Patozi: 10 pikat e propozuara nga opozita, një rreng fëminor

Pakti prej 10 pikash i propozuar nga opozita është cilësuar nga Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi si një rreng fëminor i kreut të saj Edi Rama.
Në seancën e sotme plenare Patozi theksoi se 10 pikat e paktit nuk janë gjë tjetër vecse hartimi i Edi Ramës i cili sipas tij është duke e përdorur këtë për të mos ecur përpara me reformat integruese të vendit.
“Bashkimi Europian pret prej nesh plotësimin e 12 rekomandimeve dhe 5 prej tyre janë përfshirë edhe sot në axhendën e Parlamentit por që opozita nuk pranon t`i miratojë duke përdorur 10 pikat për të bllokuar integrimin” ka theksuar Patozi.
"Detyra jonë konkrete është plotësimi i 12 rekomandimeve. Integrimi është axhenda jonë kombëtare", tha Patozi. Ku më tej ai shtoi se maxhoranca dhe opozita kanë detyrime të përbashkëta për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Ai kërkoi gjithashtu nga deputetët e opozitës që të miratojnë ligjet me shumicë të miratuar si kusht kjo për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
"Ne nuk vëmë kushte, nuk ju imponojmë konceptet tona. Kemi një kërkesë ndaj deputetëve të opozitës: Hiqni postbllokun e integrimin", tha Patozi.
Ndërkohë Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi deklaroi më herët në Kuvend se maxhoranca ende nuk ka dhënë përgjigje zyrtare për paktin e propozuar nga Partia Socialiste.