Rama në Orikum: PS avokate e pronës suaj në Gjykatë
Qemal Biraku
Partia Socialiste i premton banorëve të zonës së Orikumit se do të ngrejë një grup specialistësh për situatën e krijuar në lidhje me çështjen e pronësisë.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka qenë dje në Orikum për të marrë takim me banorët e përfshirë në konfliktin për tokën e ndarë mbi bazën e ligjit 7501 “Për tokën”. Ai shoqërohej nga deputetët socialistë Fatmir Toçi dhe Eltar Deda. Në këtë takim kryesocialisti u shpreh se nuk duam t’i japim çështjes ngjyrime politike, ndërsa ka dëgjuar banorët për shqetësimet e tyre. Banorët kanë ngritur problemet e prezencës së forcave policore, mosdhënien e zgjidhjes në lidhje me procedurat që rregullohen me ligjin 7501. Banorët pjesëmarrës në takim bënë prezent faktin se ishin keqtrajtuar dhe dhunuar, marrë zvarrë, në një kohë që ata kishin mundur të shuanin konfliktin, për të mos kthyer rrugët e Orikumit në një Gërdec të dytë. “Sot janë prekur 56 familje, nesër do të jenë të tjerë dhe në tërësi 600 familjet që kanë këtë problem do të preken. Qoftë me pronën e re dhe të vjetër, është bërë katrahurë dhe me kthimin e Sali Berishës në pushtet, kjo është shfrytëzuar edhe më tepër. Orikumi është vetëm një pjesë e zullumit që po bëhet në gjithë vendin me pronat. Ajo polici që vjen këtu me shkopinj gome, është policia e shtetit tonë, është policia e shtetit tuaj, të kthyer në bandë që i shërben drejtpërsëdrejti familjes së Sali Berishës”, tha Rama. Kreu i PS-së theksoi se: “Sali Berisha kërkon të bëhet pronari më i madh i Shqipërisë, familja e tij po bëhet latifondiste shqiptare”. “Ju e dini tani se edhe njohja, edhe kthimi i pronave po bëhet me sekser. Po nuk bëre pazar me familjen kryeministrore nuk merr asnjë metër katror tokë. Këtu ka dhe një problem tjetër, nuk është një rast si ato të tjerat. Nuk është se nuk kanë shkelur këtu për problemin tuaj. Ju këtu jeni parë me Sali Berishën, i cili ju ka thënë ‘se sa të fitoj, ky do të jetë problemi emergjent që do të zgjidh qysh javën e parë në krye të qeverisjes sime’. Nëpërmjet kryeshërbëtorit të familjes, Lulit, policia po keqpërdoret vetëm nga Sali Berisha. U pa qartë kjo edhe dje në Tiranë. Duan të kërcënojnë nëpërmjet saj: o me ne, o s’keni pronë”, theksoi Rama. Kreu i PS-së theksoi se çështja është që kjo kërkon zgjidhje dhe i bëri thirrje Berishës që vijë në Orikum dhe të flasë me njerëzit. “Siç u ke premtuar. Unë do të angazhoj, jo vetëm deputetët që kam me vete Dedën dhe Toçin, por edhe juristët më të mirë që kemi, deputetë apo jo. Do të ngremë një grup specialistësh që do të bëjnë avokatin tuaj, deri në zgjidhjen e këtij problemi. Në qoftë se shteti i kapur peng nuk u përgjigjet, ne së bashku do të gjejmë gjithë argumentet që t’i rreshtojmë në gjykatë. Aty ku vidhet vota, vidhet dhe toka e gjithçka tjetër. Një pushtet që vjedh votën, vjedh çdo gjë tjetër. Personalisht Sali Berisha po përdor pushtetin për t’u bërë pronari më i madh i pronave, latifondist. Jemi bashkë për të dhënë e gjetur zgjidhje ligjore. Unë jam me ju nëpërmjet rrugës së ligjit dhe fakteve”, theksoi Rama.