E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia e shpresës

Serbia është i vetmi shtet në botë që, politikën e ditës e bën sipas postulatit “Shpresa vdes e fundit”, kur, tjetërkund janë individë të veçantë që, te shpresa gjejnë ngushëllim. Kundërshtimin për njohjen e paavarësisë së Kosovës, nëse metaforikisht e quajmë një baladë vajtimi serbe, e pashoqëruar me gusël, fjalën “kurrë!”, e përdorur kahdo prej tyre, e kanë kthyer në refren të saj, si për të theksuar qendrimin e palëvizshëm. Kjo Serbi, që këmbëngul te mosnjohja e shtetit të Kosovës; që përsërit se nuk ka për ta njohur kurrë; që është miratuar edhe në kushtetutë; që ua shqipton “copë në gojë” zyrave vendimmarrëse perëndimore, edhe kur ato e përkëdhelin për afrim: Të gjitha këto, i ka politikë për përfitime? Kësisoj, ndërton barazpesha mes liberalëve europianë dhe nacionalistëve serb të thartuar? Si gjithmonë, kërkon të fitojë kohë? Me to, synon t’i mbajë të pashprishura radhët e përkrahësve? Ashtu, kërkon t’i hapë dinakërisht dyert e Bashkimit Europian dhe mbajtjen çelur të derës kah Rusia, pra një “lojë politike me dy porta”? Apo, ajo jeton me strategjinë e shpresës, por duke vepruar, domethënë që, “Dita serbe do të vijë!” kur “Dita shqiptare të perëndojë!”.
Janë të vetmashtruar ata që besojnë se politikës serbe po i bie zemërimi nga ledhatimet për në Bashkimin Europian, se është prekur nga shpërqendrimi i qëllimit, për çfarë i duhet të bëjë pas çdo 10 qershori të 1999-ës, kur nga Kosova u largua me luftë, dhe pas çdo 17 shkurti 2008, kur Kosova u pavarësua dhe u njoh botërisht të jetë shteti fqinj jugor i Serbisë. Beogradi e di që nuk është e nuk mund të bëhet dot kurrë Rusi, të dërgojë tanket për të përsëritur Osetinë e Jugut e Abhazinë. Serbia, gjithashtu, e di që, Rusia nuk i prin dot për të përsëritur pushtimin e Kosovës. Edhe ata, që mund të arsyetojnë se, me heqjen e favorizuar të vizave, Serbia do të zbutet, gabohen: serbët e llogarisin këtë si shpërblim politik me synime të perëndimit, e arritur lehtësisht, në saj të trysnisë së nacionalizmit serb dhe keqardhjes së shtresuar në nënvetdijen europiane, për shkak të një lufte të padrejtë sipas serbëve dhe të një lufte të detyruar sipas europianëve. Vetë serbët janë të bindur se, heqja e vizave më shumë vjen si lëshim politik i BE-së se sa si plotësim i kushteve teknike nga Beogradi. Ata që shpresojnë se, duke u pranuar në Bashkimin  Europian, më vonë, Serbisë do t’i humbasë fuqia kushtëzuese, ndërsa Bashkimi Europian do të fitojë epërsi kushtëzuese, le të bëjnë një shëtitje brenda federatës, dhe do të vërejnë se disa vende janë të kapura ngërç ndërmjet tyre përmes kushtëzimesh dhe Brukseli nuk ka fuqi t’i sjellë në emëruesin e vet të përbashkët. Bashkimi Europian dhe Serbia, rreth asaj që ka ndodhur në Kosovë, gjithmonë kanë për të diskutuar me aq diferenca sa, Beogradi pengues i nesërm do të jetë Athina e sotme (me Maqedoninë). Dhe, BE nuk do të ketë fuqinë për ta detyruar atë të tërhiqet. Serbisë së një shekulli pushtimi të Kosovës, që iu zhbë një kohë kaq e gjatë sundimi, po përshtat statragjinë e qëndresës dhe të veprimit, duke pritur me shpresë një kohë tjetër, deri sa fuqia që mbështeti çlirimin e Kosovës - SHBA-ja, të dobësohet e venitet si fuqia numër një e botës, sa të humbasë interesin për këtë skaj apo të mos mund t’i mbroj interesat në këtë cep dhe, atëherë “Dita serbe” do të ketë ardhur përsëri.
Të dy shtetet, për arsye plotësisht të qarta, janë krejtësisht të kundërt: çdo hapi i Kosovës pasohet nga kundërhapi i Serbisë dhe çdo hap i Serbisë pasohet nga kundërhapi i Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë me sjellje mekanike, ose me inatin mes palëve, ose me keqdashjen, por buron nga thelbi i papajtueshëm i interesave të dy politikave: Kosova, siç e ka të fortë identitetin, punon ta ketë po aq të fortë dhe sovranitetin. Serbia që ka humbur pushtimin nga forca, shpreson se forca do ta kthejë në Kosovë. Mbi këtë janë ndërtuar strategjitë që pasurohen përgjatë rrugës, si nga Kosova dhe nga Serbia. Strategjia e Kosovës është shtet i lirë, sovran e demokratik brenda BE, por dhe “shtet moral i SHBA: miqësi e përjetshme me Amerikën, kurrë të mos shpërngulet Bondstill, shetitorja “Bill Kilinton” është e paplotë pa shtatoren e presidentit që udhëhoqi çlirimin, e cila, siç kanë njoftuar gazetat, është gati për t’u ngritur. Kosova europiane është shtet me dy valenca - një me Brukselin, tjetra me Uashingtonin. Serbia, gjithashtu, në reaksion politik ka dy valenca - një me Brukselin,  tjera me Moskën, por Rusia do të mbetet dashuria dhe aleanca më e parë. Ajo do të donte që një ditë Bondstilli të fshihej nga toka e Kosovës dhe kujtesa e të mbrojturve atje, tabela “Bill Klinton” e rrugës në Prishtinë të zëvendësohej dhe bronxi i shtatores së pritshme të çohej në shkritore. Strategjia e serbe në trajtën e ëndërrës përjeton shpresën e dobësimit të faktorit amerikan dhe largimin e tij, deri në mosekzistencë siç dikur nuk ka qenë asfare. Ndoshta, Europa, kur Serbia do të bëhet pjesë e saj politiko-administrative, beson se do të merret vesh me të, se nuk do të ndodhë një rrethanë të tillë: Serbia të mos i bindet Europës për diçka dhe Europa nuk do të mund ta detyrojë Serbinë në shumëçka. Shpresa e afërt serbe është ta pengojë Kosovën nga brenda Bashkimit Europian, por ëndrra serbe që mezi pret është, kur SHBA do të emigrojë politikisht prej këndej, të ketë shkuar në hapësira të tjera të domosdoshme, apo nga pafuqia të jetë tërhequr në territori e vet të madh.
 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›