E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha bllokon projektin e Topit për ti dhënë fund krizës politike

Presidenti ka bërë përpjekje për një tryezë të rrumbullakët
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mësohet se ka pasur një projekt në angazhimet e tij për t’i dhënë fund krizës politike, por ky projekt është bllokuar nga kryeministri Sali Berisha. Kreu i shtetit, kohë më parë kishte programuar që të organizonte një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në Shqipëri, në mënyrë që t’i hapej rruga institucionalizimit të dialogut politik mes palëve. Por duket se organizimi i kësaj tryeze nuk është pranuar nga kreu i qeverisë. Kjo për faktin se kryeministri Berisha asnjëherë nuk ka pranuar se ekziston një krizë politike në vend dhe se në rast se do të zhvillohej një tryezë diskutimi, kjo do të institucionalizonte ekzistencën e krizës politike. Dhe së dyti, burimet bëjnë të ditur se marrëdhëniet midis kryeministrit dhe presidentit prej kohësh janë ftohur, dhe kjo është vënë re në momentin kur Berisha nuk zhvilloi takim me presidentin pasi ky i fundit takoi kryetarin e opozitës Edi Rama në muajin dhjetor. Madje kjo marrëdhënie midis dy palëve bëri që Presidenti i Republikës nuk mundi të mblidhte dot Këshillin e Sigurisë Kombëtare për përmbytjet në Shkodër.
Tryeza
Ekzistencën e projektit të presidentit Topi për organizimin e një tryeze të rrumbullakët e kanë konfirmuar në raportin e tyre dy raporterët e Asamblesë së Këshillit të Europës. Në paragrafët e këtij raporti, që pritet të diskutohet në seancën parlamentare të Asamblesë së KE-së së datës 28 janar, shkruhet se gjatë takimit me raporterët, presidenti kishte hedhur idenë e marrjes së rolit të negociatorit në rast se partitë politike shprehin vullnetin e tyre. “Më 24 nëntor 2009, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, komentoi për herë të parë situatën politike në Shqipëri duke shprehur gatishmërinë e tij për të negociuar në rast se kërkohej nga palët politike të përfshira në debat. Asambleja Parlamentare mbështet rolin e Presidentit Topi për të negociuar me partitë politike për të vendosur dialogun politik”, - shkruhet në raportin e Jaako Laakso dhe David Wilshire.
Rikthimi
Burimet bëjnë të ditur se pas diskutimit të raportit në Asamblenë e KE-së pritet që të institucionalizohet sërish projekti i Topit për të organizuar tryezën mes palëve. Ky projekt mbetet plani më serioz për ta nxjerrë vendin nga kriza politike dhe për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës. Ndërkombëtarët, në deklaratat e tyre janë shprehur në mbështetje të presidentit Topi për të negociuar për t’i dhënë fund krizës politike. Pritet që faktori ndërkombëtarë t’i imponohet politikës shqiptare dhe të mbështesë fuqishëm rolin e kreut të shtetit për të organizuar një tryezë gjithëpërfshirëse për të institucionalizuar dialogun politik. Ndërkaq, kryetari i opozitës shpeshherë është shprehur publikisht i gatshëm për të marrë pjesë në një tryezë serioze bisedimesh. Madje edhe gjatë ditës së djeshme ai e përforcoi këtë qëndrim të Partisë Socialiste. Pritet reagimi i kryeministrit Berisha, i cili ka rezultuar gjatë kësaj kohe të jetë bllokuesi i nismës së Topit për të organizuar një tryezë të rrumbullakët bisedimesh. Madje edhe në deklaratat publike, Berisha, ndërsa ka bërë thirrje për dialog, ka vendosur kushte që sipas tij nuk mund të pranohet hapja e kutive të votimit, që përbën kërkesën kryesore të PS-së.

21 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›