Topi, takon ambasadorët: “Partitë politike janë të përgjegjshme të kapërcejnë këtë situatë”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, organizoi dje një pritje për ambasadorët e shteteve të ndryshme me mision diplomatik në Shqipëri. Në këtë pritje ishin të pranishëm ministra të kabinetit qeveritar, ndërkohë që mungonte kryeministri Berisha. Gjatë fjalës së mbajtur para Trupit Diplomatik, Presidenti Topi komentoi dhe situatën politike në vend, ndërsa shprehu besimin se partitë politike në Shqipëri do të dinë ta kapërcejnë situatën e vështirë. “Forcat politike shqiptare janë të përgjegjshme dhe do të dinë ta tejkalojnë këtë situatë të vështirë, e cila është reflektuar muajt e fundit. Për ne është e domosdoshme që të ndjekim me shumë seriozitet, me shumë rigorozitet, të gjitha standardet e botës demokratike. Kjo vlen për politikën, administratën, ekonominë, për të gjitha. Ju siguroj se institucionet e Shqipërisë do të përballojnë me shumë motivacion të gjitha detyrimet në rritje për proceset integruese të vendit. Jam i bindur se së bashku do të ndërtojmë gjatë 2010-s një botë më të mirë, më të qetë për popujt tanë, për shoqërinë tonë”, - është shprehur kreu i shtetit. Presidenti Topi shtoi gjithashtu se shteti shqiptar i ka të gjitha mundësitë që gjatë këtij viti të tregojë më shumë maturi dhe të ecë drejt një “debati konstruktiv për t’u ngritur mbi interesat e momentit dhe për t’u drejtuar drejt interesave kombëtare”. Më tej, presidenti Topi vlerësoi arritjet e politikës së jashtme të Shqipërisë gjatë vitit të kaluar dhe shprehu besimin për forcimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet mike gjatë këtij viti. Ai theksoi se prioritet për Shqipërinë mbetet liberalizimi i vizave me BE-në, si dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE. “Unë besoj se viti 2010 do të vendosë një urë të rëndësishme me BE-në. Shqiptarëve u është mohuar që në vitin 1945 e drejta për të udhëtuar lirshëm. Europa e sotme është e ndërtuar mes vlerave të paqes, të drejtave të njeriut dhe vlerave të së drejtës. Aplikimi i Shqipërisë për statusin është shumë i rëndësishëm dhe ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se asgjë nuk dhurohet, gjithçka fitohet me dinjitet. Administrata shqiptare po tregon me shumë angazhim përmbushjen e detyrimeve për dorëzimin e Pyetësorit BE-së. Ky është një ogur i mbarë në rrugën tonë integruese”,- është shprehur presidenti Topi. Ai shprehu dëshirën për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri dhe për këtë kërkoi ndihmën e ambasadorëve të shteteve të huaja që operojnë në Shqipëri. Më tej, presidenti falënderoi ambasadorët për këshillat e sinqerta të dhëna gjatë vitit 2009 dhe shprehu bindjen se vendi ynë do të ketë nevojë për këshillat e tyre edhe gjatë vitit 2010. Presidenti gjithashtu theksoi edhe njëherë se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rol aktiv në arenën ndërkombëtare, në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë shtete.
21 Janar 2010