E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patenta false edhe për kinezët e turqit

 

Prokurorët e "Task Forcës" zbulojnë mbi 100 patenta të parregullta. Shtohen provat kundër instruktorëve dhe komisionerëve

Pesë të arrestuarit për falsifikim patentash kanë pajisur edhe shtetas të huaj, kundrejt rryshfetit 65 mijë lekë

TIRANË- Prokurorët e njësisë së "Task Forcës" zbardhin detaje të reja nga hetimi i dosjes së pesë të pandehurve, të cilët pajisnin qytetarët shqiptarë e të huaj me patenta për 65 mijë lekë të reja. Sipas burimeve zyrtare të prokurorisë mësohet se nga verifikimet e kryera në dokumentacionin e auto -shkollës "Univers Vip", me pronar të pandehurinKadri Doçijanë evidentuar mbi 100 patenta të lëshuara në mënyrë jo të rregullt. "Gjatë verifikimeve të kryera në autoshkollën e të pandehurit Doçi, janë sekuestruar mbi 100 praktika me dokumente të falsifikuara dhe të parregullta",-thuhet nga burimet. "Mes kursantëve që janë pajisur me patenta false janë edhe disa shtetas të huaj, si kinezë, turq, grekë dhe kosovarë, të cilët edhe pse nuk janë të pajisur me shtetësi shqiptare dhe janë vetëm rezidentë në Shqipëri, kanë marrë patenta shqiptare duke paguar shuma të ndryshme parash",-thuhet nga grupi hetimor i çështjes. Mësohet se prokurori i çështjes, Besnik Cani, një muaj pas arrestimit të pesë të pandehurve që "pajisën" me patentë themeluesin e Tiranës, Sylejman Pashën me kërkesë të agjentëve të policisë, po vazhdon zbardhjen e lidhjeve të kësaj autoshkolle me persona dhe kompani të tjera.

***

Sipas prokurorisë, pajisja e qytetarëve të ndryshëm me patenta nga të pandehurit është bërë kundrejt pagesave të ndryshme dhe falsifikimit të shumë dokumenteve zyrtare. "Pas verifikimit të këtyre dosjeve ka rezultuar se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar në mbi 100 raste të dhënat e personave të interesuar për patenta (kursantëve), si vendbanimet e tyre, arsimimin dhe në disa raste edhe gjeneralitetet e vërteta",-thuhet nga burimet. Nga hetimet ka rezultuar se drejtuesit e kësaj autoshkolle merrnin ryshfet nga aplikuesit nga 30 mijë lekë deri në 50 mijë të reja, përveç detyrimeve të tarifave të caktuara nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor në kryeqytet, duke iu shmangur në mënyrë të paligjshme procedurave ligjore (kurseve). Ndërsa personat që nuk paguanin shumat e kërkuara ngeleshin në provim, edhe nëse arrinin të fitonin vlerësimin me 100 pikë si në testin me shkrim, ashtu edhe në testin praktik. Sipas prokurorisë, pronari i autoshkollës "Universi VIP", Kadri Dajçi si dhe dy instruktorët e tij, Qazim Hoxha dhe Jonuz Meshi, janë arrestuar me akuzën e "dhënies së ryshfetit".

***

Autoshkolla u garantonte klientëve të saj se mund ta merrnin patentën, pa hyrë në kurs ose në testimin teorik dhe praktik. Në këmbim të kësaj, klienti duhej të paguante shumën prej 30 mijë lekë reja auto-shkollës për kursin dhe për përgatitjen e dosjes. Pjesën tjetër prej 35 mijë lekësh, kandidatët për të drejtuar automjetet duhej t'ia jepnin dy anëtarëve të komisionit. Pagesa kryhej nëpërmjet pronarit të autoshkollës si dhe prej instruktorëve, të cilët hynin në zyrat e dy komisionerëve. Arrestimi i tyre u krye një muaj pas hetimit intensiv në një lokal në rrugën "Muhamet Gjollesha", teksa të pesë të pandehurit po hanin darkë. Në momentin e arrestimit agjentët kryen kontrolle fizike edhe shtëpive të të pandehurve, ku gjetën dhe sekuestruan 7 milionë lekë shqiptare, 300 euro, 300 dollarë amerikanë si dhe një sërë dokumentesh të falsifikuara që shërbenin për plotësimin e dokumentacionit të kursantëve. Operacioni për arrestimin e tyre u kodua nga policia "Gërshërët e ligjit".

RASTI FLAGRANT

Sulejman Pasha u pajis me patentë

TIRANE - Sulejman Pashë Bargjini, që njihet si themeluesi i kryeqytetit, busti i të cilit qëndron në kryqëzimin e rrugës së "Barrikadave" dhe "Luigj Gurakuqit", është një ndër "shoferët" e pajisur me patentë nga Sokol Breça dhe Emiljano Kahu. Për të vërtetuar falsifikimet, agjentët e policisë kanë përdorur emrin e tij, duke e dorëzuar dosjen në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Sipas dokumenteve false, Sulejman Pasha rezultonte 39 vjeç, banues i Njësisë Bashkiake nr.7. Më tej, në muajin janar, Sulejman Pasha është bërë edhe me dëshmi aftësie për drejtim automjetesh. Rasti i Sulejman Pashës është bërë publik nga emisioni "Fiks Fare" në muajin janar. Nga ky rast ka marrë shkas hetimi për korrupsionin me dhënien e patentave. Dosja e Sulejman Pashës është sekuestruar nga oficerët si provë shkresore, por edhe si dëshmi për të treguar sesa abuziv dhe fals është procesi i dhënies së patentave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›