E Diel, 1 Nëntor 2026

Drekon tek vjehrra, nga pija i shkatërron shtëpinë

24/07/2009  ELBASAN-Ngjarja e çuditshme ka ndodhur në Gramsh kur dhëndëri në gjendje të dehur ka shkatërruar shtëpinë e vjehrrës së tij duke e detyruar këtë të fundit të lajmërojë policinë. Një telefonatë në sallën operative të Gramshit nga vjehrra e zemëruar ka bërë që efektivat të mbërrinin në shtëpinë e saj, ndërsa dëmi tashmë ishte bërë. Ka qenë ora 18.30 kur A.M. 27 vjeç me banim në fshatin Drithas të komunës Libonik të Korçës, pasi ka ngrënë drekë në shtëpinë e shtetases H.B. 68 vjeç dhe pasi e ka ekzagjeruar me pijen ka filluar të shkatërrojë orenditë dhe derën hyrëse të shtëpisë. E alarmuar për atë që po ndodhte gruaja bashkë me të bijën që është edhe bashkëshortja e autorit kanë vendosur të thërresin policinë për të ndërhyrë në ndaljen e tij. Sipas burimeve të policisë, në vendin e ngjarjes ka mbërritur një grup hetimor, i cili pasi kreu veprimet e para ka dalë në përfundimin se shtetasi ka dëmtuar derën kryesore dhe shumë orendi të shtëpisë që kapin vlerën e 45 mijë lekëve të reja. Ndërsa është shoqëruar në komisariat nga shumë efektiva, 27-vjeçari pas kalimit të pijes ka mësuar çfarë kishte bërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›