Patologjitë e pranverës, si t’i mbani në kontroll
Ardhja e pranverës për shumë persona shoqërohet me apati, lodhje, dobësi e përgjithshme trupore, mungesë oreksi etj. Simptoma këto që në popull i atribuohen të ashtuquajturës “periudhë e ndërrimit të gjakut”. Me poshtë ju do të njiheni se cilat janë shkaqet në të vërtetë, si mund të trajtohen dhe parandalohen këto probleme. Periudha e ndërrimit të stinëve dhe ardhjes së pranverës në popull njihet si periudha e ndërrimit të gjakut. Por sipas mjekëve, ky është një përkufizim krejtësisht i gabuar. Nuk është e vërtetë që ndërrohet gjaku, pasi ai nuk mund t’i nënshtrohet një procesi të tillë. Gjaku prodhohet nga rruazat e gjakut, të cilat rrojnë mesatarisht 100 ditë. Ato nuk lindin në të njëjtën ditë, ose më saktë nuk prodhohen të gjitha vetëm në dimër, që të vdesin të gjitha në pranverë. Ato ndërrohen vazhdimisht, në mënyrë që të mos krijohen probleme në organizëm nga mungesa e tyre.
Ciklet stinore
Ciklet stinore ndikojnë në organizmin e njeriut. Kjo tashmë është përcaktuar edhe nga studime të ndryshme, të cilat kanë arritur të vërtetojnë se ciklet stinore ndikojnë në ritmin biologjik të gjithsecilit prej nesh, duke e detyruar organizmin të përshtatet me ndryshimet klimaterike. Kalimi nga dimri në pranverë shoqërohet me rritje të temperaturave dhe të orëve me dritë dhe me një mënyrë ushqyerjeje ndryshe, gjë që mund të jenë shkaku i luhatjeve të metabolizmit dhe të shfaqjes së stresit fizik. Përveç kësaj, organizmit i duhet kohë për t’u ambientuar me ritmet e reja: nëse në dimër dita zakonisht nis në orën 08:00 dhe mbaron në 19:00, në pranverë mund të zgjasë deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Në këtë periudhë njerëzit shpesh ankohen për dhimbje trupi, dobësi, apati, mungesë përqendrimi etj.
Shkaktarët e problemeve
Ardhja e pranverës shoqërohet me një rritje pak a shumë graduale të temperaturave që e detyrojnë organizmin, ende të pamësuar, t’i nënshtrohet një pune të madhe në tentativë për të ulur me shpejtësi nxehtësinë që prodhohet nga çdo lloj aktiviteti fizik. Stresi fizik që prek në këtë periudhë një numër të konsiderueshëm personash shpjegohet pikërisht me ketë nevojë të organizmit për të përmirësuar termorregullatorin, në mënyrë që të arrijë të përballojë më mirë luhatjet e temperaturave, tipike për ndërrimin e stinëve. Në kalimin nga dimri në pranverë, fiziku do kohë të mësohet me ritmet e punës që detyrohen nga shtimi i orëve me diell, duke shkaktuar stres dhe lodhje. Përveç kësaj, me ndërrimin e stinëve ndryshon dhe mënyra e ushqyerjes, që kalon nga një regjim ushqimor në përgjithësi i pasur me yndyra dhe ushqime kalorike, në një tjetër të bazuar kryesisht në fruta, perime dhe ujë. Shpeshherë temperaturat më të larta mund të jenë shkaktare të humbjes së oreksit dhe ndjesisë së dobësisë. Këto janë arsyet që shpesh në ndërrimin e stinëve, sidomos pas daljes nga stina e dimrit për shkak të një ushqimi të njëtrajtshëm, shfaqet deficit vitaminash, që është një sëmundje që shfaqet me asteni (dobësi të përgjithshme trupore, dhimbje muskujsh), diarre, dermatit nga dielli dhe demencë (plogështi, probleme me përqendrimin, kujtesën etj).
Patologjitë
Po të pyesësh një fëmijë se cila është stina që i pëlqen më shumë, pa dyshim me një përgjigje të shpejtë, instinktive, do të përgjigjet: pranvera. Por shumë pak e dinë se bashkë me “rizgjimin e natyrës” vijnë dhe patologjitë e stinës që mbajnë po këtë emër. Dy janë ato më shqetësueset: sindroma pranverore dhe pagjumësia pranverore. Te dyja shqetësojnë, megjithëse në drejtime të ndryshme nga njëra-tjetra.
