E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi çështjen kombëtare shqiptare

Kisha vënë re se një historian i huaj, në bisedat e herëpashershme me mua, nuk i përdorte për shqiptarët termat albanitet dhe albanizëm ashtu siç bën me grekët, ta zëmë, për nocionet helenicitet e helenizëm. Kjo më shtyu ta pyesja një ditë, por të merrja një përgjigje të padëshiruar.

Atij i kishte rënë në vesh se disa intelektualë kanë zënë të pretendojnë se, pas Luftës II Botërore, në Shqipëri dhe në Kosovë janë formuar dy realitete kombëtare të ndryshme dhe se shqiptarët e Kosovës, për nga identiteti, na qenkan tashmë "kosovari", "shiptari", me theks në rrokjen e parë të fjalëve. Po, ata janë ngritur dhe kanë shpallur se nuk janë "albanci", shqiptarë, por "shiptari". Çka është më tepër, disa syresh kanë zënë të shkruajnë në dialektin gegërisht.

Nëse kjo është e vërtetë, ata u kanë mbajtur ison teoricienëve shovinistë serbë si Gjorgjeviç, Tomiç, Cvijiç e sa e sa të tjerë, që kanë punuar sistematikisht për formimin e opinionit, në Kosovë e në botën mbarë, se shqiptarët e Kosovës na paskëshin qenë sllavë, që qenkan "arnautizuar" apo shqiptarizuar gjatë sundimit të përbashkët turk.

Këto që thuhen në Evropë për ata intelektualë shqiptarë nga Kosova ndoshta janë të ekzagjeruara, por marrin karakter politik, antikombëtar. Prandaj duhet të kihen parasysh, sepse njoftime të këtilla marrin dhenë. Ndoshta në përhapjen e një lajmi të këtillë ka gisht serbi, ashtu siç nuk mund të përjashtohet mundësia të jetë i implikuar greku në incidentin e para pak ditëve në Himarë. Ata janë mësuar të hedhin gurin dhe të fshehin dorën. Atyre u intereson të formojnë për shqiptarët dhe Shqipërinë një imazh të rremë dhe të përçudshëm në botë.

Një komb tjetër shqiptar nuk mund të krijohet për disa dhjetëvjetësha. Në kuptimin juridik të fjalës, komb quhet një entitet abstrakt, kolektiv dhe i padukshëm, që ndryshon nga individët përbërës dhe ushtron sovranitet të plotë mbi ta.

Populli shqiptar përbën një komb të këtillë. Shqiptarët përbëjnë komb etnik, të lindur dhe të formuar në një realitet historik të mëparshëm. I gjithë ky komb ka origjinë të përbashkët ilire, shumë të largët në kohë. Shqiptarët nuk i kanë zgjedhur prindërit dhe gjyshërit e stërgjyshërit e tyre mes individëve të tjerë, ashtu si nuk i zgjedhin tani fëmijët dhe nipërit e stërnipërit e tyre mes fëmijëve të tjerë.

Kombi etnik shqiptar përmban dhe trashëgimi etnike dhe formim kombëtar historik. Ndryshe nga disa kombe të tjerë të Evropës, i gjithë kombi shqiptar bazohet në nocionin e etnisë, që mbështetet në një nocion tjetër, të pandashëm: gjuha e përbashkët shqipe. De Rada, Jani Vreto, Pjetër Zarishi, Thimi Mitko etj., pararoja e paraardhësve tanë, para formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e kanë kuptuar rëndësinë e përhapjes së dijes dhe kulturës në gjuhën e përbashkët, për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ata kanë hedhur themelet e kulturës së përbashkët kombëtare për orientimin e popullit shqiptar drejt Rilindjes Kombëtare. Ata kanë kapërcyer me sukses ndryshimet gjuhësore me karakter dialektor, si dhe variantet e shkrimit. Kultura e popullit shqiptar është emancipuar si kulturë kombëtare që në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë kulturë kombëtare, shqiptarët kanë bërë botërisht vetëpohimin e tyre kombëtar. Ndërkohë çështja e kulturës ka depërtuar në sferën politike. Përmes kësaj të fundit, patriotët shqiptarë kanë zgjidhur problemet e identitetit kombëtar dhe u janë kundërvënë propagandave të huaja antishqiptare.

Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare shqiptare, formimi i identitetit kombëtar dhe lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nuk janë as ndër të parat, as ndër të fundmet në Evropë.

Kombi etnik shqiptar nuk ka pluralizëm të brendshëm si Franca, e cila u imponon konformitet individëve, që e formojnë. Prandaj dikotomia - ndarja e kombit shqiptar në dy a tre kombe të ndryshëm - është e pamundur në masën, që nuk mund të ndahen në dy a tri pjesë origjina ilire e shqiptarëve, gjuha e përbashkët shqipe, formimi kulturor etnik i kombit shqiptar, identiteti kombëtar shqiptar.

