Topi: Presidenti të zgjidhet nga populli, do jetë zgjedhja më e mirë

Presidenti Bamir Topi
Zgjedhja me mirë e presidentit është vetëm nëse bëhet nga populli ka deklaruar presidenti Bamir Topi i ftuar në emisionin Debat në Vizion Plus, ku ka folur rreth zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
Presidenti Topi ka komentuar garën presidenciale, në nisje të negociatave dhe ka thënë se kandidatura mund të jetë nga PD, por duhet të votohet nga PS
Presidenti mund të jetë nga PD, por nëse siguron më shumë se 71 vota, atëherë merr kuptimin e një presidenti konsensual. Do isha për një president konsensual, pra të ketë edhe mbështetjen e krahut të majtë, tha Topi.
Kur pyetet për bisedimet mes Ramës dhe Berishës? Topi përgjigjet se, nuk di asgjë për këtë.
Unë nuk di asgjë, nëse do takohen Rama me Berishën. Nuk kam patur kuriozitet të marr vesh ato që mësohen në lokalet e Tiranës. Kam qenë respektues i punës në institucione. Por, nuk më vjen mirë që dialogu i kafeneve është bërë sëmundje, deklaroi presidenti.
Ai ka deklaruar se nuk ka dijeni për bisedimet mes partive politike, e në veçanti për planet e kryeministrit Berisha për garën presidenciale. Kjo, sepse, sipas Topit, presidenti flet vetëm me institucione.
Topi thotë se presidenti nuk duhet të jetë i përfshirë në bisedime, është ekskluziviteti i aktorëve parlamentarë. Ai ka shtuar se presidenti nuk ka të bëjë me atë që është në afatin terminal të mandatit, por është një çështje që ka të bëjë me pushtetin politik legjislativ.
Topi e konsideron presidentin konsensual vetëm nëse zgjidhet me 71 vota. Mendoj që kthimi në votimin me 71 vota, nuk ishte opsion që u përkrah nga unë. Unë e di që jam zgjedhur me Kushtetutën e vjetër, me 85 vota. Askush nuk është në gjendje të japë një tjetër interpretim nga ajo çka presupozon numri 85. Nëse kushtetuta e lejon që 3/5 e votave janë 84 vota, që presupozojë mbështetje të gjerë në parlament jam nga ato raste që jam votuar me 85 vota, pastaj çfarë flitet, unë nuk i takoj pjesës së këtij niveli që merret me interpretime, të pozicionuara subjektivisht për të sulmuar presidentin, theksoi Topi.
Kur presidenti Topi është pyetur nëse i cilëson deklaratat e Ramës si një turp, ai i ka quajtur si një pasion të çastit.
Është mirë që njerëzit të shprehen edhe kur mbaron afati kushtetues i presidentit për të bërë diferencën. Unë sigurisht që nuk e kam pasur në dorë procesin e zgjedhjes, mund të gjykohem pas mbarimit të mandatit. E di që zoti Rama ka qenë nga të parët që ka ardhur dhe ka uruar në zyrë në një afat kohor të shkurtër. E kam vlerësuar si deklaratë të nxehtë politike, nisur nga momenti që të tjera plane kishin bërë, u dolën të tjera. Ia lë një pasioni të çastit”, deklaroi Topi.
Një nga vendimet e para ka qenë shkarkimi i zotit Theodhori Sollaku?
Nuk ka pasur asnjë lloj marrëveshje. Para se të bëhesha president kam qenë pjesë e atij pozicionimi, që ishte politik dhe institucional, sepse dhe opozita edhe mazhoranca përbëjnë institucion, pjesë e atij vullneti për të mbajtur qëndrim ndaj institucionit të prokurorit. Vazhdova të mbaja të njëjtin qëndrim për pozicionin e prokurorit, kam mbajtur qëndrim të pa influencuar nga influenca e askujt. Ka qenë qëndrim i imi për të dekretuar vendimin që kishte ardhur nga mazhornaca.
Si u shkua deri tek Ina Rama?
Në procese të tilla institucioni tenton që të marrë emra dinjitozë me një backgraund profesional, emra që gëzojë integritet dhe kjo ka qenë një periudhë, kur është konsultuar, pozicioni i kryeprokurorit është i rëndësishëm, zgjedhja ka qenë racionale. Ka qenë një propozim absolutisht i imi. Përshtypjet erdhën pozitive nga bashkëpunëtorë të mi dhe njerëz që e kishin njohur. Ishte emër që u përzgjodh dhe u votua jo pak në parlament, them që ka qenë zgjedhje racionale për të cilën unë jam i gëzuar që kam bërë atë zgjedhje.
Momenti në lidhje me Gërdecin?
Mendoj që mbledhja e Këshillit të Sigurisë me nevojën për raportim nga të gjitha institucionet me një qëndrim të hapur transparent, duke qenë përçues i një linje reale, mendoj që ka qenë reagimi i duhur për situatën. Ajo ngjarje pastaj vijoi me të gjitha procedurat e karakterit ligjor, por keqardhje përtej asaj që ndodhi. Ende nuk është dhënë verdikti dhe nuk ka përfunduar si proces gjyqësor. Proces që u zgjat për shumë arsye, lojërave të avokatëve për të shtyrë procesin. Ka qenë proces i mundimshëm për gjyqtarët, trupa gjyqësore ka qenë e impenjuar për një proces kaq të rëndësishëm është një periudhë tepër e gjatë që nuk duhet të shkonte kaq gjatë. Njerëzit kanë nevojë që të shohë sesi drejtësia të thotë fjalën e saj në mënyrë definitive.
Është përfolur për presione politike në këtë çështje?
Nuk e kam këtë informacion. Është një proces i hapur, një proces ku secili nga analistët ka pasur akses që të marrë informacion. Është e papranueshme zgjatja në kohë e një procesi, i cili kishte mundësitë për t’u përmbyllur më shpejt dhe drejtësia do të jepte fjalën e saj.
/Eljona Lata/