Sindroma “pranverore”
Bëhet fjalë për një tërësi simptomash që variojnë nga një lodhje e thjeshtë fizike deri në një gjendje serioze që mund të prekë trupin dhe mendjen. Është karakteristikë e pranverës. Sipas statistikave, prek 70 për qind të grave, përkundrejt vetëm 30 për qind të meshkujve. Kjo sindromë mund të jetë pasojë e dritës së diellit, e cila “rizgjon” gjëndrat endokrine të organizmit, duke rritur aktivitetin e tyre. Kështu, trupi shpenzon më shumë energji për t’u përshtatur dhe për pasojë lodhet më shumë. Gjithashtu, mund të varet nga akumulimi me tepri i toksinave gjatë stinës së dimrit. Kjo bën që të ulet puna e mëlçisë, veshkave dhe zorrëve, të cilat janë dhe organet që “kanë për detyrë” pastrimin e organizmit. Puna e këtyre organeve ndikohet dhe nga stresi, një mënyrë e gabuar e të ushqyerit, si dhe nga një stil jete sedentare. Përpara se të nxitoni të merrni ndonjë ilaç, çdo simptomë duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të një specialisti. Për të rimarrë forcat duhet bërë një kurë detoksifikuese dhe pastruese, duke u ushqyer në mënyrë të shëndetshme dhe të ekuilibruar, si dhe duke përmirësuar cilësinë e mënyrës së jetesës. Por nëse lodhja dhe ndjesia e të qenit keq zgjasin në kohë, duhet t’i drejtoheni një mjeku. Sepse pas secilës prej këtyre simptomave mund të shihet një sëmundje organike (si për shembull, një anemi) ose çrregullime me origjinë psikologjike.
Pagjumësia pranverore
Bashkë me kohën e bukur dhe ardhjen e dallëndysheve nuk vonojnë dhe netët e bardha. Është pikërisht për shkak të ndryshimit të stinës dhe me ndryshimin e ndriçimit që shpesh tortura e pamundësisë për të mos fjetur dot bëhet më shqetësuese. Fatmirësisht këtu tek ne, si tek të gjitha vendet me klimë mesdhetare, problemi zgjidhet brenda pak ditësh dhe vazhdon të godasë vetëm ata që janë të prekur nga shqetësimet e gjumit. Megjithëse jemi në fillim të pranverës, e cila ende në këtë fillim mars ndihet e pasigurt nëse duhet të vijë, dëgjon shumë njerëz të ankohen për gjumin jo të qetë, edhe pse pjesa më e prekur janë të moshuarit dhe gratë në menopauzë. Po kështu nga bisedat e shumta del se janë shumë të paktë, deri në shpërfillje, ata që mendojnë t’i drejtohen një specialisti. Një nga arsyet është frika e krijimit të varësisë ndaj qetësuesve. Në fakt, pagjumësia duhet konsideruar si një sëmundje e vërtetë prej së cilës të shërohesh. Nga ana tjetër, kush fle pak dhe keq ka probleme me përqendrimin dhe efikasitetin në punë gjatë ditës. Statistikat tregojnë që ka gjasa të sëmuren dhe më shpejt. Kjo pasi kortizoni, i cili është hormoni që mbron organizmin tonë, prodhohet më shumë gjatë gjumit të thellë.
Simptomat
Ndjesi e përgjithshme e të ndjerit keq
Lodhje e tepruar
Sfilitje fizike dhe mendore
Nervozizëm dhe irritim
Probleme me tretjen
Pagjumësi
Depresion
Alergji
Regjimi ushqimor
Që të parandalohen dhe përballohen sëmundjet e pranverës nevojitet një regjim ushqimor i balancuar dhe i pasur me karbohidrate, yndyra dhe proteina. Por, mbi të gjitha, këshillohet që në regjimin ditor të gjithsecilit të shtohen vitaminat dhe magnezi që i falin energji organizmit dhe e bëjnë të përballojë me mirë ndryshimet klimaterike. Kështu, për sa i përket proteinave rekomandohen ato bimore që gjenden te fasulet, soja dhe thjerrat, ndërsa ato shtazore te mishi i viçit dhe i derrit, por dhe te peshku. Ndërsa për yndyrat më të mirat janë ato që gjenden te vaji i ullirit, i misrit, i sojës dhe i lulediellit. Ndërsa përsa u përket vitaminave, burimi më i mirë i tyre janë perimet dhe frutat e freskëta të stinës.
Ushqimet ku gjenden vitaminat aleate të shëndetit
Vitamina B1
Drithërat, mëlçia, mishi i derrit, fasulet, arrat, orizi, maja e birrës, soja.
Vitamina B2
Majaja e birrës, mëlçia, arrat, orizi, bizelet, fasulet, veza, qumështi.
