E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patrik Viera shfaq nostalgji për ish-teknikun e tij Arsen Venger

Milano - Raportet e mesfushorit francez të Interit, Patrik Viera, dhe teknikut të tij, Hoze Murinjo, nuk janë aspak të mira. Lojtari nuk e ka kapërdirë dot lehtë faktin e lënies jashtë formacionit të parë në ndeshjen e Interit me Juventusin, dhe për këtë ai shpreh nostalgji për ish-teknikun e tij, Arsen Venger.

Viera ka qenë për një kohë të gjatë nën urdhërat e Vengerit tek Arsenali. Ai është shprehur se Vengeri është trajneri më i rëndësishëm që ka patur ndonjëherë, dhe ka shprehur njëkohësisht admirimin për trajnerin e Mançesterit, Sir Aleks Fergusonin.

“Trajneri më i rëndësishëm në karrierën time është Arsen Vengeri, sepse jemi stërvitur për 9 vjet bashkë, dhe më ka treguar shumë gjëra si në fushën e sportit, ashtu edhe në atë të jetës”, është shprehur Viera për Ford’s Feel Football.

Më pas ai shpreh hapur simpatinë për Fergusonin duke deklaruar: “Nuk i njoh të gjithë trajnerët e botës, por mendoj se Fergusoni është tek tre më të mirët e rruzullit, për atë ç’ka ka bërë tek Mançesteri”.

Ndërsa trajneri i tretë mbetet pikëpyetje, pasi lojtari nuk dëshiron ta thotë atë, por dihet që është tekniku i tij aktual, Murinjo. Mërzia e francezit me Murinjon duket qartë, pasi lojtari nuk dëshiron të përmendë as emrin e tij tek tre trajnerët më të mëdhenj të globit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›