shtetasit Skënder Hodja. Pasi ka futur një çantë në bagazhin e këtij automjeti, ky shtetas ka shkuar për të hapur derën e krahut të pasagjerit të automjetit. Në këtë moment, pranë tij është afruar një person, i cili me anë të një arme tip “pistoletë”, ka qëlluar mbi trupin e atletit Hasan Rakipi, duke i shkaktuar vdekjen. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar 6 copë gëzhoja luftarake. Në bazë të akt-ekspertimit kimik, teknik-balistik, nr. 1230, datë 09.02.2010, ka rezultuar se, gëzhojat objekt ekspertimi, janë qitur nga e njëjta armë luftarake, pistoletë e kalibrit 9 mm dhe automatik i kalibrit 9 mm. Duke qenë se pranë vendit të ngjarjes, ndodhet banesa e shtetasit Avni Gasa, e cila në oborrin e saj dhe pranë rrugës së këmbësorëve ka dhe një pus uji, që përdoret nga kjo familje, dyshohet se brenda tij mund të ndodhet arma e krimit, e cila mund të jetë hedhur nga autori i kësaj ngjarjeje, në momentin e largimit të tij nga vendngjarja.
Për këtë arsye, duke qenë se arma e krimit mund të jetë hedhur në këtë vend, Prokuroria ka kërkuar të lejohet kontrolli i banesës se shtetasit Avni Gasa. Nga shqyrtimi i kërkesës dhe akteve shoqëruese, në përfundim gjykata e gjeti kërkesën të bazuar në ligj duke ngarkuar oficerët e policisë gjyqësore për të kontrolluar. Mësohet se hetuesit kanë kontrolluar dhe nuk kanë mundur të thanin dot pusin dhe për këtë arsye kontrolli është lënë të zhvillohet këto ditë.
#