Patrik Suejz, njeriu që desha
Ajo tashmë jeton vetëm në një shtëpi të madhe dhe të bukur në Los Anxhelos. Askush nuk e njeh me emrin e saj të vërtetë, Lisa Nemi, por po t’u prezantohet si e veja e Patrick Suejz, atëherë të gjithë do ta shihnin me kërshëri. Ata që i qëndrojnë pranë i thonë se dhimbja nga vdekja e të shoqit do t’i kalojë pas disa kohësh dhe gjithçka do të jetë më e lehtë se në fillim. Por për të është shumë e vështirë pas 35 vitesh të jetuara me njeriun e dashur të zemrës. “Kam mijëra ndjenja që më gëlojnë së brendshmi. Disa janë ekstreme, të tjerat janë në përgjithësi ndjenja mërzie dhe dëshpërimi. Shpesh do të doja të zhdukesha fare nga kjo botë, por nuk kam guxim ta bëj një gjë të tillë dhe gjithsesi, mendoj se në fakt duhet të kem guxim dhe durim të jetoj pjesën e mbetur të jetës edhe pse vetëm”, thotë zonja Suejz e veshur si gjithmonë shumë thjesht, me xhinse dhe një bluzë pambuku. Ajo edhe pse është e madhe në moshë ngjan me një adoleshente në prag të rinisë. Këtë pamje ka pasur gjithmonë, që ditën kur Patrik u dashurua përfundimisht me të. “Nuk kam besim se kjo që ndiej do të më kalojë. Më duket se e gjithë jeta do të vazhdojë për mua në këtë mënyrë me dhimbje dhe dëshpërim”.
Suejz, i mirënjohur kryesisht për rolin e tij të famshëm në filmin “Fantazma” me Demi Mur, por edhe për “Dirty Dancing”, ndërroi jetë shtatorin e kaluar pas një vuajtjeje të gjatë nga kanceri në pankreas. Ishte vetëm 57 vjeç. E shoqja e tij sapo ka përfunduar një libër për jetën së bashku me Patrikun të titulluar “The time of my life”.
Librin e ka mbaruar së shkruari dy muaj para se të vdiste Patrik. Pikërisht ditët e fundit me të kanë qenë edhe ndër më të bukurat e lidhjes së çiftit. Ai ishte i vendosur më shumë se kurrë që të gëzonte me të shoqen çdo moment që merrte frymë dhe i ka lënë pas kujtime të paharrueshme. Por ishin edhe ditë shumë të vështira. Patrik ishte dobësuar shumë fizikisht dhe e kishte të pamundur që të qëndronte në këmbë apo të kryente vetë shërbime të ndryshme, ndaj së shoqes i duhej që ta ushqente dhe ta çonte në tualet. “Patrik në fund nisi që të humbasë edhe kujtesën dhe mua më duhej që ta kujtoja edhe për ilaçet dhe për gjëra të tjera, por si për çudi vazhdonte që të mbante mend shumë gjëra të bukura e të veçanta që i kishim bërë në fillim të njohjes sonë. Atëherë mendova se kujtimet e dashurisë nuk ka sëmundje që t’i shuajë”.
çifti u takua për herë të parë në vitin 1971, kur ishin të dy adoleshentë dhe shkonin në një shkollë për të mësuar kërcim në Huston të Teksasit. Patrick u tërhoq menjëherë pas Niemit. “Unë kam qenë një adoleshente shumë llafazane. Doja të flisja pa fund dhe kur u takuam për herë të parë më kujtohet se kam folur e folur, ndërkohë që Patrik më dëgjonte dhe siç më tha më vonë dalëngadalë po binte në dashuri me mua”.
Një ndjenjë e tillë shumë e fuqishme nga të dy për njëri-tjetrin nuk mund veçse të përfundonte me një martesë të shpejtë, edhe pse prindërit e tyre nuk ishin plotësisht dakord. Suejz vinte nga një familje me probleme dhe te shoqja e jetës gjeti qetësi dhe dashuri, ato që i kishin munguar. I ati dhe njëra nga motrat i kishin vrarë veten dhe vetë ai karakterizohej nga një mungesë e përgjithshme vetëbesimi dhe sigurie, veti të cilat u shfaqën edhe në karrierën e tij. Patrik ka qenë gjithmonë një njeri i ndrojtur dhe shumë i mbyllur në vetvete dhe kur i propozoi të shoqes për t’u martuar kishte një frikë të madhe se mos ajo i refuzonte. Pranimi i saj, sipas vetë Niemit, i dha Patrikut një siguri të madhe që ishte një fillim i mirë edhe për karrierën e cila më vonë doli shumë e suksesshme. “Ka ditë kur jam tërësisht e rrënuar shpirtërisht”, rrëfen Niemi tashmë 53-vjeçare. U referohet 6 muajve të fundit kur i është dashur që të jetojë për herë të parë në jetë krejtësisht e vetme në një shtëpi të madhe e cila deri pak kohë më parë ishte streha e një historie të mrekullueshme dashurie.
