Memelli: “E njoh mirë portën e Bylisit”
Tirana, fitoren më të thellë gjatë këtij sezoni e ka arritur pikërisht me Bylisin (6-2), pavarësisht se ndaj formacionit të Hysen Dedjes, në fazën e parë, në Ballsh, nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola.
Të dielën, në Ballsh, dy skuadrat do të përballen për herë të tretë dhe të fundit gjatë këtij sezoni, dhe kryesuesit e Superligës (44 pikë) vlerësojnë se nuk do të lejojnë të humbasin pikë të tjera në një takim që do të luhet pa praninë e shikuesve.
Golashënuesi më i mirë i Tiranës dhe i kampionatit shqiptar, Migen Memelli (14 gola), shënoi tre nga gjashtë golat që realizuan bardheblutë në fitoren tenistike kundër Bylisit, teksa më parë këtë e kishte bërë kundër Flamurtarit (3-1).
“Natyrshëm që në Ballsh do të shkojmë për të fituar. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ecurinë tonë, pavarësisht se kryesojmë me dy pikë më shumë se Vllaznia”, - tha Migen Memelli për “Albania”-n.
“Bylisi i mori pikë Vllaznisë një javë më parë në Shkodër, por fakti që luajnë në fushën e tyre pa shikues na krijon më shumë qetësi në lojën tonë. Ndoshta shënoj sërish kundër tyre, pavarësisht se në këtë fazë që ndodhet kampionati nuk ka rëndësi se kush shënon, por fitorja e pikët”.
Vllanzia do të luajë në transfertë me Apoloninë, një tjetër ekip pjesë e zonës së ftohtë të Superligës, ku Tirana shpreson në një hap fals të shkodranëve, pavarësisht se edhe takimi në “Loni Papuçiu” do të luhet pa shikues.
“Vllanzia, Dinamo, e pa përjashtuar edhe Shkumbinin, janë rivalet më të mëdha tonat në kampionat. Një rezultat negativ i Vllaznisë në Fier do të na ndihmonte edhe më shumë në rrugën e titullit. Tani jemi të qetë, pasi siguruam edhe vendin në gjysmëfinale, por ne i synojmë të dyja trofetë e këtij sezoni, pasi janë shpenzuar shuma të mëdha financiare nga ana e presidentit Refik Halili”, - përfundoi sulmuesi bardheblu, Migen Memelli, që mund të shënojë një rekord personal në aktivizimin e tij të parë me Tiranën, pasi lufton për trofe kolektive dhe një individual, “Këpucën e artë” të kampionatit shqiptar.
Besa: “Dalim me fitore ndaj Partizanit”
Pas eliminimit dramatik nga Kupa e Shqipërisë me Shkumbinin (0-1) pas autogolit të Sokol Ishkës në minutën e fundit, Besa është në përgatitjet e fundit për sfidën e radhës në kampionat, atë kundër Partizanit, ndaj së cilës jo vetëm humbi në përballjen e fundit në kryeqytet (1-0), por solli edhe dorëheqjen e ish-trajnerit Ilir Daja. Tekniku aktual i Besës, Ilir Biturku, ka 10 ndeshje në dispozicion (30 pikë) për të përmbushur objektivin e vetëm të presidentit Nexhat Bizhdili, vendin e tretë në kampionat dhe një vend në kompeticionet europiane. Biturku: “Eliminimi nga kupa është një gabim i pafalshëm i skuadrës sonë. Duam që reagimi të fillojë nga transferta me Partizanin dhe jam i bindur që kjo do të duket në fushën e lojës. Kam besim se me disiplinë të fortë dhe duke bërë sa më pak gabime në fushë, të dalim me fitore nga sfida e radhës”. Kundër Partizanit do të mungojnë mesfushorët Sokol Ishka dhe Meglind Mihani, pasi kanë plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë.
Kategoria Superiore
Java 24, 15.03.2009
Bylis*-Tirana (Çekaj)
Apolonia*-Vllaznia (Hoxha)
Partizani-Besa (Latifi)
Flamurtari-Dinamo (Jareci)
Elbasani-Shkumbini (Taullai)
Teuta-Lushnja (Pashaj)
* Ndeshjet zhvillohen pa shikues
Kategoria e Parë
Java 21, 14.03.2009
Bilisht S.-Kastrioti (Jemini)
Ada-Skënderbeu (Meta)
Skrapari-Dajti (Disha)
Burreli-Sopoti (Jorgji)
Luftëtari-Gramozi (Breshani)
Besëlidhja-Pogradeci (Mustafaraj)
Naftëtari-Turbina (Dervishi)
Takimet nisin në orën 15:00
14 Mars 2009