Dhuna ndaj Bazes, bodigardët në gjykatë
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Tiranës depozitoi dje në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy personave të ndaluar për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se është kërkuar vlerësimi i masës së sigurisë për shtetasit Bledar Bardhyl Lilo, 28 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë “Taçi Oil” dhe Irgen Arjan Selfo, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas prokurorisë, këta dy persona u ndaluan pak orë pas incidentit me gazetarin Mero Baze, në një lokal në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Akuza e ngritur ndaj dy të ndalurve, është “goditje për shkak të detyrës, në bashkëpunim”. Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj dy personave të dyshuar pritet të zhvillohen ditën e sotme, ende pa kaluar 48 orë nga momenti i ndalimit të tyre nga policia. Sipas prokurorisë, dy të ndaluarit nuk dhanë sqarime për ngjarjen, duke kërkuar të flasin në prani të avokatëve të tyre mbrojtës.
Taçi në kërkim
Organi i akuzës tha se masa e vendosur nga policia ndaj biznesmenit, Rezart Taçi, i cili është akuzuar në kallëzimin e Mero Bazes si pjesëmarrës në dhunën e ushtruar, ka karakter administrativ. Sipas prokurorisë, masa e kërkimit policor është një procedurë e cila sipas ligjit nuk kalon në gjykatë. Mbi bazën e saj policia mund të veprojë brenda një afati të caktuar pas të cilit ligji parashikon pushimin e saj. Burimet zyrtare të Prokurorisë nuk dhanë sqarime në lidhje me pozicionin e biznesmenit Rezart Taçi. “Çdo veprim ndaj këtij personi përbën sekret hetimor”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria, pasi u pyetën nëse do të kërkojnë në gjykatë vlerësim mase për biznesmenin. Ndërkohë organi i akuzës tha se po vazhdon hetimet për incidentin duke kryer një sërë veprimesh hetimore. Mjekësia Ligjore në Tiranë mësohet se është duke përfunduar raportin e saj në lidhje me dëmtimet fizike të pësuara nga gazetari. Ndërkohë prokuroria tha se raporti i mjekëve ligjrë është nuki është administruar në dosje ndërsa hetuesit janë në pritje të saj. Në varësi të shkallës së dëmtimit, Prokuroria tha se do të varen edhe masat e parashikuara nga ligji.
Incidenti me gazetarin
Policia e Tiranës ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur në një lokal në zonën e ish-bllokut në kryeqytet. “Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së hënë, specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve: Bledar Bardhyl Lilo, 28 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë “Taçi Oil” dhe Irgen Arjan Selfo, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë”, thuhet në deklaratën e policisë. Sipas saj, “arrestimi i këtyre dy personave u krye sepse dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Rezart Mustafa Taçi, 38 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë President i Kompanisë “Taçi Oil”, në ambjentet e brendshme të një lokali në rrugën “Brigada 8” në Tiranë, kanë goditur me grushte gazetarin Mero Guri Baze, 43 vjeç, lindur në Tepelenë e banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i medias së shkruar “Tema”. Policia sqaroi më tej se i dëmtuari Mero Baze, u dërgua menjëherë pas ngjarjes në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku pasi mori mjekimet e duhura u largua për në banesë.
Gazetarët, protestë para Kryeministrisë
Gazetarë të mediave elektronike dhe atyre të shkruara kanë protestuar dje në mesditë para Kryeministrisë ndaj dhunimit të botuesit të gazetës “Tema” dy net më parë nga biznesmeni Rezart Taçi. Të mbështetur edhe nga qytetarë të Tiranës, përfaqësuesit e mediave kanë bërë thirrje për respektimin e fjalës së lirë dhe ndalimin e pronarit të kompanisë “Taçi Oil”. Kryetari i Unionit të gazetarëve, Aleksandër Çipa theksoi gjatë protestës se, “ata që mendojnë se mund ta fusin nën kthetra median, sidomos fjalën e lirë, ata që mendojnë se do ta kërcënojnë gazetarin duke e mbajtur në një mjedis informal, ata që mendojnë se mediat shqiptare mund t’i përdhosin duke i goditur me dhunë, ata e kanë marrë provën në këtë tranzicion të gjatë se çfarë kurajo, durimi dhe vendosmëri do të ushtrojë komuniteti i gazetarëve profesionistë”. Ndërsa sipas analistit Andrea Stefani, “ne e bëjmë sot këtë miting për të treguar edhe një herë vendosmërinë në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të medias, pa të cilën nuk mund të ketë demokraci. Nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri në rast se media nuk do të ketë atë fuqi që kanë pushtetet e tjera. Në rast se pushteti i kryeministrit apo i biznesmenëve të kryeministrit apo të kujtdo tjetër do të përdoret për të mbytur fjalën e lirë, gabohen”. Botuesi Ylli Rakipi kërkoi nxjerrjen para drejtësisë të agresorit që dhunoi gazetarin, ndërsa Filip Çakuli akuzoi kryeministrin Berisha për këtë ngjarje. “Vetëm një agresor është, nuk kemi as pushtete as qeverisje. Është vetëm një agresor që ka një emër, që quhet Sali Berisha, i cili e ka treguar me fakte dhe me veprimtarinë e tij që është një agresor, jo vetëm ndaj gazetarëve. Është edhe kundër deputetëve. Ai ka sharë atje në Parlament nga nëna dhe nga motra dhe i ka thënë se do të të vras. Ai ka shembur Tiranën kur ka qenë në miting. Pra e ka treguar veten se është agresor i vetëm, ndaj ne duhet jo të ruhemi, por të fillojmë ta demaskojmë siç kemi bërë me fakte, me argumente, me profesionalizëm”, tha Çakuli. Në përfundim të protestës, pjesëmarrësit hodhën këpucë në drejtim të kryeministrisë.
Topi:Alarm për institucionet
Presidenti Bamir Topi tha dje se dhunimi i gazetarit Mero Baze duhet të ngrejë alarmin mes institucioneve. Duke folur në forumin e tretë për median në Evropën Juglindore: “Media, Marketing, Biznes dhe Media e re”, kreu i shtetit tha se “ngjarja e dhunimit të gazetarit duhet patjetër të ngrejë në alarm institucionet e shtetit. Gazetarët kanë nevojë të kenë një terren të lirë, por edhe nga ana e tyre gazetarët kanë nevojë të kenë integritet”. Por ai kritikoi njëanshmërinë e televizionit publik, duke thënë se media shtetërore është në shërbim të shtetit dhe jo të publikut. “Ka media që në mënyrë të qartë janë të profilizuar në një drejtim, janë ortake, sa që e ke të vështirë ndonjëherë të gjesh nëse janë ortake apo parti politike, pra një lloj jonit- venture që i shërben vetëm një linje dhe jo publikut dhe nga ky fenomen antidemokratik nuk janë të mbrojtura as mediat publike, të shkruara dhe vizive duke u kthyer në shërbëtore të pushtetit dhe jo të shtetit dhe aq më pak të shtetasve”, tha kreu i shtetit.