Zoti President, sekseri më i madh është zv/presidenti Kreshnik Spahiu
Siç u pa mbrëmë, në disa edicione lajmesh, komente e intervista, zv/presidenti - dmth nënkryetari KLD-së - dhe funksionarë të tjerë të sistemit të drejtësisë ngritën ulërima të mëdha për gjendjen në drejtësi dhe për reformat në sistemin e saj. Të gjitha këto, sikur t’i thoshin ata që nuk janë në këtë sistem, apo ekspertë pa konflikt interesi, mund të dëgjoheshin, për të parë se ku e kanë të drejtën ose jo. Por të dëgjosh nga goja e presidentit, që e kryeson KLD-në, dhe e zëvendësit të tij, aspak kreshnik (spahiu), kjo është shumë e trishtueshme, sepse nuk jep asnjë perspektivë për një fat a pamje tjetër të këtij sistemi. Kujt ia kërkojnë ata korrupsionin dhe batakçillëqet nëpër gjyqe e prokurori? A i kanë parë ata ndonjëherë dosjet me realizëm, me ndershmëri profesionale dhe me ekspertizë inteligjente juridike, apo flasin në tym, ndërsa janë fajtorët kryesorë? S’mund të flasësh kurrë zoti President, për sekserët nëpër gjyqe, kur kryesekser ke zv/presidentin Kreshnik Spahiu, i cili shpiku librin e gjobave dhe të emërimeve. Çfarë kujton, zoti President, se ato çfarë bëhen nëpër tavolina klinteliste nuk merren vesh? Të parët janë ata që paguhen dhe që e mbajnë vrapin në rrëfim. Në qoftë se ne kemi një gjendje - siç ju vetë e pranoni - të gjykatave dhe të prokurorisë, kjo do të thotë se jeni ju, se është vetë Spahiu frymëzuesi dhe shkatërruesi i sistemit të drejtësisë, që nga propozim-emërimet e deri tek lojërat teatrale me votat legale “kundër” dhe votat e mbyllura “pro”. Asnjë hap nuk do të bëhet në zgjidhjen e problematikës dhe të korrupsionit në drejtësi pa kthimin e kameras vëzhguese drejt vetes tuaj, që e drejtoni këtë.
Pa shikojeni dosjen e korrupsionit për tenderin e pastrimit të Pogradecit, ku kryetari i Bashkisë, edhe pse nuk ka dalë në Gazetë Zyrtare fituesi i tenderit, vazhdon dhe e paguan tenderin, madje edhe e detyron Gjykatën e Apelit Korçë që të bëjë vendim në favor të fajtorit. Merreni dhe shikojeni këtë vendim që Gjykata e Apelit e mban sekret, që prokurorja e Korçës - që u paralajmërua - nuk e kërkoi apelimin më lart.
Po të japim një shembull, për qindra-mijëra euro që lëvizin aty.
Ose mund të përmendim edhe rastin e prokurores së Tiranës, e cila shkresën për paraqitje në prokurori e bën me 17 gabime ligjore, që i thotë këmbës dorë e që s’ndan dot dëshmitarin nga i pandehuri. Kërkoni-kërkoni, se një vëllim i tërë do të dalë e do të jetë best-seller, me tërë megakorrupsionin e sistemit gjyqësor, për të cilin jeni ju fajtor, jeni ju përgjegjës dhe që para se të zbrisni tek sekserët që lëvizin anës Lanës, shikoni nga shoferët… Bile shtrihuni deri tek lidhjet okulte që nuk ju lënë pa akuzë në radhë të parë juve që e drejtoni dhe e komandoni këtë sistem drejtësie. Mikroklimat bastarde dhe bajate në KLD-në e sotme, situate për interesat e vogla dhe përfitimet e çastit, nuk do të mund ta ndalin kurrë hapjen e kutisë së Pandorës, ku janë fotografitë e kryesekserëve.
Në fund, për lexuesin mbetet bashkëbisedimi pyetës: A nuk duhej nisur gjithë komenti, analiza apo ekspertiza e kësaj çështjeje nga maja e degradimit që ka pësuar ky sistem drejtësie, qëkur Spahiu kapi edhe postin e zv/presidentit?