E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi-Ruci nisin bisedimet per hetimin e zgjedhjeve

13/07/2010 Partia Demokratike gati të negociojë me opozitën për hetimin parlamentar të zgjedhjeve

Për Berishën, nëse Rama do rinumërim të votave, duhet ti drejtohet Kushtetueses ose Strasburgut

Ergys GJENÇAJ

Kryetari i grupit kuvendor të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, është mandatuar nga Kryeministri Sali Berisha për të negociuar me opozitën mbi modalitetet për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet politike të 2009-s. Shefi i ekzekutivit ka deklaruar dje se mazhoranca është e gatshme të respektojë dhe plotësojë të gjitha pikat që Parlamenti Evropian ka përcaktuar në rezolutën e miratuar pak ditë më parë, në funksion të kapërcimit të ngërçit politik dhe kryerjes së transparencës së zgjedhjeve. Duke garantuar opozitën se në komisionin hetimor do të ketë kryetarin dhe shumicën në votim, Kryeministri nënvizoi se objekti i hetimit do të jetë çka është përcaktuar në rezolutën e PE-së, hetimi i materialeve zgjedhore. Sipas tij, mund të kalohet edhe te fletët e votimit, por më parë duhet që të thonë fjalën organet kompetente të drejtësisë, gjykatat. “Nëse insistohet për rinumërim të votave, në mënyrë absolute nuk kam asgjë kundër rinumërimit të çdo vote, të ndryshimit të çdo rezultati. Veçse kjo, të nderuar deputetë dhe deputete, mund të bëhet vetëm mbi bazën e respektimit të plotë të Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave. Në rast se Rama dëshiron ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e garantoj se jam i prirur dhe i vendosur të zbatoj çdo vendim të saj; kërkon ti drejtohet Strasburgut, Qeveria ime çdo javë vendos për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, sado që shpeshherë janë të dhimbshme dhe shumë të kushtueshme”, ka thënë kreu i Qeverisë. Në këto kushte, shefi i deputetëve të PD-së ka mandatin e plotë për të diskutuar me homologun e tij të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçin, për të konkretizuar pikat e rezolutës. “I garantoj opozitës, që ne kemi vullnet të plotë për zbatimin e saj. Nëse ata kërkojnë ta riformulojnë komisionin, të ulen dhe ne nuk kemi kundërshtim. I gjithë ky proces ka faktuar në mënyrë të qartë se në këtë vend është e mundur transparenca dhe funksionimi i shtetit ligjor plotësisht, në qoftë se ekziston vullnet nga PS-ja dhe unë nuk kam pse ta vë në dyshim”, ka theksuar Berisha.

Përpjekjet e palëve për të arritur një pikë takimi, me qëllim kapërcimin e konfliktit politik, ka ardhur menjëherë pas miratimit të rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë. Dokumenti detyroi palët të bien dakord për zgjidhjen e krizës politike. Ngërçi që përfshiu për një kohë të gjatë zhvillimet politike në vend po shkon drejt zgjidhjes, duke synuar një pakt mes dy forcave kryesore në vend, e cila do të përqendrohet te hapja dhe hetimi i kutive të materialeve zgjedhore.

Pensionet

Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së grupit ka vlerësuar se rritja e pensioneve ishte domosdoshmëri dhe një politikë shumë e drejtë. Ai ka analizuar qëndrimet e disa deputeteve të PS-së ndaj rritjes. “Të gjithë do të donim të kishim më shumë, por këtu nuk po ndodh ajo që po ndodh në vendet e tjera, ku po ulen pensionet dhe mos harroni, sepse kemi gjetur pensionin në fshat 36 mijë lekë. Kjo rritje që ne bëmë sivjet është sa dy pensione të vitit 2005. Një herë e quajtën veprim kriminal rritjen e pensioneve dhe tani dalin dhe po maten me tranguj, kunguj e patëllxhanë”, ka thënë shefi i ekzekutivit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›