Balak: Lehman mbetet portieri ynë
Mesfushori i Gjermanisë, Mikael Balak, mendon se Jens Lehman e meriton të jetë portieri titullar i Gjermanisë gjatë EURO 2008. Lehman thuajse nuk është aktivizuar gjatë këtij sezoni me skuadrën e Arsenalit, pasi vendin e tij në katërkëndor e ka zënë spanjolli Manuel Almunia. Por ai dhuroi një paraqitje bindëse në fitoren 4-0 të Gjermanisë ndaj Zvicrës, duke regjistruar një rekord prej 621 minutash pa pësuar gol me fanellën e përfaqësueses. Trajneri Joakim Lëv ka shumë alternativa për portën, duke filluar nga Adler i Leverkusenit dhe Nojer i Shalkes, pa harruar edhe Hildebrand që ka siguruar postin e titullarit te Valencia. Por Balak mendon se Lehman duhet të vazhdojë të mbajë numrin 1. "Është e çuditshme nëse nuk luan për klubin tënd. Por Jens ka treguar se ai është njeriu i duhur për të ruajtur portën e kombëtares. Unë besoj se nuk do ketë diskutime rreth pjesëmarrjes së tij në fazën finale të Kampionatit Evropian", u shpreh kapiteni i përfaqësueses gjermane. Lehman ka bërë të qartë se mund të largohet nga futbolli pas EURO 2008 nëse nuk gjen një skuadër të re.