E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marijuana drejt Greqisë, fillon gjyqi ndaj shoferit

 Krimet e Rënda dorëzojnë në gjykatë akuzat dhe provat kundër Rikard Murtajt

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi fazën hetimore ndaj shoferit të linjës së autobusit Sarandë-Athinë, Rikard Murtaj, të cilit në fillim të muajt maj iu gjetën dhe sekuestruan në bagazhin e autobusit 118 kg hashash. Përfaqësuesi i organit të akuzës, pas mbarimit të hetimeve dhe përgatitjes së fashikujve për gjykim, dërgoi dosjen pranë togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë. Pas hedhjes në short elektronik, pesëshja e gjyqtarëve që do të gjykojë të pandehurin 36- vjeçar Murtaj, do të jetë e kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredini. Prokurorja Doloresa Musabelliu ka hetuar se i pandehuri Rikard Murataj ka konsumuar veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim. Ndërkohë, është provuar se i pandehuri Murtaj ka bashkëpunuar edhe me një person tjetër, të cilit i kanë dalë gjurmët e gishtit në 14 thasët e plasamasit të mbushur me 118 kg marijuanë. Arrestimi dhe sekuestrimi i drogës ndodhi në ditët e para të muajit maj të vitit të kaluar në operacionin e koduar të policisë "Stuhia e Detit". I pandehuri Murtaj ishte shofer i autobusit të linjës Sarandë – Athinë dhe që punonte për çdo ditë në këtë itinerar. Droga u konstatua nga qeni anti-drogë që ndodhej në pikë kalimin kufitar të Kakavijës, teksa autobusi po tentonte të kalonte traun e doganës shqiptare për në tokën greke. Vetë i ndaluari edhe pas përfundimit të hetimeve nuk ka pranuar se ka pas dijeni për hashashin që ndodhej në autobus, duke pretenduar se në këtë agjenci udhëtimesh është bashkë me tre ortakë të tjerë që bëjnë po të njëjtën linjë udhëtimi. Mësohet se autobusi me targa SR 5646 A, i linjës Sarandë-Athinë, ishte mbushur me pasagjerë dhe po shkonte në drejtim të Athinës, kur është ndaluar nga punonjësit e policisë kufitare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›