E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liverpulasi” Ager: “Kujdes, Shqipëria të fut në kurth!"



Qendërmbrojtësi i Liverpulit e Kombëtares së Danimarkës, Daniel Ager, tregoi respektin maksimal ndaj Shqipërisë, gjatë një konference shtypi të dhënë për mediat daneze në Helsinborg, ku në panel ishte dhe tekniku i skuadrës kundërshtare të kuqezinjve, Morten Olsen. Gjiganti 24-vjeçar (191 cm) e vlerësoi skuadrën tonë me nota pozitive. “Është një ekip i mirë për të luajtur për një barazim 0-0. Ata arritën të thurnin një “komplot” kundër Suedisë (0-0) dhe Portugalisë (0-0). Disa zona janë më të këqija se Shqipëria. Në Maltë e në fusha të tjera ata janë shprehur më mirë. Shqipëria është një kantier i ri futbolli”, - tha Ager, i cili e ka përmendur shumë shpesh emrin e Shqipërisë gjatë fjalës së tij. Sipas gazetës sportive daneze “Ekstra Bladet”, Ager shpreson në një fitore, e cila do të përmirësojë më shumë shpresat e Danimarkës për një vend në Kupën e Botës. Ai theksoi se fitorja në Portugali (1-2) ka rritur në maksimum popullaritetin e Kombëtares pas disa viteve letargjike. Lojtari i Liverpulit u ankua edhe për mediat daneze. “Për ju gjithçka është e bardhë apo e zezë. Kur gjithçka shkon mirë, të gjithë janë të lumtur, por kur gjërat shkojnë keq, atëherë gjithçka acarohet”.

Olsen trembet nga Skela e Berisha

Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, pret nga skuadra e tij të ngrejë një hap më lart cilësinë e lojës, kur Danimarka do të përballet të mërkurën në mbrëmje me Shqipërinë për kualifikueset e Botërorit.
Danezët mundën Maltën 3-0 të shtunën e kaluar, duke qëndruar sërish në vendin e parë të Grupit 1, së bashku me Hungarinë (nga 10 pikë), por me një golaverazh më të mirë.
Edhe pse mbeti i befasuar nga forma e lojtarëve maltezë, Olsen beson se Shqipëria do të ofrojë një lojë më cilësore gjatë takimit në Kopenhagen.
Molsen tha: “Shqipëria nuk ka në gjirin e saj lojtarë të shpejtë si Majkëll Mifsud e Endrju Kohën, ndaj të cilëve ne nuk kemi qenë ekipi i vetëm që kemi pasur probleme”.
“Shqipëria ka gjithashtu lojtarë të shpejtë, por jo super të shpejtë. Shqipëria në përgjithësi ka një ekip të mirë dhe lojtarë më të mirë, si për shembull Ervin Skela e Altin Lala.
“Ne gjithashtu njohim Besart Berishën, që luan për AC Horsens dhe ai është shumë i shpejtë, por jo sa maltezët”.
Sulmuesi i Danimarkës, Soren Larsen, shënoi dy herë kundër Danimarkës, por pranoi se në përgjithësi performanca e ekipit të tij nuk ishte ajo më e mira.
Ai tha: “Ne nuk luajtëm mirë kundër Maltës, por Shqipëria është një ndeshje tjetër. Unë jam i bindur se ne do të japim një përfaqësim te vetes sonë në këtë ndeshje”.
Niklas Bendter (gju) dhe Kristian Poulsen (kavilje) pësuan një dëmtim në “Ta’Qali”, por parashikohen të jenë të gatshëm për ndeshjen kundër Shqipërisë.
Trajneri Morten Olsen u shpreh optimist. “Të gjithë ne jemi të ‘uritur’ pas ‘lutjes’ së publikut tonë për të shkuar në Afrikën e Jugut. Unë jam i kënaqur që njerëzit kanë rezervuar tashmë biletat për ndeshjet hapëse në Afrikën e Jugut, por ende nuk e kemi siguruar plotësisht”, - tha Olsen, duke treguar sërish respekt për Shqipërinë gjatë konferencës për shtyp në Helsinborg.
“Në futboll, një aktor kryesor përveç lojtarëve është dhe publiku. Dhe ne jemi këtu (në krye të grupit) falë dhe mbështetjes së spektatorëve tanë. Ne duam të fitojmë ndeshjet, por dhe të luajmë një futboll të bukur”, - përfundoi trajneri i Danimarkës, Morten Olsen.

