Pasuria në Greqi dallohet gjithkund, por jo te taksat
Në rrethinat e të pasurve në veri të Athinës, vetëm 324 familje deklaruan pranë zyrës së taksave vitin e kaluar se posedojnë një pishinë në shtëpi. Zyrtarët e taksave studiuan foto satelitore të zonës, ku gjenden shumë vila luksoze të fshehura para mureve të larta dhe numëruan 16974 pishina. Kjo është një lloj fshehjeje masive e pasurisë që tregon shkallën e paimagjinueshme të evazionit fiskal në këtë vend. Evazioni ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në krizën aktuale të borxhit. Tani autoritetet po përpiqen më shumë se kurrë më parë të gjurmojnë dhe ndëshkojnë rastet e evazionit fiskal. Studime të ndryshme tregojnë se qeveria greke humbet çdo vit 30 miliardë dollarë, si pasojë e evazionit fiskal, një shifër që mjafton për të zgjidhur problemet e borxhit publik.
“Ne kemi nevojë të rritemi”, thotë Ioannis Plakapoulos, i cili punon si gazetashitës dhe tani e tutje do të duhet të lëshojë fatura fiskale. “Ne duhet të mësojmë të mos mashtrojmë dhe të mos lëmë të tjerët të mashtrojnë me taksat”, shton ai. Greqia gjendet në ditën e vet më të zezë tani që ka pranuar ndihmën e FMN-së dhe programin e ashpër të shkurtimit të shpenzimeve publike. Të gjithë e kanë të qartë se lufta kundër evazionit nuk do të jetë e lehtë. Ekspertët besojnë se ajo është pjesë e një kulture më të gjerë korruptimi dhe mitëmarrjeje të ngulitur thellë. Plakapoulos, i cili mbështet shumicën e masave të qeverisë, pranon se ai dhe miqtë e tij kanë përdorur të gjitha mënyrat për të shmangur pagesën e taksave.
Grekët shumë shpesh paguajnë doktorët për të marrë përkujdesjen e duhur shëndetësore, një praktikë e njohur si “fakelaki”, që në greqisht do të thotë, zarf i vogël. Edhe korruptimi i zyrtarëve të shtetit për të lehtësuar procedurat burokratike është aq fenomen i përhapur, sa njerëzit e zakonshëm dinë edhe tarifat përkatëse. Për të kaluar kontrollin teknik të automjeteve kërkohen 300 euro. Sipas zyrtarëve, evazorët më të mëdhenj fiskalë janë të vetëpunësuarit, një numër i stërmadh njerëzish në këtë vend të karakterizuar nga biznese të vogla. Evazorët nuk janë vetëm shoferë taksie, pronarë restorantesh apo elektricistë, por edhe inxhinierë, arkitektë, avokatë e doktorë. Mashtrimi është shpesh lehtësisht i dallueshëm. Kur zyra e taksave analizoi të dhënat e 150 doktorëve që kanë zyra në lagjen e pasur Kolonaki, ku gjenden edhe dyqanet “Prada” e “Chanel”, më shumë se gjysma e tyre rezultoi se kishin deklaruar të ardhura më të pakta se 30 mijë euro. Tridhjetë e katër deklaruan të ardhura prej 10 mijë eurosh, një shifër që i përjashton nga pagesa e çdo lloj takse. Të gjithë e dinë se me të ardhura të tilla, nuk jeton dot në një lagje të pasur, pasi nuk arrin të paguash as qiranë.
“Ka shumë njerëz në këtë vend që kanë shtëpi në qytet, shtëpi fshati, dy makina e ndoshta një varkë të vogël, por pretendojnë se fitojnë vetëm 12 mijë euro në vit”, thotë Ilias Plaskovitis, zyrtari i Ministrisë së Financave, përgjegjës për luftën kundër evazionit. “Me aq pak të ardhura nuk ke para as të paguash ngrohjen e shtëpisë apo benzinën e makinës”, shton ai. Qeveria greke i ka vënë detyrë vetes të mbledhë së paku 1.5 miliardë euro më shumë taksa këtë vit, një objektiv modest ky, sipas Plaskovitis. Por zyrtarët e Bashkimit Europian janë shumë skeptikë. Ata nuk lejuan që ky objektiv të merret si i mirëqenë në parashikimin për deficitin buxhetor. “Ata thonë, ‘po, po, e kemi dëgjuar edhe më herët këtë histori por nuk ka ndodhur kurrë’”, shton ai. Gjatë dekadës së fundit gjërat duket se janë përkeqësuar në vend që të përmirësohen. BE vëren se nga viti 2000 deri në 2007, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Greqisë u rrit me 8.25 për qind, ndërsa të ardhurat nga taksat u rritën me vetëm 7 për qind.
#