Vitaminat e grupit B bëjnë të mundur transformimin e ushqimeve në energji dhe lejojnë trurin, nervat dhe muskujt të funksionojnë rregullisht, përveçse ndihmojnë në prodhimin e rruazave të kuqe. Rol tjetër i rëndësishëm i këtyre vitaminave është aktivizimi i enzimave që mbështesin punën e sistemit imunitar.
Vitamina C
Agrumet, specat e kuq, lulelakër, qepet, spinaqi, kivi, frutat e pyllit. Mbron enët e gjakut, pengon hemorragjitë e lëkurës e mukozave, është mjaft i mirë për të mbrojtur nga virozat.
Vitamina A
Të gjitha perimet me ngjyrë të verdhë dhe portokalli si karotat, domatet, portokallet, banania, kunguj, patatet, hudhra. Lufton hipertensionin, mbron mushkëritë, ndihmon shikimin, pengon plakjen e qelizave dhe mbron lëkurën dhe mukozat.
Efektet dhe mungesat e mineraleve në organizëm
Klori i natriumit
Shërben
Merr pjesë në proceset nervore dhe muskujt e indeve
I mban lëngjet në inde dhe e shpejton furnizimin e qelizave me ujë
Mungesat shfaqen si:
Tension i ulët
Komplikime dhe mungesën e furnizimit me ujë në indet dhe qelizat e organizmit
Kaliumi
Shërben
Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e qelizave të trupit si dhe rregullon nivelimin e lëngjeve të trupit
Merr pjesë në përcjelljen e impulseve nervore dhe kontrollin e shtrëngimit të muskujve
Mungesat shfaqen si
Zvogëlimi dhe ngarkesa e koncentrimit
Çrregullimi i nivelimit të lëngjeve në trup
Ngacmime nervore
Lëkurë e thatë dhe me puçrra
Dobësim të muskujve
Kalciumi
Shërben
Për ndërtimin dhe forcimin e eshtrave dhe të dhëmbëve
Është i domosdoshëm për shtrëngimin e muskujve, thërrmimin e gjakut dhe përcjelljen e impulseve nervore
Për rregullimin fiziologjik të funksionimit të qelizave dhe të organizmit
Mungesat shfaqen si
Si bazë për zhvillimin e osteoporozës
Sëmundje të cilat janë të lidhura ngushtë me mungesën e kalciumit në organizëm
Dhëmbë dhe eshtra të ndjeshme
Magneziumi
Shërben
Për aktivizimin e rreth 300 enzimave
Për funksionimin e rregullt të metabolizmit të yndyrës dhe të sintezës së albuminave
Pengimin aktiv të paraqitjeve të shtrëngimeve të muskujve
Mundëson punën normale të zemrës
Mungesat shfaqen si
Rritjen e nivelit të kolesterolit në gjak
Komplikimet në funksionimin e organeve jetësore
Probleme me lëkurën të shkaktuara nga stresi dhe ngacmimet
Hekuri
Shërben
Është përbërja kryesore e hemoglobinës, e molekulave për përcjelljen e oksigjenit në gjak, e qelizave të muskujve dhe të disa enzimave të cilat marrin pjesë në krijimin e energjisë për frymëmarrjen e qelizave
Mungesat shfaqen si
Dobësimin e gjakut (anemia), e cila mund të sjellë deri te dëmtimi i rëndë i shëndetit të përgjithshëm të organizmit
Lëkurë e thatë
Seleni
Shërben
Ka veprim antibakterik dhe antitumor
Ka veprim të rëndësishëm antioksidues
Pengon plakjen e parakohshme të qelizave
Kontribuon në rezistencë dhe siguron energji në organizëm
Mungesat shfaqen si
Organizmi është i prirë për të shfaqur sëmundje vdekjeprurëse
Grumbullimi i lëndëve helmuese (radikalët e lirë) në organizëm
Lodhje nga mungesa e energjisë
Humbje imuniteti
Zbokth
Zinku
Shërben
Forcon sistemin e imunologjisë dhe qelizat në luftë kundër infektimit
Për punën normale të sistemit të gjëndrave
Merr pjesë në punë e rritjes
Nxit freskinë mentale dhe vitalitetin
Mungesat shfaqen si
Dobësim i sistemit imonologjik
Mungesa e vullnetit, lodhja, depresioni
Sëmundje të ndryshme të lëkurës
Rënie floku dhe puçrra në fytyrë
Jodi
Shërben
Funksioni kryesor është ndërtimi i hormoneve mbrojtëse
Ka veprim antibakterik në organizëm
Është antiseptik dhe dezinfektues i mirë
Mungesat shfaqen si
Pengesa në rritje dhe në zhvillim
Gusha, e cila është një ndër sëmundjet më të përhapura
Floku i thatë dhe me zbokth
14 Mars 2009