E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi në NEWS24: Në zgjedhje shkojmë me kodin ekzistues

TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi sot në mbrëmje gjatë emisionit “5 pyetje nga Babaramo” se në zgjedhjet e 8 Majit do të hyet me kodin ekzistues, pasi sic tha ai zgjedhësit shqiptarë nuk duan konflikte.

“Në zgjedhjet vendore do të hyjmë me kodin ekzistues, pasi është e pamundur që ai të ndryshohet në një kohë që partitë politike kanë konflikte me njëra-tjetrën. Zgjedhësit shqiptarë nuk i duan këto konflikte, prandaj ekspertët do përafrojnë draftin e propozuar sot nga PD”,- tha Patozi.

Duke u përqendruar tek tryeza e partive politike e mbajtur sot paradite, Patozi tha se është prezantuar një draft marrëveshje me 16 pika e cila mbështetet në të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, të cilin pret ta firmosin nesër të gjitha partitë e ulura sot në tryezë, ndërsa nënvizoi se kësaj draft-marrëveshje nuk mund t’i shtohen 8 pika me sugjerimet e PS, pasi sic tha ai, kjo nuk është kompetencë e partive politike. Sipas Patozit shtimi i këtyre pikave do të thoshte ndryshim të kodit elektoral, prandaj ai i quajti politike, propozimet e bëra sot nga homologu Ruci.

“Jemi të gatshëm të pranojmë cdo sygjerim, por PD nuk ka përgjegjësi të marrë përsipër vendime që s’na takojnë. Nuk mund të marrim ne përsipër vendimmarrjen e KQZ, ne marrim përsipër vetëm vendimet si parti politike. Kërkesat e zotit Ruci janë kërkesa politike për të cilat nuk mund të marrim përsipër përgjegjësi që nuk i kemi si forcë politike”,- tha Patozi.

Ndërsa analizoi një prej tetë pikave të propozuara nga PS, sic ishte ajo e pajisjeve që verifikonin vlefshmërinë e kartave të identitetit, Patozi tha, “kjo është një gjë e pamundur për t’u realizuar, kjo kërkon ndryshim në kod. Si mund të ndryshohen kartat që cuan shqiptarët drejt Europës”,- shtoi ai më tej.

Në propozimet e kreut të grupit të PS-së Gramoz Ruci përfshihej transparenca postelektorale, transparenca e listave të zgjedhësve dhe anulimi i vendimeve të KQZ që janë miratuar me shumicë të thjeshtë dhe që kërkojnë shumicë të cilësuar.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›