E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji i qeverisë, SHISH kthehet në instrument politik për përgjimin e opozitës

Kufizohet mandati i drejtorit dhe i zëvendësdrejtorit të SHISH
Kryeministri Berisha ka propozuar projektligjin për disa ndryshime në Shërbimin Informativ të Shtetit, që u miratua gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Ky draft parashikon, ndër të tjera, të drejtën që i jepet këtij institucioni për të përgjuar të gjithë ata individë që me veprimet e tyre synojnë të përmbysin sistemin e demokracisë parlamentare. Megjithëse dispozita e parashikuar mbetet evazive, ajo nënkupton të drejtën e përgjimit të përfaqësuesve të opozitës duke e kthyer këtë institucion në një instrument tërësisht politik. Midis të tjerave, ndryshimet në këtë ligj zhvlerësojnë firmën e Presidentit të Republikës në emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it. Kjo për faktin se propozimet e kryeministrit, para se t’i dërgohen Presidentit, do të marrin miratimin e Kuvendit. Pasi propozimet marrin miratimin e Kuvendit, atëherë situata bëhet e vështirë për presidentin që të mos i miratojë emrat e propozuar nga kryeministri, që gëzojnë mbështetjen e shumicës parlamentare, ndaj dhe firma e tij kthehet në një procedurë formale të parëndësishme. Por kështu, projekti parashikon kufizimin e mandatit të drejtuesve të SHISH-it deri në 5 vjet me të drejtën e riemërimit për një mandat të dytë.
Ndryshimet
Projekti parashikon ndryshimin e Nenit 3 të ligjit të mëparshëm, i cili shton pikërisht të drejtën e SHISH-it për të përgjuar individët që me veprimet e tyre synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare. “Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë: Të mbrojë sigurinë kombëtare, në veçanti, mbrojtjen kundër kërcënimeve nga spiunazhi, terrorizmi dhe sabotimi, si dhe nga veprimet që synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare”, - shkruhet në pikën e parë të këtij neni. Përgjithësisht, me çështjet që lidhen me Parlamentin kanë të bëjnë përfaqësuesit politikë, ndër më kryesoret është opozita. Megjithëse dispozita është evazive, ajo lë shteg që të përdoret ndaj përfaqësuesve të opozitës.
Më tej, në Nenin 5 të ligjit është shtuar një pikë që parashikon se drejtori i SHISH-it garanton se ky institucion nuk ndërmerr veprime në interes të ndonjë partie politike, por “drejtori i SHISH-it i paraqet kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij. Sipas përcaktimeve të kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit raporton edhe në Këshillin e Ministrave”, - shkruhet në projektligjin e ri.
Në draftin e miratuar dje nga qeveria është shtuar dhe Neni 5/1, që parashikon kufizimin në 5 vjet të mandatit të drejtorit të SHISH-it dhe të drejtën e kryeministrit për t’i miratuar paraprakisht emrat për postin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe më pas t’i dërgojë për miratim te presidenti. “Me propozimin e kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Drejtori qëndron në detyrë për një mandat 5 - vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Me propozimin e kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare”, - shkruhet në këtë nen.
Ndërsa në Nenin 9 shtohet një dispozitë që i jep të drejtë kryeministrit që të miratojë bashkëpunimin e SHISH-it me shërbimet informative të vendeve të huaja, dispozitë kjo që nuk ka qenë në ligjin e mëparshëm dhe se SHISH mund të bashkëpunonte pa miratimin e kryeministrit.
Deklarata
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri theksoi se të gjitha këto ndryshime synojnë të përshtatin objektivat e punës së Shërbimit me kërkesat e kohës, me kërkesat e mëdha që shtrohen para vendit pas anëtarësimit në NATO, por edhe në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Europian. Berisha bëri të ditur se në objektin e punës së SHISH-it “qartësohet më mirë detyra e Shërbimit për të ndihmuar, ndonëse ndihmon, agjencitë e zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar, shtohet një objektiv i ri, lufta kundër korrupsionit të personit publik”.
Më tej kryeministri u shpreh se është i nevojshëm ushtrimi i kontrollit ndaj SHISH-it nga Kuvendi dhe posaçërisht nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare. “Në të gjitha ligjet e vendeve të lira, në qoftë se bëhet fjalë për kontroll absolut mbi Shërbimin, ai kontroll ushtrohet nga komisioni parlamentar respektiv. Natyrisht, në këtë ligj dhe në shumicën e ligjeve të tjera, Shërbimi varet nga kryeministri i vendit, çka do të thotë se ai ka të gjitha përgjegjësitë e një institucioni që varet prej tij. Por ligji i një vendi demokratik përcakton kontrollin që ushtron inspektori i Përgjithshëm. Inspektori i Përgjithshëm i Shërbimit duhet të kontrollojë gjerësisht, sikundër ligji i jep të drejtën drejtorit të Shërbimit, që në çështje të caktuara të mos i përgjigjet, por të informojë kryeministrin për çështjen. Ligji i jep Komisionit Parlamentar të Çështjeve të Sigurisë të drejtën e kontrollit të plotë në çdo shërbim. Natyrisht, i përket Parlamentit të përzgjedhë praktikën më të mirë të këtij kontrolli, pasi ky nuk është një kontroll publik”, - është shprehur Berisha.

