E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Kosta”, përplasje të ashpra të PD-së me SHBA-të



Eljona Ballhysa

Rrëzimi nga PD-ja për motive politike dhe pa asnjë arsye juridike i kandidatit për në Gjykatën Kushtetuese, Vangjel Kosta, ka kristalizuar një krizë të rëndë që sa vjen dhe thellohet midis maxhorancës dhe Trupit Diplomatik. Ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë kanë shprehur dje shqetësimin e tyre për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht në emërimet për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në atë të Lartë. Rrëzimin e kandidaturës së Kostës pa asnjë arsyetim juridik, por vetëm për motive politike, ambasadorët e shohin si një përpjekje të qeverisë për të dominuar pushtetin gjyqësor në vend.
Në një konferencë të organizuar nga dy ish-presidentët, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, ambasadorët Withers, Bosh dhe ambasadorja e Britanisë, Mekullam, kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë së sistemit gjyqësor si kusht për të pasur institucione demokratike. Ambasadori amerikan ka qenë më i prerë në fjalën e tij. Ai i është rikthyer edhe njëherë rastit të rrëzimit të Vangjel Kostës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Withers e ka cilësuar jo transparent vendimin e PD-së, madje ka replikuar në distancë me kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke i bërë të ditur atij se në SHBA demokracia funksionon ndryshe.
PD-ja
Ndërkaq, edhe PD-ja është kundërpërgjigjur nëpërmjet deputetit Eduart Halimi. Në mungesë të arsyeve profesionale që mund të çonin në rrëzimin e kandidaturës së Kostës, Halimi është përpjekur ta banalizojë çështjen “Kosta” duke e akuzuar kandidatin si gënjeshtar. “Kandidati për anëtar i Gjykatës Kushtetuese gënjeu, mashtroi Komisionin parlamentar në seancën dëgjimore, kur mbas pyetjes së deputetëve nëse ka zhvilluar procese e gjyqe politike, iu përgjigj: ‘Jo’. Ndërkohë rezultoi se zoti Kosta kishte disa të tilla, për më tepër edhe në vitet e grahmave të fundit të regjimit barbar. E fundit, qoftë edhe vetëm për gënjeshtrën dhe mashtrimin që bëri para deputetëve të Komisionit, zoti Kosta nuk mund të pranohej”, - ka qenë qëndrimi i krerëve më të lartë të PD-së shprehur nëpërmjet deputetit Halimi.
Reagimi
Në dallim nga demokracia shqiptare fasadë, ambasadori amerikan ka ofruar optikën reale të një vendi demokratik si Shtetet e Bashkuara në lidhje me çështjen e drejtësisë. “Në harkun e tre viteve në Shqipëri kam mbajtur shumë fjalime për të cilat është e vështirë të thuash një numër të saktë. Por tema më e rëndësishme që jam përpjekur të theksoj dhe ta ritheksoj si një rëndësi që SHBA-të e populli amerikan u jep atyre është pavarësia e institucioneve demokratike, por, mbi të gjitha, ajo e Gjyqësorit. Nëse këto institucione nuk funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe autonome, dhe në një shoqëri ku sundon ligji, demokracia është goditur”, - është shprehur Withers, i cili më pas i është referuar rastit të Vangjel Kostës. “Ne të gjithë ndajmë një shqetësim të përbashkët për emërimet në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Jemi të gjithë të shqetësuar nga vendimi i Parlamentit për të rrëzuar kandidaturën e një zotërie si Vangjel Kosta. Mënyra dhe mungesa e transparencës në mënyrën se si është marrë ky vendim është i çuditshëm. Duket sikur vlerësimi është bërë në bazë të kritereve, të cilat janë parashtruar në ligjin e lustracionit, i cili nuk u miratua as nga Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, por as nga Komiteti Këshillimor i Komitetit të Venecias. Kjo nuk është transparencë dhe ngjall dyshimet e ndikimeve politike mbi gjykatat, të cilat nuk duhet të ndodhin në një shoqëri demokratike”, - nënvizoi Withers.
Replika
Përfaqësuesi i Diplomacisë amerikane u ndal për disa minuta dhe në deklaratën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili, me rrëzimin e kandidaturës së Kostës solli si shembull praktikën e Senatit amerikan kur janë rrëzuar kandidaturat për në Gjykatën e Lartë. “Ky nuk është një shembull i përshtatshëm dhe jep përshtypjen e gabuar. Senati, në kontrast të vendimit të Parlamentit shqiptar lidhur me kandidaturën e zotit Kosta, organizon seanca dëgjimore, të cilat janë të hapura për të gjithë dhe mund të zgjasin për ditë të tëra derisa të arrihet në një gjykim bindës. Kandidati është i lirë të japë fakte në mbrojtje të tij ose të saj. Votimi që Senati do të japë për kandidaturën dhe shpjegimet që do të japin për votën janë të hapura, ndryshe nga çfarë ndodh në Shqipëri”, - ka replikuar Withers. Në fund të fjalës së tij ambasadori amerikan bëri thirrje që për votimin e dekreteve të tjera të Presidentit të shikohet kualifikimin profesional i kandidatëve dhe të mos merren vendime politike.
OSBE-Britani e Madhe
Edhe ambasadori Bosh vuri theksin në domosdoshmërinë e transparencës në emërimin e gjykatësve. Ai tha se Parlamenti duhet t’i kushtojë rëndësi formimit profesional. “Është e drejta e Presidentit të emërojë e të zgjedhë kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Parlamenti duhet të shohë nëse këta kandidatë i kanë plotësuar këto kritere profesionale, dhe jo politike. Kjo është fryma e Kushtetutës. I mbetet Parlamentit vetëm t’i miratojë ato dhe është e drejtë e Presidentit të propozojë ato”, - është shprehur Bosh.
Ndërsa ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona Mekullam, vuri theksin në domosdoshmërinë e një gjyqësori të pavarur nga politika. “Një sistem gjyqësor i pavarur është një ndër gurët e themelit të një shteti demokratik dhe një kusht thelbësor i Bashkimit Europian. Kjo është thelbësore për të forcuar pavarësinë, profesionalizmin, integritetin e sistemit të drejtësisë dhe që të gjithë të kenë besim te gjykatat dhe në mënyrë të veçantë shtetasit shqiptarë”, - është shprehur ambasadorja e Britanisë.

29 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›