E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vrasja e oficerit të policisë Roland Likaj, 3 në pranga

TIRANË- Policia e shtetit në kuadrër të operacionit të koduar “Shtegtari” ka mundur të zbardhë vrasjen e oficerit të policisë së Vlorës Roland Likaj si dhe të vërë në pranga 3 persona, si të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje. Me anë të një komunikate për mediat Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit Agron Kulicaj sqaron se personat e ndaluar janë: shtetasit Jetnor Xhevahir Nakoleci, vjeç 25, lindur në Korçë e banues në Tiranë.

Saleo Arben Stojani, vjeç 18, lindur e banues në Korçë, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, i arrestuar me datë 15 dhjetor 2010 për një sërë vjedhjesh të kryera në bashkëpunim në Qarkun e Korçës dhe aktualisht vuan dënimin prej 20 muajsh burgim për këto vepra penale, si dhe shtetasi me inicialet E.Z., vjeç 17, lindur në Elbasan dhe banues në Korçë.

Këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin më datë 18 tetor 2010, rreth orës 02.30’, në lagjen “1 maji”, Vlorë, kanë vrarë me armë zjarri pistoletë, në krye të detyrës, Nënkomisarin e policisë Roland Likaj.

Zbardhja dhe dokumentimi i plotë ligjor i kësaj ngjarje u bë i mundur në sajë të një pune intensive informative-gjurmuese dhe hetimore të Drejtorisë kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Korçë, Vlorë dhe Tiranë. Ky operacion u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë për Krime të Rënda.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›