Berisha: “Ëndrra ime, gol Danimarkës”

Shqipëria e Danimarka do të përballen të mërkurën për kualifikueset e Kupës së Botës, ndërkohë që “djemtë kuq e bardhë” të Morten Olsenit nuk janë të sigurt për fitoren. Të paktën kështu i ka paralajmëruar përmes gazetës së madhe daneze “Ekstrabladet” sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Besart Berisha, i cili luan në kampionatin danez.
“Ne jemi shumë të motivuar, edhe pse e dimë se përballë do të kemi një ekip të mirë. Ne jemi një vend i vogël, por ne do të përpiqemi të krijojmë përshtypje të mirë në ‘Parken Stadium’.
Sigurisht që më jep mua personalisht një avantazh për shkak të njohurive që kam për futbollin danez. E di se ekipi Kombëtar është një skuadër e fuqishme me shumë lojtarë me përvojë e lojtarë të talentuar, por unë dua të theksoj edhe pse ne nuk mund të kemi lojtarë me profil të lartë, në ndeshjen e kthimit ne do të luftojmë për çdo top”, - tha sulmuesi i AC Horsens për ekstrabladet.dk menjëherë pas seancës së parë stërvitore të Kombëtares sonë në Danimarkë.
Besart Berisha vazhdon të japë intervista për të gjitha mediat daneze, duke dhënë edhe vlerësime për ekipin e “atdheut të tij të adoptuar”. Sulmuesi kosovar pranoi se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Besarti pohoi se ai ndihet shumë mirë fizikisht dhe ka një parandjenjë se Shqipëria do të kthehet në shtëpi me pikë nga Danimarka.
“Unë jam në Kopenhagen tani dhe është shumë këndshëm të dëgjoj gjuhën daneze sërish. Mezi pres të fillojë ndeshja dhe unë shpresoj se me paraqitjen time kundër Hungarisë do të fitoj një vend në formacionin fillestar kundër Danimarkës. Ne do të përballemi me një ekip të mirë danez dhe me lojtarë me eksperiencë, por ne do të punojmë shumë fort. Unë dëshiroj të shënoj gola, ashtu siç kam bërë edhe për Horsens. Ëndrra ime më e madhe është të shënoj kundër Danimarkës në Parken”, - tha ai.

Lorik Cana drejt Hamburgut?

Lorik Cana është në fokusin e Hamburgut, vendit të katërt të Bundesligës gjermane, me vetëm një pikë më pak se lideri i kampionatit, Herta e Berlinit. Sipas omplanete.fr, një faqeje të afërt me klubin e Olimpikut të Marsejës, Hamburgu po përgatitet t’u bëjë një ofertë zyrtare marsejezëve. Sipas asaj që shkruan Football365., një i dërguar i posaçëm i trajnerit Martin Jol ishte i pranishëm në takimin Shqipëri-Hungari. Kontrata e mesfushorit rikuperues marsejez skadon në vitin 2012. Ndoshta mund ta shohim Lorik Canën në kampionatin gjerman sezonin e ardhshëm, pasi në gjurmët e shqiptarit është dhe Bajerni i Munihut. Lorik Cana nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit të Kombëtares shqiptare, Ari Han, për ndeshjen e rëndësishme kundër Danimarkës, për shkak të kartonit të verdhë të marrë kundër Hungarisë. Aktualisht, Cana ka nisur stërvitjen me ekipin e tij në kuadër të ndeshjes së të dielës kundër Saint Etien në kampionatin francez. Marseja ndodhet në vendin e dytë me një pikë më pak se Lioni kryesues.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›