E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët, nga Azem Hajdari te deputetët socialistë

Vëzhgimi Historia e grevave të urisë së parlamentarëve shqiptarë ndër vitet e demokracisë. Datat dhe arsyet

Vendimi i marrë në mbrëmjen e 30 prillit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për t’u ngujuar në grevën e urisë, i ka dhënë jetë precedentit të pestë të historisë rishtare të parlamentarizmit shqiptar që nga viti 1990 kur dhe u rrëzua diktatura komuniste në Shqipëri. Sakrificën e parë më të madhe duke ndaluar jo vetëm ushqimin, por duke protestuar me shirit në kokë, e ka inauguruar deputeti i ndjerë, Azem Hajdari, lideri i lëvizjes studentore në vend, i cili në gushtin e vitit 1994 ka hyrë në grevë urie duke u solidarizuar me protestën e të përndjekurve politikë që kërkonin respektimin me dinjitet nga shteti. Shoqata e ish-të përndjekurve zhvilloi një zinxhir protestash në të gjithë vendin dhe në Tiranë dhe në atë kohë pati një acarim të madh mes qeverisë dhe të përndjekurve, që u zgjidh me ndërhyrjen e dhunshme të policisë së asaj kohe. Në këtë protestë u solidarizua i vetmi deputet i Parlamentit shqiptar, përkatësisht, Azem Hajari, lideri i lëvizjes studentore dhe në vitin 1994 ishte dhe kryetar i një Komisioni të rëndësishëm parlamentar siç ishte ai për Sigurinë Kombëtare. Greva e dytë e urisë së përfaqësuesve të popullit është kryer në verën e vitit 1996, pikërisht në ditët e para të qershorit, kur të gjithë kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste kanë hyrë në një grevë urie që zgjati gati dy javë, ku opozita protestoi ndaj zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996 që u cilësuan si të manipuluara edhe nga raporti i misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it. Greva e deputetëve që protestonin se iu ishte vjedhur mandati, u ngujuan në selinë e Partisë Socialiste për gati dy javë. Por realisht kjo grevë nuk i dha rezultatet e pritura, ndaj përfundoi pa arritur atë që kërkohej, përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare. Ndërkaq, komuniteti ndërkombëtar reagoi në mënyrë të përshkallëzuar deri në shpërthimin e krizës së madhe të piramidave në vitin 1997. Menjëherë pas ardhjes së socialistëve në pushtet, në verën e vitit 1997 situatën politike të ngarkuar të asaj kohe e ngarkoi greva e urisë e një deputeti tjetër të njohur për profilin e tij politik. Bëhet fjalë për ish-kreun e Kuvendit, të ndjerin Pjetër Arbnori, i cili në gushtin e vitit 1997 u ngujua në një grevë të rëndë urie në një nga zyrat e Parlamentit. Dhe pikërisht në zyrën e komisionit për liritë dhe të drejtat e njeriut. Zoti Pjetër Arbnori hyri në një grevë urie për të protestuar ndaj ligjit të miratuar nga Kuvendi për mediat vizive në vend, pasi sipas opozitës së asaj kohe, kthehej në një altoparlant të mazhorancës socialiste. Greva e zotit Arbnori ishte tejet Dramatike. Me një seriozitet të fortë ish-kreu i Parlamentit shqiptar, i cili kishte vuajtur gjatë në burgjet e komunizmit vazhdoi me grevën e tij edhe pse gjendja shëndetësore e tij u rëndua shumë. Madje në pikë shumë të rrezikshme zoti Arbnori është dërguar në spital me ndërmjetësimin e vështirë të deputetit Tritan Shehu, i cili është dhe mjek reaminator. Mazhoranca u tërhoq duke ndryshuar ligjin dhe aprovuar të famshmin “Amendamenti Arbnori”. Më pas do të kemi një tjetër grevë të deputetëve të PD-së të përbërë nga deputetët: Pjetër Arbnori, Azem Hadari dhe Ylli Vejsiu që u ngujuan në një automjet pranë godinës së RTSH-së, duke protestuar ndaj censurës. Ndërsa protesta tjetër e radhës ishte ajo e nëntorit të vitit 2008, kur nëntë deputetë: Ilir Meta, Spartak Braho, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Dritan Prifti, Nikollaq Neranxi nga LSI, Petro Koçi, PSV-91 dhe Nard Ndoka, Ymer Tola dhe Frrok Gjini nga Partia Demokristiane. Grupi i deputetëve protestuan kundër monopolizimit të rregullave zgjedhore të vendosura nga PD dhe PS. Greva e tyre nuk arriti një fitore përfundimtare, por pati një impakt të gjerë dhe jehonë në opinionin vendas dhe ndërkombëtar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›