E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzhojat e 21 janarit, FBI dërgon në Prokurori përgjigjen me ekspertizën

Nga protesta e 21 janarit

Mbërrin në Prokurori nga SHBA materiali në anglisht edhe për  serverin. Trojka: Hetim gjithëpërfshirës e të pandikuar

Ambasada Amerikane në Tiranë: Pyesni në Prokurori

Byroja Federale Amerikane e hetimit, FBI, ka sjellë në Shqipëri përgjigjet e saj në lidhje me ekspertizën e serverit të Kryeministrisë dhe gëzhojave të gardistëve të 21 janarit. Lajmi është bërë i ditur dje jozyrtarisht nga burime të Prokurorisë, ndërkohë që në rrugë zyrtare, organi i akuzës e mohon një fakt të tillë. Sipas burimeve që nuk u shprehën zyrtarisht, ekspertiza balistike e gëzhojave dhe armëve të gardistëve të dyshuar për vrasjet ka mbërritur dje në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas burimeve në fjalë, përgjigjja e ekspertizës amerikane ka mbërritur në gjuhën angleze si për armët e gëzhojat, ashtu dhe për serverin e Kryeministrisë. Për këtë shkak, burimet jozyrtare thanë dje se pritet përkthimi i materialit me qëllim që sa më shpejt raporti i ekspertizave të FBI-së ti vihet në dispozicion grupit hetimor. Gazeta Panorama pyeti mbrëmë këshilltarin për media pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Plator Nesturi. Ai vuri në dukje se ishte vënë në dijeni për transmetimin në media të lajmit për mbërritjen e ekspertizës nga SHBA, por zyrtarisht tha se ekspertiza nuk kishte mbërritur ende. Pas interesimit në Prokurorinë e Përgjithshme, gazeta Panorama kontaktoi me zëdhënësin e shtypit në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Pyetjes sonë nëse konfirmonin mbërritjen në Shqipëri të ekspertizave të FBI-së për 21 janarin, zyrtarët e medias pranë Ambasadës Amerikane iu përgjigjën duke thënë: Pyesni në Prokurori. Edhe burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se nuk ishin në dijeni të mbërritjes së ekspertizave nga SHBA.
Ekspertizat në SHBA
Shpresa e vetme për të vënë në lëvizje hetimin e ngjarjeve të 21 janarit janë ekspertizat e kryera në SHBA. Ekspertiza e parë ka të bëjë me një numër armësh, gëzhojash e predhash të sekuestruara në vendin ku u vranë katër qytetarët dhe te Garda e Republikës. Ekspertiza e dytë ka të bëjë me pajisjen kompjuterike me të cilën kanë qenë të lidhura kamerat e vëzhgimit të Kryeministrisë. Në verifikimin e parë, ekspertëve amerikanë u është kërkuar të përcaktojnë armët që kanë qitur predhat e gjetura në trupat e Aleks Nikës dhe të Faik Myrtos. Kjo pasi ekspertizat e kryera në Policinë Shkencore në Tiranë nuk kanë arritur në përfundimin se predhat në fjalë janë qitur me armët e Gardës së Republikës. Ndërkohë, ekspertiza e dytë ka të bëjë me mundësinë që në serverin e Kryeministrisë të jenë fshirë disa pamje të caktuara që janë marrë nga kamerat gjatë ngjarjeve të pasdites së 21 janarit. Nga këqyrja që iu bë serverit në Shqipëri, hetuesit kanë ngritur dyshime se pajisja është riformatuar pas mesnatës së 21 janarit dhe për pasojë, e gjithë përmbajtja e saj është fshirë. Në të dyja raste, Prokuroria shqiptare iu drejtua për ndihmë palës amerikane për shkak të besueshmërisë së lartë si dhe për pajisjet teknologjike në dispozicion të ekspertizave, pajisje që përbëjnë fjalën e fundit të shkencës. Nga katër të vrarët e 21 janarit, ekspertizat që u zhvilluan në Shqipëri gjetën vetëm njërin prej tyre. Sipas Policisë Shkencore, gardisti Agim Llupo kishte vrarë Ziver Veizin para portës së hekurit të Kryeministrisë, ndërkohë që autorët e vrasjes së tre shtetasve të tjerë mbetën të papërcaktuar, pasi predhat e dy viktimave nuk përputheshin me armët e Gardës së Republikës.

