Prifti: Grup kontrolli për marrëveshjet koncesionare
Pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është ngritur një grup pune, i cili do të kontrollojë të gjithë marrëveshjet koncesionare. Kështu është shprehur dje në një deklaratë për media kreu i kësaj ministrie, Dritan Prifti. Ministri ka reaguar dje edhe në lidhje me kontratën koncesionare që ka qeveria me kompaninë ACR. “Nuk ka thënë askush që do të hiqet koncesioni që ka kompania ACR. Në Elbasan duket që gjërat po ecin normalisht, ndërsa në Burrel dhe Bulqizë gjërat po shkojnë keq. Sipas marrëveshjes së koncesionit janë 120 milionë dollarë që duhen investuar në Burrel dhe Bulqizë, ndërkohë që nuk janë investuar as 10 milionë dollarë”, u shpreh Prifti. Sipas tij, për të gjitha ato marrëveshje koncesionare që nuk kanë zbatuar kriteret e marrëveshjes si dhe nuk garantojnë sigurinë e minatorëve, ministria do të ndërmarrë masa të rrepta. Dy ditë më parë ministri Prifti ka zhvilluar një takim me minatorët dhe ka sqaruar ata në detaje në lidhje me procesin e kontrollit dhe heqjes së licencës për koncesionet minerare që nuk zbatojnë kontratat dhe detyrimet ndaj shtetit. Ministri ka rënë dakord me minatorët se çdo gjë do të bëhet me transparencë, me këshillim dhe në favor të tyre. Sipas tij, zbatimi i ligjit për koncesionarët që nuk zbatojnë detyrimet nuk do të sjellë asnjë largim nga puna të minatorëve, por përkundrazi synon të rrisë punësimin, kushtet e sigurisë dhe të ardhurat e minatorëve, të cilët për hir të së vërtetës shfrytëzohen barbarisht nga disa subjekte. Minatorët informuan ministrin Prifti se vetëm në pak vite të fundit kanë vdekur mbi 18 minatorë vetëm në minierën e Bulqizës.