E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Akuzat? Do t’i drejtohem gjykatës

 

Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi reagon pas shkrimit të një dite më parë në "Gazeta Shqiptare". Në suplemention e saj "Bluetooth" u botua një artikull, sipas të cilit, zyrtari i selisë blu ka një lidhje dashurie me zëdhënësen e kësaj partie, Erla Mëhilli. Përmes një deklarate për shtyp kryetari i grupit parlamentar të PD-së, hodhi poshtë akuzat, duke shtuar se do t'i drejtohet gjykatës. "Si një prej gazetarëve me përvojë të gjatë në këtë vend mund të them pa mëdyshje se ky është rasti më flagrant i shpërdorimit të lirisë në të gjithë historinë e shtypit shqiptar. Gjatë gjithë aktivitetit tim publik, që nga viti 1991 e deri më sot, nuk kam menduar kurrë se do të vinte një ditë që do t'i drejtohesha gjykatës për një organ shtypi apo gazetar. Por më duhet të pohoj, pa asnjë keqardhje, se e ndjej të moralshme dhe jam i detyruar që ta bëj këtë", tha Patozi. "Do t'i drejtohem Gjykatës, i bindur se nuk do të kem përballë asnjë gazetar, por një apo më shumë keqbërës ordinerë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me principet e shenjta të shtypit të lirë. Dhe këtë do ta bëj, jo i nxitur nga motive personale, por i bindur se duhet dhënë një mësim për të gjithë "vrasësit me pagesë", që mund të shkrehin sërish armët dhe të cenojnë pa u ndëshkuar jetën dhe lirinë e tjetrit", theksoi më tej nënkryetari i PD. Sipas Patozit, ky është një precedent i rrezikshëm që mund të jetë pikënisje për një epidemi në tregun mediatik shqiptar. "Duke ruajtur të paprekur konsideratën më të lartë për fjalën e lirë, për misionin e shtypit dhe për profesionin e nderuar të gazetarit, e konsideroj ngjarjen si një precedent të rrezikshëm dhe ogur të keq që mund t'i hapë rrugë një epidemie të panjohur më parë në gazetarinë e shkruar shqiptare", u shpreh më tej kreu i grupit të PD-së. Zyrtari i lartë demokrat u divorcua një vit më parë nga bashkëshortja, e cila është këshilltare e kryeministrit Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›