E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi, letër Ramës, kërkon projektin e Unazës së Madhe



Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit i kërkon zyrtarisht kryetarit të bashkisë projektin e Unazës së Madhe të Tiranës. Ministri Olldashi, pasi i ka bërë thirrje në mënyrë publike kryebashkiakut Rama për të dorëzuar projektin e Unazës pranë kësaj ministrie, ka preferuar t’ia bëjë këtë kërkesë në mënyrë të protokolluar. Ministri Olldashi ka nisur dje në adresë të Bashkisë së Tiranës një letër drejtuar kryetarit të saj, Edi Rama. Me anë të kësaj letre, ministri Olldashi i kërkon Ramës që ai t’i vërë në dispozicion dikasterit që ai drejton, projektin e Unazës së Madhe Tiranë për financim nga ana e MPPTT-së. Olladashi i ka kujtuar Ramës se rreth gjashtë muaj më parë bashkia i ka kërkuar MPPTT-së të garantojë shpronësimin e aksit të Unazës së Madhe, kërkesë kjo e pranuar nga ana e ministrisë. Por deri më tash asgjë s’ka lëvizur në drejtim të realizimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm. Bashkia ende s’ka siguruar fondin duhur që do të mundësonte ndërtimin e rrugës. Nisur nga ky fakt Olldashi shpreh shqetësimin Ramës që bashkia nuk ka bërë asnjë zhvillim pozitiv për sa i përket garantimit të fondit, i cili do të mundësonte ndërtimin e kësaj unaze. “Pamundësia juaj për të realizuar këtë projekt nuk është arsye e mjaftueshme për të mbajtur peng qytetarët e Tiranës. Ju kërkojmë të na vini në dispozicion projektin e Unazës së Madhe në mënyrë që MPPTT-ja me fonde të buxhetit të shtetit, të fillojë menjëherë ndërtimin e saj”, - shkruan në letrën e tij drejtuar Ramës ministri Olldashi. Vetëm dy ditë më parë, ministri Olldashi në një dalje publike i bëri thirrje kryebashkut Rama për të njëjtën gjë, që të dërgonte në ministri projektin e Unazës së Madhe, pasi qeveria garanton financimin për shpronësimin dhe ndërtimin e këtij aksi. Ndër të tjera Olldashi ka deklaruar se prej kohësh qeveria ka shprehur gatishmërinë e saj për të përballuar shpenzimet e shpronësimeve për Unazën e Tiranës, duke qenë se vlera e shpronësimeve është një vlerë e madhe që do të rëndonte buxhetin e bashkisë. Në deklaratën e tij të para dy ditëve, Olldashi tha se një nismë e tillë merret nga qeveria për të lehtësuar buxhetin e bashkisë së kryeqytetit, duke marrë përsipër që këtë kosto ta paguajë ajo. Në buxhetin shtesë që ka pasur MPPTT-ja në mesin e vitit të kaluar, ka pasur shumën prej 2 miliardë lekësh të reja për të qenë kryesisht të destinuara për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Tiranës, vlera e të cilit shkon 1.2 miliard lekë, por këto lekë është dashur të rialokohen në fund të vitit te kapitulli i investimeve për shkak se nuk u përdorën dot. Këto fonde nuk u përdorën, pasi Bashkia e Tiranës ka bllokuar projektin për ndërtimin Unazës së Madhe të Tiranës.

Eagle Mobile shpërndau dhuratat për 2369 fituesit e fushatës së dhjetorit

Eagle Mobile, kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, shpërndau sot dhuratat për 360 abonentët fitues të fushatës së muajit dhjetor. Po ashtu 2009 abonentë fituan nga 100 SMS falas për t’u përdorur mes datave 01-31 Janar 2009. Ceremonia e dorëzimit të dhuratave është bërë në prani të noterit dhe mediave në zyrat qendrore të kompanisë në Tiranë. 100 prej abonentëve përfituan nga një laptop HP 550 së bashku me USB Modem dhe një vit internet falas, ndërkohë që 260 abonentë të tjerë fituan nga një telefon celular, 10 prej tyre Samsung SGH780 dhe 250 të tjerë Samsung C520. Në ceremoninë e shpërndarjes ishte i pranishëm zv.drejtori i përgjithshëm Eagle Mobile, Sven Aksel Brudnicki, i cili gjatë prononcimit të tij për gazetarët theksoi se Eagle Mobile nuk di vetëm të premtojë, por edhe ta mbajë fjalën e dhënë. “Jo më kot zgjodhëm të jepnim këto dhurata. Duke dhuruar 100 kompjuterë portabël, ne nxisim abonentët tanë dhe të gjithë shqiptarët që të përdorin internetin në të gjithë Shqipërinë me anë të teknologjisë më të fundit. Kjo është një ndihmë në shtimin e përdoruesve të internetit nga familjet shqiptare. Surprizat e kompanisë sonë do të vazhdojnë edhe më tej”, - nënvizoi Brudnicki.

Më 31 dhjetor 2008, vetëm pak orë para mbërritjes së Vitit të Ri, fituesit u përzgjodhën në një ceremoni e cila u transmetua në disa kanale televizive. Abonentët e shpallur fitues do të mund të përdorin internetin e ofruar nga Eagle Mobile nëpërmjet pajisjes Eagle USB Modem kudo ku ndodhen në Shqipëri. Së bashku me kompjuterin portabël HP 550, ata do të kenë mundësinë të lundrojnë në internet, në të gjithë territorin e vendit që Eagle Mobile mbulon me sinjal. Eagle Mobile tashmë mbulon 97% të popullsisë dhe 90,7 % të territorit të Shqipërisë. Me një ecuri shumë pozitive, Eagle Mobile shënon tashmë më se 270 mijë abonentë në këtë nisje të vitit 2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›