“Ndonjëherë e marr veten shpejt, e herë të tjera nuk dua ta marr veten fare, por të qëndroj në gjendje gjumi për ditë të tëra. Ndonjëherë dua të ndryshoj gjithçka në shtëpinë time, e herë të tjera dua ta lë siç ka qenë në kohën e tim shoqi. Por kështu çdo gjë më krijon dhimbje…” Për shumë kohë ajo ka marrë tableta gjumi, sepse pas vdekjes së të shoqit mund të kalonte net të tëra pa vënë gjumë në sy për asnjë çast. E megjithëse ka vdekur, ajo ia ndien Patrikut praninë në çdo moment. “është si në filmin e tij të preferuar kur pasi vdes aksidentalisht nuk largohet nga kjo botë derisa të shpëtojë të shoqen. Unë e ndiej praninë e tij në çdo çast dhe jam e bindur që ai është i shqetësuar për mua dhe nuk do të largohet pa më parë të qetë dhe më mirë shpirtërisht”.
Niemi ka jetuar thuajse çdo ditë të jetës me Patrik, edhe kur ai ikte me xhirime në vende të largëta e merrte me vete ndaj mund të kuptohet se sa vështirë e ka tani që është krejtësisht vetëm në një shtëpi plot me kujtime. Patrik ka qenë një njeri me një kurajë të madhe, me një vullnet dhe vendosmëri që shpesh i kalonte përmasat e normales. Për sa i përket sëmundjes së rëndë që i dha pak kohë për të jetuar, ai e përballoi atë me të njëjtën forcë dhe vendosmëri që përballoi edhe dështimet e jetës së tij, atë për t’u bërë kërcimtar dhe për t’u bërë atlet. Edhe gjatë jetës së tij ai ka pasur dy raste kur mund të kishte vdekur. Një herë kur po shëtiste me kalë u përplas keqas me një pemë dhe vetëm mrekullia i ka shpëtuar jetën. Herën e dytë ishte duke pilotuar një avion dhe për shkak të presionit të lartë dhe një problemi teknik të tij përplaset së bashku me të shoqen. Edhe këtë herë të dy pësojnë vetëm dëme anësore, por për ata që e panë llojin e aksidentit kjo ishte një mrekulli e pastër. “Patrik ka qenë gjithmonë një person pasionant dhe optimist. Sigurisht që kishte momente gjatë të cilave bëhet keq dhe ndihej jo mirë, siç në fund të fundit i kemi të gjithë, por për fat ato nuk zgjasnin shumë dhe zëvendësoheshin nga pasioni dhe alegria. është e pabesueshme se si gjatë gjithë jetës i pëlqente që të luante me rrezikun dhe në të gjitha rastet, përveçse në rastin e sëmundjes ia ka dalë mbanë që të triumfonte”, rrëfen Niemi. Për të Patrick ishte njeriu që nuk dinte të thoshte ndonjëherë “jo, nuk bëhet”, por “po ka mundësi që të bëhet dhe unë do të bëj maksimumin që ta realizoj”. “Më të mirën e vetvetes Patrik e dha pikërisht ndërsa mori vesh që ishte sëmurë dhe i kishin mbetur pak muaj jetë. Që nga momenti kur i kumtuan një gjë të tillë ai vendosi që të jetonte në ekstrem tërë kohën e mbetur dhe me një intensitet dhe vitalitet të tilla sa unë shpesh mendoja se ai do t’ia dilte që të mundte edhe vetë kancerin. Ishte shumë i mençur dhe e dinte fare mirë se ç’bënte. Në fakt, në njëfarë mënyre e mundi sëmundjen duke e zgjatur shumë jetën e tij që nga momenti kur u konstatua me kancer. Fillimisht mjekët i kishin dhënë vetëm disa muaj jetë, por këmbëngulja dhe vitaliteti i tij bëri që ai t’i merrte vdekjes plot dy vjet. Në fund të kësaj periudhe u duk qartë se organizmi i tij ishte lodhur dhe se tashmë kishte ardhur koha për pak pushim”.