Ligori: “Berisha do të fusë duart edhe në SHISH”

Partia Socialiste ka reaguar dje për ndryshimet në ligjin për SHISH-in. Deputetja e PS-së, Shegushe Ligori, u shpreh dje se Berisha, me ndryshimet e propozuara, synon të vërë nën kontroll Shërbimin Informativ Shtetëror. “Sot Sali Berisha vijoi me kërcënimin e radhës ndaj një tjetër institucioni të rëndësishëm kushtetues. Sot kryeministri i votave të vjedhura na e bëri të qartë se kërkon të deformojë e të vërë nën kontroll edhe Shërbimin Informativ Kombëtar, duke e maskuar këtë përpjekje pas gjoja nevojës për ndryshime e reforma. Fatmirësisht, sot, të gjithë shqiptarët e mbajnë ende mend SHIK-un e kontrolluar nga Sali Berisha dhe janë të vetëdijshëm se ç’pasoja do të ketë një zhvillim i tillë për demokracinë e brishtë shqiptare. Pikërisht për këto arsye, Partia Socialiste nuk mund të lejojë që një institucion kaq i rëndësishëm të shndërrohet në një vegël të qeverisë, prandaj do ta kundërshtojë me forcë këtë përpjekje të fundit të kryeministrit, e cila përbën një arsye më shumë për të kërkuar largimin e Sali Berishës”, - është shprehur Ligori.

Box
Ndryshimet

Ishte
Neni 3
Shërbimi Informativ Kombëtar ka këto detyra kryesore:
- Mbledh informacion nga jashtë në funksion të sigurimit kombëtar.
- Kryen veprimtari kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues.
- Mbledh informacion për terrorizmin, për prodhimin dhe trafikun e narkotikeve, për prodhimin e armëve të dëmtimit në masë, për krimet kundër mjedisit.
- Mbledh informacion për krimin e organizuar që cenon sigurinë kombëtare.
- Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve dhe të pasurisë me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve.
- Kryen veprimtari mbështetëse tekniko-administrative, sipas nevojave për realizimin e funksioneve të mësipërme.
Për realizimin e detyrave të mësipërme Shërbimi Informativ Kombëtar ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe të lirive të individit.
Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së këtij organi.

Bëhet
“Neni 3
Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë:
a) Të mbrojë sigurinë kombëtare, në veçanti, mbrojtjen kundër kërcënimeve nga spiunazhi, terrorizmi dhe sabotazhi, si dhe nga veprimet që synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare.
b) Të mbledhë informacion për prodhimin, trafikimin e armëve e të lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe për krimet kundër mjedisit.
c) Të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike.
ç) Të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda.
d) Të mbledhë, me miratimin e kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera.
dh) Të mbrojë sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve dhe të pasurisë, me mjete të përshtatshme, përfshirë verifikimin dhe kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve.
e) Të certifikojë personat sipas përcaktimeve ligjore.
ë) Të kryejë veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme.
Shërbimi Informativ i Shtetit, për realizimin e funksioneve të mësipërme, ruan raporte të drejta, ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut.
Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit”.

