Shefi i policisë ndihmoi të kërkuarin të arratisej
ELBASAN- Ndihma për një të kërkuar, dy vite më parë, ka çuar në pranga shefin e Seksionit të Pastrimit të Parave në drejtorinë e policisë së Elbasanit. Ai është arrestuar pas hetimeve të kryera nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në një çështje në hetim. Gavrosh Sejdini, 53 vjeç, lindur në Peqin dhe banues në Elbasan dyshohet se në vitin 2006, kur punonte pranë seksionit të përgjimeve si oficer i policisë gjyqësore dyshohet se ka njoftuar një të kërkuar, duke ndihmuar që ai t'i shpëtojë kapjes nga policia. Akuzat ndaj tij janë shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
***
Hetimi është përmbyllur rreth orës 16.00 të ditës së djeshme, kur ish-kolegët e tij, oficerë gjyqësorë dhe prokurorë, i kanë vërtetuar akuzat para gjyqtarëve dhe kanë konfirmuar vendimin për arrest me burg. 53- vjeçari ishte rifutur në polici pak kohë më parë dhe kishte marrë një post të rëndësishëm në Elbasan, për shkak të një karriere të gjatë në polici, të ndërprerë nga reforma e vitit 2007, kur edhe mbetën të papunë shumë efektiva të policisë. Prokuroria e rrethit gjyqësor në Elbasan, në bashkëpunim me SHKB-në, pas hetimeve që kanë zgjatur disa ditë mbi një ngjarje të regjistruar 2 vjet më parë, kanë arritur në konkluzionet se shtetasi Gavrosh Sejdini, në kohën kur punonte si oficer i policisë gjyqësore në sektorin e përgjimeve ka ndërhyrë në hetimin e një ngjarjeje.
***
I larguar nga detyra nga reforma e fundit e policisë, Sejdini është rikthyer në detyrë një muaj më parë, këtë herë si shef i Seksionit të Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Elbasan, me gradën kryeinspektor.
Nisur nga provat e grumbulluara, gjykata e rrethit Gjyqësor Elbasan me kërkesë të prokurorisë për Sejdinin ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg". Akuzat që rëndojnë mbi të janë shpërdorim detyre parashikuar nga neni 248 i kodit penal dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, prashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Struktura e SHKB-së pranë drejtorisë së Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë janë në vazhdim të hetimeve për këtë rast për të zbardhur të gjitha provat që e implikojnë 53- vjeçarin për akuzat e ngritura ndaj tij.