Prokuroria: Britaniku u masakrua për tu grabitur
Mario Pjetrushaj e Arlindj Vuka në prokurori: I bëmë ftesë për të pirë marijuanë dhe më pas e masakruam
LEZHË- Vrasja makabre e 21- vjeçarit anglez Edward Craythorne në fillim të këtij viti në Lezhë ka mbërritur në gjykatë. Prokuroria lokale ka mbyllur hetimet, duke cilësuar si fajtorë dy “shokët” e britanikut, Mario Pjetrushaj dhe Arlind Vukaj. Ata akuzohen për vjedhje me pasojë vdekjen dhe fshehje të kufomës. Historia që tronditi për shumë kohë qytetin e Lezhës, por edhe të gjithë Shqipërinë ka nisur më datë tre shkurt të këtij viti. Atë ditë Edward Craythorne po bëhej gati për t’u larguar nga Shqipëria, pasi kishte qëndruar për disa muaj tek e ëma dhe e motra. Por pasi ka dalë në mëngjes nga shtëpia, ai është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
Vrasja
Disa fëmijë zbuluan rastësisht 18 ditë më pas trupin e pa jetë të viktimës brenda një pusi në Shëngjin. Policisë i janë dashur disa kohë për të identifikuar viktimën por më pas ishte e ëma dhe e motra që pohuan se bëhej fjalë për njeriun e tyre. Zbardhja e ngjarjes nuk ka qenë edhe aq e thjeshtë, pasi i vetmi dëshmitar okular i “zhdukjes” së britanikut ishte shoku i tij, njëkohësisht autor i krimit, Marjo Pjetrushi. Ai ka bërë denoncimin në polici dhe gjatë të gjithë kohës ka qëndruar me familjen e viktimës, duke u përpjekur që ta ndihmojë atë. Por dëshmitë e Pjetrushit kanë bërë që policia të ngrejë disa dyshime serioze. Ai pohonte se britaniku ishte larguar me një makinë me targa të Tiranës, por kjo nuk konfirmohej nga asnjë dëshmi tjetër. Disa ditë më pas, policia e Lezhës arrestoi Marjo Pjetrushin dhe ky i fundit u dorëzua në komisariat duke pranuar krimin e kryer së bashku me Arlind Vukaj. Sipas materialeve të dosjes hetimore, këta dy persona kanë pasur njohje me 21-vjeçarin Edward Craythorne dhe kanë qenë me të në ditën që ai u zhduk. Nga hetimet është mësuar se vrasja e anglezit është kryer për grabitje dhe se dy të arrestuarve u janë gjetur një orë dhe një varëse floriri të viktimës.
Dëshmia
I arrestuari tjetër, Arlind Vukaj, është vënë përballë trupit të viktimës dhe në këtë moment ka ritreguar me detaje të gjithë ngjarjen. Sipas dëshmisë që ndodhet tashmë në dosjen e dorëzuar në gjykatë, Vukaj ka deklaruar se “për ta marrë shtetasin anglez dhe për ta çuar në një vend të izoluar duhej një njeri i njohur, kështu që për këtë detyrë shërbeu Marjo Pjetrushi, i cili e njihte atë dhe kishte madje dhe hyrje-dalje familjare me të”. Sipas tij, shtetasi anglez Edward Craythorne është bindur të largohet me dy djemtë, ndërsa këta të fundit e ftuan që së bashku të pinin marijuanë. “Pasi ka dalë në shëtitje me ne, në datën 2 shkurt 2008, ne i bëmë ftesë që të ecnim në vijën bregdetare sipër portit të Shëngjinit për të pirë ndonjë cigare marijuanë. Ne i sqaruam atij se duhet të futeshim sa më në thellësi, duke i thënë se nëse policia do të na kishte kapur duke pirë marijuanë, atëherë rrezikonim nga njëzet vite burg secili. Kur i thamë kështu, ai vazhdoi të ecte pa e vrarë shumë mendjen”, - thuhet në dëshminë e Vukajt. Më pas ata e kanë qëlluar me sende të forta në kokë dhe e kanë fshehur trupin në pusin e braktisur me shpresën se askush nuk do ta merrte vesh historinë e britanikut të masakruar në Shqipëri.