E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: “Prokurimeve publike për vitin 2009 u përfundoi afati”



Qeveria u jep fund prokurimeve publike për këtë vit, kjo për shkak të grumbullimit të atyre pak fondeve që kanë mbetur ende të pashpenzuara pas pjesës së parë të vitit dhe fushatës elektorale. Zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu, deklaroi dje se për vitin 2009 nuk do të lejohen më të kryhen prokurime publike, pasi synohet realizimi i shpenzimeve të parashikuara në projekt. Në një prononcim për mediat, Shehu tha se tenderët për projekte të veçanta do të kryhen vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas tij, në varësi të rëndësisë dhe garancisë që institucionet do të japin për të shpenzuar, qeveria do të lejojë tenderimin. "Me këtë masë nuk parashikohet ndonjë kursim në buxhet por thjesht synohet të kryhet shpenzimi i shpërndarë në kohë gjatë gjithë vitit, për sa i përket investimeve",- deklaroi Shehu. I njëjti udhëzim i ministrit të Financave paralajmëron ulje të shpenzimeve për gati të gjitha ministritë, kjo në kuadër të rishikimit të realizimit të Buxhetit të vitit 2009.

Kreditë shtetërore për të pastrehët, Ministria e Financave zeron interesat

Qeveria heq interesat e kredive prej 3 për qind për rreth 5 mijë të pastrehë në të gjithë vendin. Sipas udhëzimit më të ri të Ministrisë së Financave të pastrehët do të paguajnë vetëm shumën e kredisë, ndërsa interesat e tjera do të paguhen nga shteti. Deri para ndryshimit të udhëzimit, interesi i kredisë që merrej nga të pastrehët paguhej 3 për qind nga veta ata, ndërsa pjesa tjetër nga shteti. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, kosto financiare për zbatimin e këtij udhëzimi llogaritet rreth 300 milionë lekë. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ajo e Financave nisën zbatimin e projektit për strehimin e familjeve, kontigjent i cilësuar si të pastreha. Komisioni i Vlerësimit, pranë MPPTT-së ka përzgjedhur Bankën Kombëtare Tregtare për menaxhimin e projektit të kredisë së strehimit.

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›