E Hënë, 2 Nëntor 2026

Patos, socialistët sulmojnë Nanon

Deputetë socialistë kanë dalë në mbështetje ndaj kryetarit Edi Rama duke hedhur poshtë çdo përpjekje të ish kryetarit të tyre, Fatos Nano. Gjatë një takimi me simpatizantë socialistë të Patosit, deputeti Namik Dokle u ka bërë thirrje atyre që të mos bien prehë e kurtheve të Fatos Nanos. Sipas tij, lëvizja që ish kryetari socialist kërkon të ndërmarrë, është totalisht në kundërshtim me interesat e opozitës. “Fatos Nano është oksigjeni i Sali Berishës. Edhe vetë zgjedhja e Presidentit të Republikës, ishte një pazar i ndyrë midis tyre.”, tha Dokle. Deputeti socialist akuzon të djathtët se në këto pazare politike për zgjedhjen e presidentit kanë ofruar 500 mijë euro në këmbim të votës. Dokle u bëri thirrje sipmatizantëve socialistë që të mbështesin kryetarin Edi Rama duke vlerësuar figurën e këtij të fundit.

Ndërkohë, në mbështetje të liderit të selisë rozë ka dalë edhe deputetja socialiste Ermelinda Meksi. Në fjalën e saj ajo ka kritikuar ashpër politikat që Fatos nano po ndjek në kampin e majtrë. Meksi u shpreh se Fatos Nano është tashmë pjesë e politikave të vjetëruara dhe se nuk duhet më të mbështetet. Zonja Meksi u bëri thirrje simpatizantëve socialistë që të respektojnë dhe të mbështesin liderin Rama, që sipas saj është zgjedhja më e mirë për të shpëtuar PS-në nga politikat e vjetra.

Një tjetër thirrje për mbështetje ndaj Ramës ka ardhur edhe nga deputeti Et’hem Ruka, I cili duke kritikuar politikat e zotit Nano u shpreh se Partia Socialiste me drejtuesit e saj aktual është një parti e të gjithë brezave. “Eshtë e qartë se tashmë Edi Rama është njeriu i fitores. Ata që kërkojnë të ikin, ju uroj udhë të mbarë.”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›