Patozi: “Do ta shqyrtojmë me seriozitet kërkesën e PS-së”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka vlerësuar dje depozitimin në Kuvend të kërkesës së PS-së për hetimin e zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Patozi, duke e cilësuar këtë rrugë të ndjekur nga PS-ja ligjore, ka garantuar se kërkesa e opozitës do të shqyrtohet me seriozitet maksimal nga ana e maxhorancës. Më tej ai ka bërë të ditur se PD-ja është e hapur për të kryer çdo hetim të procesit zgjedhor që është në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Depozitimi i kërkesës së PS-së në Kuvend vjen pas përgjigjes së dhënë nga kryeministri Berisha. Ky i fundit, pasi mori në dorëzim ofertën e Ramës për hetim vetëm të materialeve zgjedhore, duke hequr dorë nga kërkesa për hetimin e fletëve të votimit, i bëri thirrje PS-së që ta paraqesë kërkesën në rrugë ligjore në Kuvend.
Deklarata
“Dëshiroj së pari të përshëndes dhe të shpreh vlerësimin në emër të maxhorancës për depozitimin dje në Kuvendin e Shqipërisë të kërkesës së Grupit Parlamentar të PS-së për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e vitit të shkuar. Më duhet të nënvizoj se ky akt vjen gati tri javë pas letrës që kryetari i PS-së, Edvin Rama, i dërgoi kryeministrit të vendit dhe kryetarit të PD-së, z. Sali Berisha. Me këtë rast, ne mirëpresim futjen në procedurë institucionale të një pretendimi të kahershëm të opozitës”, - është shprehur Patozi, duke vënë në dukje vonesën në depozitimin e kësaj kërkese nga ana e PS-së, në Kuvend. “Dua gjithashtu të garantoj PS-në dhe çdo qytetar të këtij vendi, se kjo kërkesë, tashmë ligjore, pasi mban firmat e mbi 28 deputetëve të Parlamentit shqiptar, do të shqyrtohet dhe trajtohet me seriozitet më të madh nga ana jonë. Ndërkohë më duhet të theksoj edhe njëherë se kjo maxhorancë qëndron tërësisht e hapur për çdo hetim, që do të kryhet në përputhje me Kushtetutën e vendit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për Komisionet Hetimore Parlamentare”, - garantoi kreu i deputetëve demokratë.
Kodi Zgjedhor
Sipas burimeve, pritet që demokratët të mos pranojnë kërkesën e PS-së për mosdjegien e fletëve të votimit. Kjo për shkak se neni 178 i Kodit Zgjedhor parashikon që në momentin kur hapen kutitë e materialeve zgjedhore, fletët e votimit i nënshtrohen asgjësimit të tyre, ndryshe nga sa kërkojnë socialistët. “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit dhe tabelat, procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, - thuhet saktësisht në Kodin Zgjedhor.
Itali-Shqipëri, bashkëpunim në fushën e agro-turizmit
Kryeministri Berisha priti dje në takim ministrin italian të Politikave Agrare, Ushqimore dhe Pyjore, Xhankarlo Galan, me të cilin bisedoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe agro-turizmit. Kryeministri Berisha e njohu ministrin Galan me zhvillimet pozitive vitet e fundit në fushën e bujqësisë në Shqipëri dhe u ndal veçanërisht në dy projektet madhore kombëtare: projektin e ullirit dhe atë të drurëve frutorë arrorë. Në këtë drejtim, u shpreh Berisha, Shqipëria mund të përfitojë nga njohuritë dhe përvoja e gjatë e Italisë. Një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm në bashkëpunimin midis dy vendeve, kryeministri Berisha konsideroi edhe certifikimin e produkteve shqiptare. Kryeministri theksoi se Shqipëria mund të përfitojë nga eksperienca italiane edhe për certifikimin e produkteve shqiptare, të cilat i cilësoi produkte të shkëlqyera dhe në këtë aspekt, veçanërisht ndihma dhe bashkëpunimi me qendrat kërkimore-shkencore italiane do të ishte e vyer. Agro-turizmi u konsiderua një tjetër fushë bashkëpunimi, për të cilën Berisha u shpreh se është i një rëndësie të madhe dhe fushë prioritare për qeverinë.
Berisha takon kreun italian të Komisionit Parlamentar të Transportit
Kryeministri Berisha priti dje në një takim deputetin e Parlamentit italian, Mario Valduçi, kryetar i Komisionit Parlamentar të Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit në Itali. Gjatë takimit zoti Valduçi i bëri një prezantim të shkurtër kryeministrit Berisha të iniciativës për krijimin e Klubit të Lirisë në Shqipëri, si një mekanizëm komunikimi e bashkëpunimi midis dy vendeve, ku bashkohen përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile, politikës e individë, për të promovuar e mbështetur lirinë, demokracinë dhe prosperitetin. Duke e përshëndetur këtë iniciativë, kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë që tashmë bazohet në deklaratën e partneritetit strategjik të firmosur një vit më parë dhe e konkretizuar me një numër të lartë shkëmbimesh midis dy vendeve në fushën politike, institucionale, ekonomike e kulturore. Kryeministri vlerësoi mbështetjen dhe rolin e Italisë në proceset e integrimit europian të vendit, në veçanti atë të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Berisha bëri gjithashtu një ekspoze të zhvillimeve ekonomike pozitive të vendit duke konsideruar si një çelës suksesi reformat ekonomike dhe modernizimin e institucioneve të ndërmarra nga qeveria shqiptare, luftën kundër korrupsionit dhe projektet masive të investimeve në infrastrukturë. Zoti Valduçi vlerësoi reformat e ndërmarra nën qeverisjen e kryeministrit Berisha dhe rezultatin e këtyre reformave, të cilat e kanë transformuar vendin në pesë vitet e fundit dhe shprehu mbështetjen e Italisë në këtë drejtim, duke mbështetur në mënyrë të veçantë projektin në fushën e dixhitalizimit. Në takim u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik me pjesëmarrjen e politikanëve, sipërmarrësve dhe gazetarëve italianë me qëllim vënien në pah të potencialeve të ekonomisë shqiptare.
4 Dhjetor 2010