Bumçi: Jo ministra me poste partiake
Shtohen zërat për ndarjen e posteve ministrore me ato partiake brenda PD-së. Pro kësaj ndarjeje del edhe kreu i PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi. Sipas tij, disa prej ministrave që gëzojnë edhe poste drejtuese në parti duhet të largohen për shkak të impenjimeve të shumta në qeverisje. “Kur fiton zgjedhjet është normale që figurat kryesore, njerëzit që kanë mbajtur peshën e kësaj partie në opozitë të kalojnë në qeverisje. Në periudhën 2005-2009 pjesa kryesore e vëmendjes ishte tek qeveria dhe partia u la në një farë mënyre në heshtje. Mendoj që duhet ta tejkalojmë këtë fazë, të krijojmë një traditë. Në fund duhet të kemi një parti që të jetë aktive, të mbajë kontaktet me njerëzit, për këtë arsye partia ekziston. Strukturat të mblidhen, të jetë funksionale, pra duhet të ketë një vëmendje më të madhe në parti dhe kjo nuk mund të bëhet nëse postet janë në njehsuara. Nuk është debati me emra të përveçëm që e ndihmon këtë”, tha Bumçi. Kryedemokrati i Tiranës, shprehet se: “Nuk do të kursehet zëvendësimi i krerëve të atyre strukturave që kishin rezultate të dobëta në 28 qershor, krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit të 2007. “Një analizë nuk është për të prerë koka. Nisesh për të rregulluar aq më tepër që zgjedhjet kanë ndodhur disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Nëse diku ka një rënie të ndjeshme duhet parë pse ka ndodhur dhe patjetër do të merren edhe hapat e nevojshëm për ta korrigjuar. Nëse korrigjimi kërkon edhe ndryshimin e kryetarit të atij seksioni, edhe ajo do bëhet”, tha Bumçi. Ndarja e këtyre funksioneve është në fakt një debat gati 2-vjeçar në Partinë Demokratike, por që pritet të marrë përgjigje në mënyrën se si do të trajtohet, falë një procesi ndryshimesh statutore.