Trojka: Hetim gjithëpërfshirës

Deklaratë e përbashkët e ambasadorit të SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së për 21 janarin

Më tepër se një ditë përkujtimore, të shohim përpara

Sekui, Arvizu e Volfarth

Dy ditë para 1-vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit, trojka e ambasadorëve në Tiranë ka lëshuar një apel ndaj institucionit të drejtësisë, për zbardhjen e vrasjes së 4 protestuesve. Ambasadori i Amerikës, Aleksandër Arvizu, ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui dhe ai i OSBE-së, Eugen Volfarth, me një deklaratë të përbashkët deklaruan dje se protesta e janarit të vitit të shkuar përfundoi në një dhunë të pakuptimtë dhe të pafalshme. 21 janari 2011 ishte një ditë e dhimbshme në historinë e afërt të Shqipërisë me demonstrata të dhunshme në kryeqytetin shqiptar. Në atë ditë tragjike, katër protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë protestues, kalimtarë dhe oficerë policie, u lënduan. Sërish duam të shprehim ngushëllimet tona për familjarët e viktimave të kësaj dhune të pakuptimtë dhe të pafalshme, thuhet në deklaratën e përbashkët. Sipas ambasadorëve, institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme duhet të kryejë një hetim gjithëpërfshirës dhe të pandikuar nga interesat partiakë.
Është e nevojshme që të hidhet dritë e plotë mbi ngjarjet e 21 janarit nëpërmjet një procedure gjyqësore të besueshme, përfshirë një hetim gjithëpërfshirës, të pavarur dhe të lirë nga ndikimet partiake. Me të drejtë, populli shqiptar pret që të jepet drejtësi. Në këtë kontekst, ne besojmë që Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë është institucioni i duhur për ta kryer këtë hetim dhe ai institucion ka besimin dhe mbështetjen tonë të plotë, thuhet në deklaratën e trojkës së ambasadorëve.
Protesta homazh
Ambasadorët rekomandojnë që politika dhe shqiptarët të shohin përpara, duke forcuar dialogun politik dhe përfundimin e reformave kyçe për integrim. 21 janari 2012 duhet të jetë më tepër se një ditë përkujtimore. Duhet të jetë gjithashtu një rast për të gjithë qytetarët shqiptarë që të shohin drejt së ardhmes dhe për forcat politike që të forcojnë dialogun e tyre politik, bashkëpunimin mbi integrimin në BE dhe procesin e reformave, u shprehen ambasadorët. Trojka e ambasadorëve lëshoi dje një apel  të veçantë edhe ndaj klasës politike, që të bëjnë hapa konkretë për reformat, në mënyrë që rruga e integrimit të hapet në vitin 2012.

Rama: Të ndëshkohen me votë shkaktarët e 21 janarit

Kreu i PS, Rama

Kryetari i Partisë Socialiste ka mbështetur dje deklaratën e përbashkët të trojkës së ambasadorëve për ngjarjen e 21 janarit. Me anë të një letre zyrtare, Edi Rama, ashtu si ambasadorët, ka kërkuar që drejtësia të zbardhë vrasjen e katër viktimave të protestës së janarit të vitit të shkuar. Në emër të të gjithë popullit opozitar dhe posaçërisht të familjeve të dëshmorëve të 21 janarit, i shpreh mirënjohje botës demokratike që përmes trojkës së ambasadorëve foli sot qartë për drejtësinë e munguar për vrasjen e Hekuran Dedës, Aleks Nikës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit. Pa qëndrimin e qartë dhe të hapur të botës demokratike, në mbështetje të palëkundur të një hetimi e drejtësie në përputhje me Kushtetutën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›