Ishte
Neni 5
Shërbimi Informativ Kombëtar drejtohet nga kryetari, i cili përgjigjet për veprimtarinë e tij.
Kryetari e zëvendëskryetari i tij emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të kryetarit të Këshillit të Ministrave.
Kryetari i SHIK-ut ka këto detyra:
- Informon dhe raporton te Presidenti i Republikës dhe te kryetari i Këshillit të Ministrave për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar.
- Përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike.
- Mbron metodat dhe burimet e informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara.
- Statusi i tij, për efekte trajtimi ekonomik, njësohet me atë të një ministri, ndërsa ai i zëvendëskryetarit të SHIK-ut me atë të një zëvendësministri.

Bëhet
“Neni 5
Shërbimi Informativ i Shtetit drejtohet nga drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili është përgjegjës për:
a) operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kontrollin e tyre;
b) efikasitetin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
c) sigurimin e çdo informacioni, në përputhje me qëllimin dhe funksionet e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ç) garantimin se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk ndërmerr veprime në interes të ndonjë partie politike;
d) garantimin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara me palët e treta;
e) informimin dhe raportimin te Presidenti i Republikës dhe te kryeministri për probleme që lidhen me sigurinë kombëtare.
Drejtori i SHISH-it i paraqet kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij.
Sipas përcaktimeve të kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit raporton edhe në Këshillin e Ministrave”.

Pas Nenit 5 shtohet Neni 5/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 5/1
1. Me propozimin e kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.
Drejtori qëndron në detyrë për një mandat 5 - vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë.
2. Me propozimin e kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.
3. Zëvendësdrejtori është në varësi të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryen detyrat e ngarkuara prej tij. Ai e zëvendëson drejtorin në rastet kur ky i fundit ndodhet jashtë vendit ose kur mungon në detyrë për arsye shëndetësore, për një periudhë jo më shumë se tre muaj.
4. Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, për efekt të trajtimit financiar, ka status të njëjtë me ministrin, ndërsa zëvendësdrejtori ka status të njëjtë me zëvendësministrin”.

Ishte
Neni 9
Shërbimi Informativ Kombëtar nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor.
Kur SHIK-u krijon bindjen për një shkelje të ligjit, informon në institucionin përkatës, duke mbrojtur burimet dhe metodat informative.
Shërbimi Informativ Kombëtar, në funksion të realizimit të detyrave të tij mund të bashkëpunojë me shërbimet informative të vendeve të tjera.

Bëhet
Paragrafi i tretë i Nenit 9 ndryshohet si më poshtë vijon:
“Shërbimi Informativ i Shtetit, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratimin e kryeministrit, me shërbime informative të vendeve të huaja”.

Qeveria miraton ngritjen e Agjencisë Kombëtare Bërthamore

Qeveria miratoi dje krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore, si institucion qendror në varësi të kryeministrit, me statusin e personit juridik publik. Në bazë të vendimit kjo agjenci do të ketë si objekt të veprimtarisë përgatitjen, ndjekjen e mbarëvajtjes dhe të zhvillimit të programit kombëtar bërthamor, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e kryeministrit. Kjo agjencisë do të ketë si detyrë ngritjen dhe mirëfunksionimin e infrastrukturës të nevojshme, në mbështetje të programit kombëtar bërthamor; hartimin e kuadrit të plotë ligjor, i cili do të mbështesë zhvillimin normal të programit; hartimin e kuadrit të nevojshëm rregullator, në shërbim të programit; bashkërendimin e punës për përzgjedhjen e vendeve në të cilat mund të ndërtohet centrali bërthamor; përzgjedhjen dhe sigurimin e përgatitjes profesionale të personelit të nevojshëm, në mbështetje të programit bërthamor, në faza të ndryshme të tij; hartimin e dokumentacionit dhe ndjekjen e procedurave, në bazë të të cilave do të kërkohen oferta për centralin bërthamor. Nëpërmjet këtij vendimi qeveria i kthehet dhe njëherë idesë për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri.

21 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›