E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patriotët e diasporës

Formimi i shqiponjës dykrenore me gishtërinj tashmë ka mbet vetëm njëra prej mënyrave të shumta që sportistët shqiptarë nëpër Evropë shprehin krenarinë për prejardhjen e tyre. Kohëve të fundit ‘patriotizmin’ ata po e shprehin edhe nëpërmjet metodave tjera: duke i mbajtur simbolet kombëtare në formë tatuazhi, nëpër këpucët e futbollit dhe vende të ndryshme.

Deri më tani shumë sportistë shqiptarë, të cilët aktualisht veprojnë nëpër Evropë, fitoreve u gëzohen në një mënyrë të veçantë, duke e formuar me gishtërinj shqiponjën dykrenore.

Madje, kjo akoma praktikohet nga ta, posaçërisht nga një numër i madh i futbollistëve shqiptarë, të cilët kanë zgjedhur këtë mënyrë për t’i festuar golat duke dëshmuar se krenohen me faktin që janë shqiptarë.

Një gjë të tillë vazhdimisht e bëjnë Agon Mehmeti, Najzi Kuqi, Atdhe Nuhiu, Dardan Rexhepi, Ardian Nikçi, Pajtim Kasami, futbollistja kosovare e përfaqësueses gjermane Fatmire Bajramaj, basketbollisti pejan i Polonisë, Dardan Berisha e shumë të tjerë.

Përpos kësaj mënyre, kohëve të fundit futbollistët shqiptarë nëpër kontinentin e vjetër ‘patriotizmin’ po e shprehin edhe nëpërmjet mënyrave tjera.

Disa nga ta tashmë kanë zgjedhur që simbolet kombëtare, si për shembull shqiponjën dykrenore, t’i mbajnë përjetësisht në pjesë të trupit me anë të tatuazheve, siç ka bërë Lorik Cana, Valon Behrami e Emir Bajrami.

E disa të tjerë simbolet kombëtare i mbajnë nëpër veshjet e tyre sportive. Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka në këpucët sportive i mbajnë flamujt e Shqipërisë e Kosovës, ndërsa së fundmi portieri kosovar i Palermos, Samir Ujkani në dorëzën e tij e ka vendosur flamurin kombëtar të Shqipërisë.

Por, një patriot i madh është edhe Migjen Basha i Torinos. Mesfushori kosovar vazhdimisht i bën ‘reklamë’ të madhe Republikës së Kosovës. Kudo që shkon me ekipin e tij, Basha nuk niset pa flamurin shtetëror të Kosovës.

Kryesisht mbështillet me të, e fitoreve në fund të ndeshjeve u gëzohet duke e valuar atë në fushën e blertë para shikuesve dhe medieve. Madje, në zhveshtoret e ekipit në qendrën sportive të Torinos, Basha e ka vendosur një flamur të Kosovës, të cilin askush nuk ka ‘guximin t’ia prekë’.

“Unë gjithmonë jam ndier krenar që jam shqiptar i Kosovës. Kosovën e kam në zemër, andaj gjithmonë e mbaj me vete flamurin e Kosovës. Ndiej kënaqësi dhe emocione të veçanta kur e kam afër vetës flamurin e shtetit tim”, deklaroi Basha për Express.

“Në Torino midis dhomës së zhveshjes e kam vendos flamurin e Kosovës. Ai vazhdon të qëndrojë aty. Flamurin nuk guxon ta prekë askush, sepse do të bëhesha shumë nervoz”, theksoi Basha duke qeshur.

Ndërkohë, edhe dhjetëra boksierë shqiptarë në ring vazhdimisht ngjiten me brekë sportive kryesisht me ngjyrat kuq e zi, ndonëse thuajse të gjithë ata boksojnë për shtete tjera.

Një dukuri e tillë, kaq e theksuar, nuk mbahet mend të ketë qenë e pranishme në të kaluarën te sportistët shqiptarë nëpër Evropë. E kjo është shfaqur pikërisht në kohën kur sportistët shqiptarë kanë pushtuar Evropën. Ata janë bërë ‘ambasadorë’ të shkëlqyeshëm të Kosovës e Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›