Çdo komb implikon një territor dhe simbolik dhe fizik, ku të mund të jetojë e gjithë bashkësia e individëve, që e përbëjnë. Pra, Shqipëria, atdheu i shqiptarëve, duhet të përfshijë gjithë hapësirën gjeografike shqiptare, pa asnjë ndërprerje. Por, gjatë viteve 1913-1939 kombi shqiptar jetoi i copëtuar në tri pjesë, të formuara në funksion të evolucionit politik të Ballkanit jugor, në simbiozë të ngushtë me projekte politike, të huaja dhe armiqësore për shqiptarët.

Çka është më tepër, Enver Hoxha ia fali Titos, me të dy duart, tokat irredente shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, që, gjatë viteve të okupacionit italian e gjerman (1939-1944), ishin të bashkuara me Republikën e Shqipërisë. Por, jo vetëm kaq. Që në vitin 1944m lëvizja kombëtare në Shqipërinë shtetërore mejti. Enveristët shfarosën atdhetarët shqiptarë. Një pjesë syresh ata i therën me thika, ose i vranë me armë zjarri dhe i hodhën në lumë, apo i zhdukën dhe me mënyra të tjera, pa u lënë as nam as nishan, me qëllim që familjet e tyre të mos u gjenin kockat për t'i varrosur. Të tjerët i mbyllën në burgje, i torturuan, i sakatuan, i vdiqën nga uria. Ata i shfarosën asisoj jo pse kishin parashtruar ndonjë kërkesë për ribashkim kombëtar; kjo do të ishte çmenduri, sepse nuk do të dëgjohej nga askush dhe do të paguhej me kokë; ata i zhbinë vetëm sepse E.H., e dinte se brezi i atyre, i rritur para çlirimit, ishte mbrujtur si kudo në botë me ndjenjën e atdhedashurisë dhe, për pasojë, e urrente për vdekje. E.H., mori dhe masa që as pasardhësit e tyre të mos dëgjoheshin. Prandaj i mbylli ai në burgje, i syrgjynosi përjetë, i la pa shkollë, i mplaku dhe i zhduku para kohe.

Por në familjet e tyre, që ishin ndër më të nderuarat në Shqipërinë shtetërore, vlonte ndjenja atdhetare. Të rinjtë mësuan gjuhë të huaja, ranë në kontakt, në mënyrën më klandestine, me literaturë të ndaluar rreptësisht, që e studionin në dritë të kandilit dhe, shpesh, me roje nga ndonjë pjesëtar i familjes.

Kësisoj, E.H., nuk arriti ta shuante atdhetarinë e heshtur në Shqipërinë shtetërore. E keqja më e madhe kombëtare, E.H., farkëtoi në vend një shqiptar apatrid, internacionalist proletar, që nuk e dinte dhe nuk e di se para çdo shqiptari qëndronte e qëndron, në radhë të parë, detyra e shenjtë e bashkimit kombëtar. Krijesat e tij intelektuale bënë shkolla dhe morën kulturë të gjerë, por sikur nuk e dinin se gjysma e Shqipërisë ishte e pushtuar nga të huajt. Ata e njihnin gjeografinë e ish-Bashkimit Sovjetik më mirë sesa gjeografinë e tokave irredente shqiptare! Sigurisht, kjo nuk mund të përgjithësohet. Por, arsyeja kryesore pse lëvizja kombëtare shqiptare në Republikën e Shqipërisë ndryshon kaq shumë nga nacionalizmi i popujve të tjerë të Ballkanit është se, ndërsa në vendet përreth si Serbia, Greqia, Maqedonia, Kroacia etj., nacionalizmi është i zjarrtë dhe e ka qendrën në kryeqytetet përkatëse, lëvizja kombëtare shqiptare është shumë më e fortë në krahinat irredente shqiptare sesa në Republikën e Shqipërisë.

Në Republikën e Shqipërisë, çështja kombëtare është bërë tabu. Në Tiranë të qeshin po të ngresh çështjen e bashkimit kombëtar shqiptar. Prandaj çdo shqiptar që do të bëjë diçka për këtë çështje, hidhet në Perëndim, njësoj si gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur intelektualët e atëhershëm, për arsye që dihen, detyrohen të jetojnë dhe të punojnë jashtë atdheut, larg Arnavudistanit, në kolonitë shqiptare.

Prandaj në Perëndim thonë: "Shqiptarët (e Shqipërisë shtetërore) jetojnë jashtë kohës, jashtë realitetit", "Si mund të jesh shqiptar?", "Shqiptarët përbëjnë bashkësi klanesh" etj. Prandaj historiani i huaj, i përmendur më lart, i përdor termat albanitet dhe albanizëm në një mënyrë të atillë, aq të padëshirueshme për ne.

*Doktor në Histori i Universitetit të Franche-Comté-së

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›