Video-përgjimi, Meta çon Prokurorinë në Gjykatë
Tiranë- Avokatët e ish-zv.kryeministrit, Ilir Meta, i janë drejtuar Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, për caktimin e ekspertit të video-përgjimit Meta-Prifti. Sipas kërkesës që pritet të hidhet në short të mërkurën, dy avokatët kërkojnë shpalljen e pavlefshmërisë së akt-ekspertimit të ekspertit amerikan, pasi sipas tyre, nuk është respektuar Kodi i Procedurës Penale, i cili parashikon edhe rastet e caktimit të ekspertëve. Avokatët kanë argumentuar se Prokuroria e Përgjithshme ka marrë vendim për caktim eksperti dhe ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm tek eksperti privat, duke anashkaluar kështu procedurën, e cila parashikon qartë si veprohet në këto raste. Sipas kërkesës, që tashmë ndodhet në Gjykatën e Lartë, thuhet se vendimi për caktimin e ekspertit bie në kundërshtim me Kodin e Procedurës, pasi Prokuroria e Përgjithshme nuk ka dërguar letër-porosi nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë. Por duke qenë se rasti është cilësuar si urgjent, ka vendosur të caktojë ekspert privat dhe të mbajë kontakte të drejtpërdrejta me të, duke anashkaluar kështu Ministrinë e Drejtësisë, por edhe institucionet homologe të Prokurorisë së Përgjithshme, siç mund të ishte një Gjykatë apo një Prokurori në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku ndodhet edhe eksperti. Sipas avokatëve, eksperti privat nuk është betuar para një gjykate dhe nuk mban asnjë përgjegjësi penale në rast të ekspertimit të rremë. Për të gjitha këto arsye, avokatët i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë të shpallë të pavlefshëm akt-ekspertimin e ekspertit amerikan që mori në dorë video-përgjimin mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit Dritan Prifti. Kërkesa e avokatëve, që kundërshtojnë provën më të fortë të dosjes, vjen pikërisht kur çështja është nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme. Bashkë me të, organi qendror i akuzës po heton edhe videon e zbuluar nga eksperti amerikan, ku shfaqet ish-ministri Prifti dhe ish-zëvendësi i tij, Leonard Beqiraj, duke ndarë mes tyre shumën prej 70 mijë eurosh.