E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: “Shqiptarët të mos e marrin seriozisht Ramën, sepse është në krizë”



Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të PS-së Edi Rama të bëra në qytetin e Vlorës. Patozi, i cili u zgjodh deputet në zgjedhjet e 28 qershorit, pikërisht në qarkun e Vlorës, tha se nuk është absolutisht e vërtet që festa e 28 Nëntorit po i gjen shqiptarët në një moment dramatik. Deputeti demokrat akuzoi Ramën se ka për mision të prishë festat e shqiptarëve, ndërkohë që ironizoi kryesocialistin, për të cilin tha se nuk duhet të merret seriozisht për ato që deklaron. “Shefi i aleancës punisto-mafioze u përpoq sot nga Vlora që të infektonte me virusin e tij edhe ditën e festës më të madhe të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Nën ethet e një skizofrenie jo vetëm politike, Edi Rama, po kërkon pa sukses që dëshpërimin dhe vrerin e vet pas humbjes në zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 28 qershorit, ta paraqesë si një fatkeqësi kombëtare. Por ne ftojmë të gjithë qytetarët e këtij vendi që të mos e marrin seriozisht dhe ta mëshirojnë këtë individ në krizë të thellë, sepse nuk është hera e parë që ata e shohin në një gjendje të tillë depresioni. Ai ka dështuar në të gjitha tentativat e veta për të prishur festat e mëdha të shqiptarëve, që nga marrja e ftesës për në NATO, ditën e madhe të anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut, e deri te vendimi historik i pranimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit të Bashkimit Europian, javën e kaluar. Ne i themi kësaj mendjeje të sëmurë se Shqipërinë dhe shqiptarët ky 28 Nëntor nuk i gjen në një moment dramatik dhe delikat, por duke përjetuar lajme dhe ngjarje të mëdha për të ardhmen e tyre. Shqiptarët janë sot anëtarë të NATO-s. Ata brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të lëvizin të lirë dhe pa viza në hapësirën Shengen dhe shumë shpejt do të bëhen qytetarë të Bashkimit Europian. Por ky është vërtet një moment dramatik për të gjithë ata nostalgjikë të diktaturës dhe mafiozë të rinj që u gënjen mendja se mund të ndryshojnë kursin e pandalshëm të Shqipërisë drejt progresit dhe integrimit europian, vetëm se është prishur ëndrra e tyre për të ardhur me çdo çmim në pushtet. Ky është vërtet një moment delikat për mafien politiko-ekonomike dhe për “padrinon” e saj, që shikon me frikë se çdo shtrëngim i darëve të forta të ligjit i prish në mënyrë të parikthyeshme llogaritë e saj të pista”, - u shpreh Patozi.

Xhaçka: “Pushtetarët po përsëritin shpifjet e Saliut”

Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, ka reaguar pas deklaratës së kreut të Grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi. Xhaçka tha se tashmë pushtetarët e PD-së nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po sulmojnë opozitën, duke përsëritur shpifjet e kryeministrit Berisha. “Shikojini, o popull, si janë turrur pushtetarët në sulm ndaj opozitës duke përsëritur si papagaj të hallakatur fjalët e çafkës që kemi kryeministër! I turr drejt nesh frika e madhe që e xhindos hajdutin e kapur me presh në duar dhe e gënjen mendja të gjorin Sali me patozët e tij se do e fshehin pas malit të shpifjeve të vërtetën që mbajnë peng në kuti! Asgjë nuk e ndal opozitën në të drejtën e saj, jo më Çafka Sali me papagajtë e tij”, - tha Xhaçka.

30 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›