E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Onufri 2009”, Hasan Nallbani merr trofeun “Old generation artist”

Me çmimin e parë u vlerësua Hasan Nallbani, për veprën e tij të titulluar “Kompozim”, për cilësinë dhe origjinalitetin që karakterizon pikturën e tij
Izaura Ndoj

Mbrëm në Galerinë Kobëtare të Arteve u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për veprat më të mira të konkursit ndërkombëtar “Onufri 09” në edicionin e 16-të të tij. Në krye të juris ishtë vendosur italiani Francesco Poli, kritik arti në Itali dhe në Francë, gazetarja e fushës së kulturës dhe artit Alma Mile dhe Suzana Varvarica Kuka studiuese arti në Galerinë Kombëtare të Arteve. Juria u bazua në disa kritere për vlersimin e 32 punimeve të artistëve gjatë këtij konkursi. Së pari; vlerësimet me çmime t`i jepen artistëve që jetojnë dhe krijojnë në Shqipëri me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e sistemit të artit pamor në Shqipëri. Së dyti; çmimi i parë i përket artistëve të quajtur “Old generation artist” dhe Çmimi i Dytë artistëve të brezit të ri. Me çmimin e parë u vlerësua Hasan Nallbani, për veprën e tij të titulluar “Kompozim”, vaj në kanavacë, 210 x 150 cm, me motivacionin e më poshtëm: Për cilësinë dhe origjinalitetin që karakterizon pikturën e tij në këtë fazë të fundit. Për një liri kompozimi, i cili karakterizohet nga një tension vital shprehës. Këto cilësi që janë shumë aktuale në ditët e sotme.
Më çmim të dytë u vlerësuan dy artistët piktorë me referime të ndryshme të linjave të tyre artistike dhe për merita të barabarta; Aldi Zgjani, për veprën “Sit still seeking!”, diptik, akrilik në kanavacë, 70 x 80 cm dhe 70 x 90 cm me motivacionin e më poshtëm:
Për një krijimtari të menduar konceptualisht, të përpunuar mirë, plot finesë dhe delikatesë. Enkelejd Zonja, për veprën “Përrallë nga `97”, vaj në kanavacë, 140 x 230 cm me motivacionin e më poshtëm: Për një teknikë të lartë piktorike, me të cilën ka ndërtuar një kompozim kompleks, narativ, me simbole sociale dhe metaforike. Edicioni i 16-të i konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 09” u çel më 24 dhjetor të vitit që porsa lamë pas. Ai do të vazhdojë të qëndrojë i hapur deri më 4 shkurt të këtij viti. Kuratori Parid Teferiçi ka ndërtuar një ekspozitë pa temë, me titullin “Dëshmi dhe Dëshira”. E re e këtij viti quhet përfshirja për herë të parë e disa studentëve të Akademisë së Arteve që marrin pjesë pa qenë në konkurrim për çmim. Donika Çino, Entela Hoxha dhe Anjeza Dyrmishi janë zgjedhur nga artisti Gentian Shkurti. Në edicionin XVI të “Onufrit” kanë marr pjesë: Robert Aliaj, Ervin Bërxolli, Albion Bogdani, Klodian Dedja, Najada Hamza, Eugert Hykaj, Edmond Gjikopulli, Gentian Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjelosh Gjokaj, Helidon Haliti, Ziso Kamberaj, Blerta Kambo, Greta Lami, Olson Lamaj, Gazmend Leka, Elsa Martini, Gazmend Muka, Fatmir Musaj, Vladimir Myrtezaj, Hasan Nallbani, Sokol Peçi, Gent Pipa, Gëzim Tafa, Zihni Veshi, Pleurad Xhafa, Aldi Zgjani, Enkelejd Zonja.

“Tirana by night”, një formë e re baleti sërish në TOB
Sezoni i ri artistik sjell sërish për spektatorin shfaqjen koreografike mjaftë të arrirë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në datën 22 janar të titulluar “Tirana by night”, e cila është një novelë nga tranzicioni, e koreografit Arjan Sukniqi, me kompozim të Ermir Dergjinit. “Tirana by night” është një formë e re baleti, ku të rinjtë, kanë performuar në në skenë duke sjellë një performancë ndryshe nga ato që kemi parë deri tani. Me anë të kësaj shfaqjeje përcillet vizioni i të rinjve, se si sillen brenda një nate në kryeqytet. Problemet me të cilat ndeshet rinia në vitet e tranzicionit, përpjekjet për t’i shpëtuar veseve apo sjelljeve negative kanë ardhur gjatë këtyre mbrëmjeve baleti në TKOB. Në premierë janë përfshirë pothuajse e gjithë trupa e baletit të Teatrit Kombëtar. Pjesa që frymëzohet nga jeta e metropolit në vitet e fundit është ndërthurur edhe me nota të veprës së famshme “Carmina Burana”, ku e gjitha kjo ka sjell mbrëmje mbresëlënëse në skenën e operës. Ndërkohë që pas suksesit që pati në skenën e TKOB baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” një vepër shqiptare, e cila u konsiderua si vepra që tronditi skenën, sërish në këtë institucion vijojnë të vihen në skenën e tij pjesë apo vepra nga krijimtaria më e mirë e autorëve shqiptarë, ku pjesë e tyre është dhe kompozitori Ermir Dergjini. Koreografia e Arjan Sukniqit, i cili është cilësuar si një prej emrave që kërkon gjithmonë të renë ka sjell një risi të veçantën në skenën e TKOB. Kjo vepër që ka një gjuhë rinore do të jetë një vepër e bukur, ku dhe mesazhi i saj do të jetë i veshur me estetikën e një vepre të vërtetë artistike. Në skenën e operës edhe gjatë këtij sezoni do të vijojnë të prezantohen vepra të tilla, për të përcjellë me anë të kulturës shqiptare emocione që vetëm me anë të kësaj krijimtarie arrin ti marrësh.

40 artistët, së bashku në një koncert solidarizimi

40 artistë shqiptarë, holandezë, izraelitë, rusë, afrikanë e kinezë, do të bashkohen për herë të parë në një koncert solidarizimi në ndihmë të qarkut të Shkodrës. Përmbytjet e javëve të fundit që ndoshën në Shkodër kanë tronditur edhe botën e artistëve, sensibiliteti i të cilëve nuk lejon që ajo që ndodhi të kalojë në heshtje. Lidhur me këtë, në sajë të një iniciative të veçantë, ata kanë vendosur të japin një ndihmë solidariteti ndaj atyre që sot ndihen të dobët para pasojave të përmbytjeve. Dihet se në shumë vende të botës ku fatkeqësitë natyrore kanë goditur popullatat e tyre, artistët kanë qenë në krye të iniciativave të ndërmara për të dhënë kontributin e tyre pa qëllime fitimi. Ky koncert që do të mbahet nesër ora 18.00, në mjediset e cirkut Dorolla në sheshin Nënë Tereza në kryeqytet nga artistë të shumtë do të kontribuojë sadopak në ndihmë të banorëve që ka javë që gjendën nën ujë. Të ardhurat e siguruar do ti akordohen qarkut të Shkodrës në shenjë solidariteti për ndihma ndaj përmbytjeve. Sipas promotorit të kësaj iniciative, Mimmo Gianfreda, ky është një event artistik i pazhvilluar më parë ndonjëherë në Shqipëri, ku artistët bashkohen për një objektiv unik humanitar mes tyre.

20 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›