Patos, këshilli bashkiak mblidhet në një shkollë
Mazhoranca e djathtë e krijuar prej afro 6 muajsh në Këshillin Bashkiak të Patosit ka vendosur të zhvillojnë mbledhjen e saj të radhës në mjediset e shkollës së mesme të përgjithshme “Zhani Ciko” të qytetit.
Vendimi për zhvillimin e mbledhjes në mjediset e shkollës ka ardhur pas moslejimit të këshilltarëve që formojnë këtë mazhorancë për të hyrë në sallën e këshillit bashkiak. Këshilltarët e PD-së, LSI-së dhe PDI-së nuk janë lejuar të enjten e shkuar të zhvillonin mbledhje nga punonjësit e Ndërmarrjeve të Pastrimit dhe Gjelbërimit të qytetit, që kanë protestuar duke zënë karriget e tyre e duke demonstruar varfërinë që i ka pllakosur pas mospagesës së tyre për më shumë se dy muaj. Mospagesa ka ardhur si pasojë e mosmiratimit të buxhetit për vitin 2010.
Për të çuar deri në fund vendimet e saj mazhoranca e djathtë ka vendosur që mbledhjen ta zhvillojë në mjediset e shkollës së mesme të përgjithshme “Zhani Ciko”.
Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë 16 këshilltarë, numër ky i mjaftueshëm për vendimmarrje. Mbledhja është drejtuar nga kryetari i emëruar si rezultat i votimit të kësaj mazhorance, Leonard Behaj. Sipas këshilltarit të PDI-së, Nimet Musai, mësohet se në këtë mbledhje është diskutuar fillimisht kërkesa e kryetarit të bashkisë për ndryshimet në paketën fiskale dhe më pas është hedhur për votim kërkesa për ndryshimin e drejtimit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit.
Këshilltarët me votimin e tyre kanë lënë në fuqi propozimin e paketës së mëparshme fiskale, ndërkohë që kanë ndryshuar vendimin për shoqërinë aksionere Ujësjellës-Kanalizime Fier.
Kryetari i këshillit bashkiak, Leonard Behaj, ka kërkuar dhe ka hedhur për votim shkarkimin e drejtorit Maksim Goga, i cili e konsideron ende veten kryetar të Këshillit Bashkiak dhe po përballet në gjykatë për të mbajtur këtë post përballë Leonard Behajt.
Motivi i shkarkimit, sipas Leonard Behajt, ka qenë konflikti i interesit. Pas votimit të fshehtë me numrin maksimal të votave është votuar shkarkimi i Maksim Gogës dhe emërimi i Dashnor Mustafarajt në këtë post. Në fund të kësaj mbledhjeje të zhvilluar në mjediset shkollore, kryetari i këshillit, i zgjedhur nga të djathtët, i ka bërë apel kryetarit të bashkisë, Bardhi Meli, për t’i lejuar që mbledhja e radhës të zhvillohet në sallën e këshillit.
Tensionet politike në Patos u ndezën në muajin tetor dhe kanë bllokuar veprimtarinë e bashkisë dhe tashmë po vënë në rrezik buxhetin e vitit 2010. Gjithçka ka nisur pas largimit të kryetarit Bardhi Meli nga radhët e LSI-së.
#