Pato, gëzimi i debutimit: Idhulli im është Pele
Aleksandre Pato është kthyer dje përsëri në radhët e Milanit, pasi kaloi një mesjavë që nuk do ta harrojë kurrë, debutimin me gol me fanellën e përfaqësueses. 18-vjeçari i ka bindur të gjithë se është një talent i jashtëzakonshëm, ndonëse për vete vazhdon të shfaqet si një tip i ndrojtur sa herë që është momenti për të dhënë intervista. "Jam shumë i lumtur që u aktivizova për herë të parë me fanellën e përfaqësueses time, pasi herën e kaluar nuk arrita ta bëj një gjë të tillë për shkak të dëmtimit që pësova. Për sa i përket golit tim të parë në kombëtare, mund të them vetëm se e pashë topin pas meje dhe portierin që kishte dalë nga kuadrati. Gjuajta menjëherë dhe fatmirësisht, topi përfundoi në rrjetë", shpjegoi me thjeshtësi lojtari që ka pushtuar faqet e para të shtypit brazilian. Menjëherë pas ndeshjes ndaj Suedisë, në Brazil thuajse të gjithë kanë guxuar ta krahasojnë atë me Pele, një vlerësim i rëndësishëm për çdo futbollist brazilian. "Krahasimi me Pele, i cili shënoi në finalen e vitit 1958 me Suedinë, mua më ka kënaqur shumë. Ai është një idhull për mua, një fenomen. Në këtë moment karriera ime po shkon shumë mirë dhe më duhet të punoj shumë për të vazhduar aventurën time me kombëtaren braziliane. Jam shumë i lumtur për komplimentet që kam marrë nga shumë persona, të cilët më kanë treguar dashamirësinë e tyre. Sapo përfundoi ndeshja, unë hyra në dhomat e zhveshjes dhe i telefonova menjëherë babait dhe nënës, të cilët ishin shumë të lumtur për këtë paraqitje të parë me fanellën e Brazilit", u shpreh Pato. Futbollisti 18-vjeçar, duke iu kthyer të ardhmes, ka saktësuar se objektivi i tij më i afërt është të bëjë sa më mirë me Milanin për të arritur vendin e katërt në renditje. "Kthimi në ‘Emirates Stadium‘, ku u përball Milani me Arsenalin më trishtoi pak, pasi m‘u kujtua eliminimi nga Liga e Kampioneve. Por kjo u kthye në gëzim, pasi arrita të fitoj me kombëtaren në të njëjtin stadium. Tani në kampionat duhet të arrijmë objektivin e vendit të katërt, në mënyrë që të luajmë përsëri në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm", përfundoi futbollisti që tashmë është kthyer në një idhull edhe te tifozeria kuqezi.