E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vendos kriterin e ri: Çdo punonjës i administratës, të ketë certifikatë kompjuteri

Kreu i qeverisë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ka kërkuar që të gjithë punonjësit e administratës të trajnohen për njohjen e të gjitha programeve kompjuterike Dixhitalizimi, është leva e Arkimedit për të luftuar korrupsionin

Çdo punonjës i administratës shtetërore duhet të jetë i pajisur me certifikatë të programeve kompjuterike, kjo ka qenë dhe kryefjala e mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij, kërkoi nga të gjithë ministrat, që të punohet më tepër në kompletimin e procedurave dixhitale, e cila duhet të përfundojë brenda vitit 2012. “Çdo punonjës i zyrave të shtetit duhet të ketë certifikatën e përdorimit të programeve kompjuterike. Kjo do të thotë të organizohen kurse në të gjitha zyrat e shtetit, kurse për diçka që ata mund ta mësojnë, nuk mendojmë t’i zëvendësojmë. Pavarësisht nga mosha e çdo gjë tjetër, çdo punonjës i administratës duhet të përdorë me shkathtësi të plotë kompjuterin, në tërësi. Kjo është pothuajse e realizuar, por duhet të jetë 100 për qind, i cili është një detyrim madhor”, - u shpreh Kryeministri Berisha.                                                                                                                  Sipas tij, rritja e moshës dixhitale përbën edhe një nga objektivat më madhorë të qeverisë. “Ne u bëmë vendi i parë në botë me prokurime elektronike 100 për qind. Tani ne duhet të bëhemi detyrimisht edhe vendi i blerjeve të vogla dixhitale. Është shumë e domosdoshme që të ofrohen të gjitha lehtësirat dhe transparencë edhe në blerjet e vogla të qeverisë. Sikundër të studiohet mundësia e ankandit dixhital”, - u shpreh Kryeministri. Ai e ka vlerësuar  dixhitalizimin si mjetin më të fuqishëm, levën e Arkimedit, për të ofruar shërbimet më transparente dhe për të luftuar korrupsionin. “Asgjë, asnjë mjet tjetër nuk mund t’u ofrojë qytetarëve shërbimet më të shpejta, më të pastra e më transparente dhe në shumë aspekte, kjo është leva e Arkimedit për të luftuar korrupsionin. Ne u bëmë ndër vendet e pakta me pranimet universitare, të bazuar në procedurën dixhitale. Zero korrupsion. Pas vendosjes së këtij sistemi, nuk ka qoftë një ankesë të vetme se shkoi me mik këtu apo aty. Ne u bëmë vendi i parë në botë me prokurime elektronike 100 për qind. Tani ne duhet të bëhemi detyrimisht edhe vendi i blerjeve të vogla dixhitale”, - vijoi më tej kreu i qeverisë.

 Gjithashtu, Kryeministri konsideroi të rëndësishme avancimin me projekte të tjera dhe përshtatjen me teknologjitë dhe sistemet e reja. Po kaq të rëndësishme, Kryeministri vlerësoi që punonjësit e zyrave postare t’u përgjigjet me zhdërvjelltësi kërkesave dhe nevojave të qytetarëve për shërbimin e internetit.  Sipas tij, qytetarët shqiptarë meritojnë një Shqipëri dixhitale, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. ”Çdo projekt që ka të bëjë me moshën dixhitale do të jetë i pari, krahasuar me gjithë të tjerat. Janë në zbatim e sipër 125 projekte dhe kërkohet finalizimi i tyre brenda vitit 2012. Është e domosdoshme të rishqyrtohen edhe një herë të gjitha këto projekte, në përputhje me buxhetin.

 Ky 100-vjetor, Shqipërinë duhet ta gjejë si Shqipërinë dixhitale, Shqipërinë më transparente, Shqipërinë më të shpejtë, Shqipërinë e imagjinatës më të zhvilluar”, -  tha kreu i qeverisë.

Projektet 

Kryeministri Berisha theksoi se sot ekzistojnë 125 projekte shumë të rëndësishme  të cilat do të perfeksionojnë dizxhitalizimin e vendit. Sipas tij, brenda vitit 2012 të gjitha këto projekte duhet të jenë të përfunduara. “Në të gjitha agjencitë e ministritë janë të hartuara dhe në zbatim e sipër 125 projekte. Kërkohet finalizimi i tyre me çdo kusht, brenda vitit 2012. Ky është një objektiv madhor, por nuk ka asgjë që mund të bëjmë më shumë, sesa Shqipërinë dixhitale në 100-vjetorin e pavarësisë së saj. Është e domosdoshme të rishqyrtoni edhe një herë të gjitha këto projekte, në përputhje me buxhetin. Përparësi absolute në buxhet kanë projektet e moshës dixhitale, pra, kjo është përparësi absolute e vitit që vjen. Çdo projekt që ka të bëjë me moshën dixhitale do të jetë i pari, krahasuar me gjithë të tjerat”, - tha Kryeministri Berisha. Ndër të tjera ai ka theksuar se sistemet e reja kompjuterike duhet të përfshijnë edhe sistemet e reja, sepse mosha që evoluon më shpejt është mosha dixhitale.

 “Avancimin dhe vetëm avancimin e tyre me projekte të tjera, sepse mosha që ndryshon më shpejt është mosha dixhitale. Një moshë e pamëshirë po nuk e ndoqe, të lë mbrapa. Ndaj duhet që sistemet që vendosim të kenë të gjithë mundësinë dhe përshtatjen me sistemet që vijnë. Ne po bëjmë gjithçka që tregu i 3G të bëhet sa më kompetitiv. Sikundër po përgatisim kuadrin ligjor për 4G”, - përfundoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›