E Diel, 1 Nëntor 2026

Patos, “ngec” buxheti, protestojnë punëtorët e Bashkisë

Autori i Lajmit: Redaksia

Punonjësit e gjelbërimit dhe ujësjellës-kanalizimeve në Patos kanë protestuar dje në shenjë pakënaqësie ndaj mosmiratimit të buxhetit. Ata janë futur me forcë në sallën e Këshillit Bashkiak, ku do të zhvillohej dhe mbledhja, e cila është pezulluar për shkak të protestës. Dje në mesditë dhjetëra punonjës u mblodhën para Bashkisë së Patosit ku kanë protestuar për pagat e vonuara. Sipas tyre, shkak janë bërë mosmarrëveshjet mes anëtarëve të PS e PD të Këshillit Bashkiak të Patosit, gjë që ka sjellë dhe vonesat në paga e shërbime të tjera ndaj komunitetit. Shumë punonjës me forcë dje hynë dhe në sallën e Këshillit Bashkiak në tentativë të takonin kreun e Bashkisë, ndërsa rreth 200 të tjerë qëndruan jashtë godinës në pritje të një përgjigjeje. Policia bashkiake u përpoq të ndalonte punonjësit e revoltuar që mësynë drejt godinës dhe nuk lejuan mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Njëri prej tyre, punëtor në pastrimin e ujërave të zeza, u shpreh se, edhe pse puna që bën është nga më të vështirat për moshën që ai ka, anëtarët e PD të Këshillit Bashkiak Patos bëhen pengesë për miratimin e buxhetit, duke e lënë atë pa bukën e gojës. “Shkoj pastroj kanalet përditë dhe të më hapësh brenda jam më zi se ato ujëra të zeza që pastroj. Por këta anëtarë të PD nuk po më lejojnë të marr pagën time. Jam i sëmurë, po ha në shtëpi vetëm bukë e kos, dhe pse, se nuk miratohet buxheti. Shpresoj të marrin masa, pasi në të kundërt do tua bëj më zi Bashkinë se ato kanale të zeza që pastroj”,- u shpreh punëtori i revoltuar”.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›