Patrik kishte një infeksion të rëndë që nuk po i pastrohej që vinte nga komplikimet e sëmundjes. Pas këtij komplikacioni ai vdiq brenda javës. “Më kujtohet biseda e fundit që kemi bërë bashkë. Ishte një bisedë e gjatë dhe e thellë siç ishin bisedat tona kur kishim kohë të lirë. Mbaj mend se Patrik më pyeti se çfarë doja që të më bënte dhuratë për ditëlindje. Unë vura buzën në gaz dhe i thashë se doja që të më donte gjithmonë, kudo që të shkonte. Pastaj i thamë njëri-tjetrit gjatë gjithë kohës se sa duheshim dhe se sa do të vazhdonte edhe më kjo dashuri pavarësisht se gjërat mund të ndryshonin, madje edhe këtë ndryshim e morëm si një sfidë të re”.
Në momentin që Patrik ndërroi jetë, Niemi e ndjeu se edhe për të kishte mbaruar gjithçka dhe se ajo mund të luante mendsh. “Por me kalimin e kohës u përmenda dhe nisa t’i them vetes se në këtë jetë kishim ardhur të gjithë vetëm dhe do të iknim vetëm, por deri në atë çast duhet që të kryenim paktin me jetën, pra ta jetonim deri në fund. E vetmja gjë që më bënte të ndihesha mirë dhe disi e qetë ishte fakti që i kisha thënë pafundësisht se e doja”.
Libri për jetën e tyre është një libër i ndershëm të cilin ajo thotë se e ka shkruar pa asnjë lloj vetëparagjykimi dhe kompleksi për të folur edhe për gjërat më të rënda dhe momentet më të vështira mes të dyve. Një nga momentet më të vështira ka qenë kur Patrik iu dha të pirit që erdhi si pasojë e depresionit në të cilin u zhyt për disa kohë. Ai nuk arriti që ta treste kurrë vetëvrasjen e babait dhe të motrës dhe kjo i krijonte herë pas here në jetë momente të errëta. Pikërisht në këto periudha të errëta edhe lidhja e të dyve bëhej shumë e vështirë dhe Niemi jo pak herë është larguar nga shtëpia bashkëshortore për të mos u kthyer më, por gjithmonë ndodhte diçka që e rikthente dhe lidhja rifillonte.
“Për mua gjëja më e keqe që kishte Patrik ishte të pirit. Kur pinte shumë ai shndërrohej plotësisht, duke nxjerrë jashtë të gjithë demonët që i flinin. Ndërsa kur nuk pinte ishte njeriu më i mirë në të gjithë planetin. Kur një njeri është në një gjendje të tillë të rëndë është mirë që të mos ketë njerëz afër, sepse në një rast të tillë do t’i keqtrajtonte. Për fat të keq edhe kur u shërua nga alkooli ai i rikthehej herë pas here zakonit të vjetër, por jo në atë masë si në fillim”.
Por a ka qenë e vështirë për Niemin të jetonte në hije të suksesit të të shoqit. Ajo ishte me profesion kërcimtare dhe kishte tentuar edhe regjinë e disa filmave të vegjël, por nuk kishte mundur kurrë të arrinte famë dhe sukses dhe si pasojë kishte vendosur që në njëfarë mënyrë të ishte “hija” e Patrikut. “Jo, në fakt, fama e tij nuk më ka shqetësuar kurrë dhe jam ndier e lumtur edhe kur të gjithë nuk më dinin emrin, por më thërrisnin gruaja e Patrikut. Ndërsa për Patrik gjithçka ishte si një lojë e madhe e mbushur me rreziqe. Kur kishte sukses të madh i pëlqente, por të kesh sukses është e vështirë, sepse me famën vijnë edhe gjëra të pakëndshme. Dhe kur më pas binte nga maja e suksesit ishte sërish mirë me veten, sepse i dukej se tashmë paparacët do ta linin rehat”.
Keqardhja më e madhe që të dy kanë pasur ka qenë mungesa e fëmijëve. “Ka qenë gjithmonë dëshira dhe qëllimi im pasja e fëmijëve, por nuk e di se përse nuk na funksionoi lidhja në këtë pikë. Në fakt, duhet që t’i kishim rënë prapa problemit me mjekime dhe operacione, por nuk e bëmë kurrë një gjë të tillë…” “Njëherë kam dështuar dhe ende edhe sot ndiej dhimbje kur sjell në mendje atë moment. Ishte shkatërrimtare për mua. Të dy kaluam një periudhë shumë të keqe pas një ngjarjeje të tillë dhe e morëm veten me shumë vështirësi”.
Sot një ndër miket e saj më të arta është aktorja Woopy Goldberg, e cila gjithmonë e fton në shtëpinë e saj sa herë që Niemi nuk ndihet mirë. Ajo e di se do të kalojë ende shumë kohë për t’u ndier disi më ndryshe edhe pse ajo thotë që Patrick nuk do ta lërë kurrë vetëm, por do të endet në jetën e saj përgjithmonë si në filmin që e bëri të famshëm.
#